19 Prill 2024

Antiamerikanët provincialistë dhe rrugaçët e përjetshëm !

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Çdo gjë rreth demarkacionit : Dita D apo 1 shtatori 2016 kur do të votohet në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është shumë afër prandaj palët kundërshtuese apo , më mirë me thënë “ ndërluftuese “ i kanë intensifikuar aktivitetet e tyre.

Më duhet ta pranoj se në këtë drejtim pozita , mbase për shkak të rrethanave të favorshme që e mbajnë pushtetin , është më e organizuar dhe më agresive duke përdorur dhe keqpërdorur mediet publike dhe jo publike për qëllimet e tyre . Kohëve të fundit , më shpesh po duket në RTK të cilën e quaj shtëpia e vetme publike me letra në Kosovë , Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi  se Festim Kabashi i cili ka kontratë të rregullt pune në RTK. A është kjo për faktin se Festimin disi e kanë margjinalizuar apo se Hashim Thaçi po tregohet më i shkathtë si gazetar , ende nuk e kam të qartë . Edhe kryeministri Mustafa , sigurisht për shkak të afërsisë fizike të shtëpisë ku jeton me objektin e RTK –së , më shpesh po e kalon kohën me Ridvan Berishën dhe Ngadhnjim Kastratin se me anëtarët e familjes ! Duket se i kanë lënë përshtypje të mirë këta dy gazetarë të devotshëm të RTK-së ! Opozita , që dikur përbetohej në dashuri të përjetshme u nda në dy pjesë ; AAK dhe Nisma si kundërshtarë paqësorë të demarkacionit kurse VV si krah militant për pengim të ratifikimit , me të gjitha mjetet e lejuara demokratike ( gazi lotsjellës , shishe me ujë , ndonjë kubëz guri në kokat e Policisë së Kosovës dhe të tjera ) është mobilizuar më shumë mirëpo nuk po hasin në përkrahje të AAK – Nismës ! Është një situatë e rëndë , me dy të vërteta të mëdha apo me dy gënjeshtra edhe më të mëdha .

Pozita që për zëdhënës e ka caktuar zotin president , po këmbëngul se Kosova nuk e humbë as edhe një pëllëmbë toke të Kosovës ( po mbrohet një pëllëmbë fytyrë ) kurse opozita , që nga fillimi ka deklaruar se Kosova humbë midis 8200 – 10000 hektarë që është shumë më e madhe se një pëllëmbë toke. Realisht kemi një dallim aq të madh në sipërfaqe prandaj është i pamundur përafrimi i qëndrimeve duke na vënë në dilemë se cila është adresa e së vërtetës . Fitohet përshtypja se të dyja palët po manipulojnë ; pozita po fshehë diçka që vdekatarët e thjeshtë që i quan qytetarë të dashur të Kosovës nuk kanë fare idenë se çka ka ndodhur në ato bisedimet krejtësisht jotransparente me Malin e Zi kurse opozita , me një over dozë të patriotizmit po bënë përpjekje ta detronizojë pozitën dhe të bëhet vet pozitë që përkthyer në shqip duhet të kuptohet se e dëshiron pushtetin jashtë procedurës dhe me një rrugë të shkurtuar !

Në këtë luftë të ftohtë edhe komisioni shtetëror ka kaluar në kundërsulm duke shkuar fërkemëve të pozitës dhe duke e vënë ekipin e ekspertëve në një pozitë mbrojtëse . Jemi dëshmitarë se ata që ishin shumë të zëshëm para një muaji , tash nuk po dëgjohen fare ! Ose kanë shkuar në pushime ose ….kanë pirë kafe me ndonjë mik ndërkombëtar të Hashimit ! Realisht po bëhet presion mbi deputetët ndonëse , po të ishte në pyetje ndonjë interes thjesht partiak do të kishin të drejtë mirëpo, për një interes shtetëror dhe kombëtar duhet një pajtim i gjerë dhe çështjet partiake as që do të duhej të përmendeshin. Pozita po e keqpërdorë skajshmërisht faktorin ndërkombëtar ( që në rastin konkret po tregohet shumë më miqësorë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi ) dhe procesin e liberalizimit të vizave sikur edhe Bajram Gecajn , duke i cilësuar kundërshtarët e demarkacionit si antiamerikanë dhe pengues të liberalizimit të vizave e që nuk është aspak e vërtetë ndërsa opozita , për shkaqe politike gjithsesi , po e keqpërdorë kartën e patriotizmit duke i akuzuar për tradhëti kombëtare  dhe duke grryer në zorrët e së kaluarës te të gjithë ata që janë për demarkacionin ndonëse , edhe në mesin e tyre si edhe të ekspertëve ka të tillë që thonjtë dhe zorrët i patën lidhur me Jugosllavinë dhe Serbinë ! Deputetët janë të hutuar sepse në të shumtën e rasteve kurrë nuk kanë votuar si të pavarur por vetëm kanë qenë mekanizëm automatik për votim ! 

A duhet t’u besohet atyre deputetëve që janë shndërruar në yje mediatike duke deklaruar se do të votojnë kundër demarkacionit ? Duhet të jemi të kujdesshëm nëse i kemi parasysh përvojat e mëparshme ! Se me çfarë deputetësh kemi të bëjmë po e ilustroj me disa shembuj . Lista serbe e Beogradit po e shantazhon votën me formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë . Me këtë rast , çdo shtet normal do të ndërmerrte veprime ligjore kundër këtij shantazhi sepse veprimet politike nuk vlejnë asgjë.

Disa deputete të partisë më të madhe në pushtet kanë deklaruar se votën e tyre do t’ia besojnë grupit parlamentar ndonëse votimi është individual dhe deputete janë zgjedhur me vota individuale e jo si grup parlamentar. Sikur të jenë kërcënuar nga partia prandaj po struken në gjirin e partisë ! Përfaqësuesi i komunitetit kinez në kuvendin e Kosovës ndryshe anëtar i LDK-së , Nur e din Ibi Shi i ka thënë fjalët më të “ zgjedhura “ për komisionin shtetëror dhe demarkacionin në kontekstin më negativ të mundshëm por .., por .., shihe ti , për interesa të shtetit do ta votojë ratifikimin !!! Po të fliste në gjuhën kineze , për shkak të mosnjohjes së kësaj gjuhe ndoshta do ta kaloja ate çka e tha Ibi Shi , mirëpo , ta thuash shqip e mos të reagosh atëherë do ta vëje veten në pozitën e një injoranti të çmendur ! Shumë deputetë që i kanë vënë topet në tavolinë për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes , me ta parë xherrahun që nuk flet shqip , ndryshe mik i Hashimit , do t’i fusë brenda ose do të mbetet pa to !

 Mendoj se në rastin konkret është shumë më mirë të mbetet pa to se sa t’i bartë për së rëndi , si tepricë fiziologjike e që nënkupton se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet , pa sqarime plotësuese dhe pa një konsensus të përgjitshëm . Miqtë ndërkombëtarë të Hashimit janë pragmatikë në veprim dhe vendimmarrje , asgjë nuk iu pengon që në emër të largimit të Malit të Zi nga ndikimi i Rusisë , t’i japin toka të Kosovës ! A mos do të ishte hera e parë dhe mbase jo edhe e fundit që tokat shqiptare t’i “ privatizojnë “ në dobi të shteteve fqinje,  joshqiptare ?! Në fund të fundit , a mos bëhet kijameti nëse ky proces shtyehet për 2-3 muaj dhe në ndërkohë të bëhen përpjekje për arritje të një konsensusi ! Pastaj , po flas si një injorant i përcaktimit të vijave kufitare , nëse komisioni shtetëror i Kosovës është i sigurt se e ka bërë punën mirë dhe nëse Mali i Zi gjithashtu është i sigurt se çdo gjë është në rregull rreth shënimit të vijës kufitare , atëherë vet do të kërkonin të takohen , deri në sqarimin e moskuptimeve të mundshme ! Kështu , me vet faktin se po fshihen prapa politikës , na bëjnë të dyshojmë se diçka po krimbet në këtë marrëveshje ! Nëse , sipas Malit të Zi çdo gjë është në rregull , pse atëherë e kundërshtojnë arbitrazhin ndërkombëtar duke deklaruar se për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar . Prandaj , në këto rrethana , ratifikimi i marrëveshjes nuk duhet të votohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht ! Jo pse këtë e kërkojnë Ramushi , Fatmiri , Visari por se ende ka shumë mjegull mbi këto territore !

Goditje e rëndë për Demarkarcionin : Të gjithë së bashku , opozitë , shoqëri civile , individë me ndikim , medie dhe ekipi i ekspertëve të pavarur nuk e kanë luftuar dhe sfiduar demarkarcionin sa e ka bërë Diellza e cila, e vetme dhe e armatosur vetëm me asetet e saja hyri në tokat e Kosovës, tash të okupuar nga Mali i Zi duke e kundërshtuar këtë proces . Nuk ka hajgare , me zanat e malit ! Ja ku jam !

Çka të bëhet pas ditës D : Policia e Malit të Zi u vendos te kufiri i Muratit . Ajo nuk lejoi që rugovasit të shkojnë më tutje duke iu thënë se :” ovde je Crna Gora – këtu është Mali i Zi “. Ata, marrëveshjen e ratifikuar njëanshëm e morën si kufi zyrtar midis dy shteteve deri sa ne ia nxjerrim sytë njëri - tjetrit  , sikur Korbi i Edgar Allan Posë .  Në rast të mosratifikimit të marrëveshjes pozita do i adresojë të gjitha dështimet te opozita sikur që opozita do vë vulën pozitës ( atyre që votojnë për ratifikim të marrëveshjes ) për tradhëti kombëtare dhe shitje të territorit të Kosovës. Nuk e besoj se do të ketë përshkallëzim aq të madh të situatës që ajo të mos mund të menaxhohet  apo mbahet nën kontrollë ! Koalicioni do të shpërbëhej po të kishte kushte që të lidhnin koalicione parazgjedhore dhe paszgjedhore pa ndikuar ndërkombëtarët . Ishim dëshmitarë që ndërkombëtarët nuk e lejuan VLAN-in të vinte në pushtet sikur që nuk do të lejonin një koalicion midis PDK , AAK dhe Nismës .

 Tutje , ndërkombëtarët nuk do të lejonin një opozitë të fuqishme me LDK dhe LV kështu që , subjektet politike që tani duhet t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm sepse , në këtë rast , rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë përcaktues edhe për zgjedhjet e përgjithshme . Kosova do të kalojë nëpër disa procese që nuk do të jenë aspak të lehta prandaj , edhe për një kohë “ miqve “ të Hashimit do t’u duhej koalicioni i madh. Gjykata Speciale do të shndërrohet në elektorat  për një a dy subjekte politike kurse do t’i cungojë disa subjekte tjera por jo në atë masë që dikush e pret . Po ta kalojmë së pari një ( 1 ) shtatorin e pastaj flasim për dy shtator ! Megjithatë , jam i sigurt se , ndonëse me vonesë , edhe në Kosovë do të fillojë dekriminalizimi i shoqërisë !

Kujtim Shala u lirua nga posti i zkryemistrit . A është ky fillim i riformatimit të qeverisë apo ndërlidhet me votimin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion , ende nuk e kam të qartë !

Një mik imi që është jashtëzakonisht i informuar më tregoi se kufijtë na janë caktuar dhe rrobat na janë prerë me Marrëveshjen e Kumanovës ku shqiptarët nuk kanë pasur qasje si palë e barabartë mirëpo , ai më siguroi se materialet që i kanë paraprirë kësaj marrëveshjeje i janë dorëzuar në Bon të Gjermanisë , Hashim Thaçit , Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes me të drejtë t’i japin komentet e tyre . Gjithnjë sipas këtij burimi , Trojka nga Kosova nuk i ka lexuar fare këto dokumente prandaj nuk ka pasur fare komente apo kundërshtime. Është kjo në natyrën tonë, nëse është e vërtetë informata e mikut tim!


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)