28 Mars 2024

Duhet hapur debat korrekt e pa tendenca për arsimin në Kosovë

Shkruar nga Rrahman Jasharaj

Të hapim  debat korrekt, të kulturuar e pa tendenca dhe bashkërisht të shohim ngecjet. Mësimdhënësi, i testuar a i pa testuar, vetëm nuk mund të ndryshojë gjendjen drejt cilësisë më të lartë.

Duhet të përfshihemi e të angazhohemi të gjithë. Duhet angazhim i Ministrisë, DKA-ve, prindërve , inspektorëve të arsimit dhe më kryesorja duhet ta largojmë përfundimisht dhe plotësisht politikën nga shkollat.

Pas deklaratës së Ministrit Bajrami se në tetorin e këtij viti të gjithë mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar do t’i nënshtrohen një testimit me shkrim dhe pas qëndrimit të argumentuar të SBASHK-ut  kundër këtij eksperimenti është e natyrshme që të hapet një debat korrekt e pa tendenca për arsimin në Kosovë.

SBASHK-u është i gatshëm të marr pjesë në këtë debat , qoftë në ndonjë Konferencë, qoftë në emisionet tematike e të debatit në TV-të tona të respektuara.

Mirë është  të debatohet për gjendjen në arsim. Mirë është edhe të jepen ide se si ta shtojmë  cilësinë në arsimin tonë, por nuk është e natyrës intelektuale të flitet bazuar në inatin ndaj një mësimdhënësi  dhe të thuhet se cilësia në arsimin tonë është shumë e dobët.

SBASHK-u ka pasur fatin të jetë i ftuar në shumë takime në shtetet e Ballkanit, të Evropës e madje edhe në Kanada. Kudo është bashkëbiseduar për çështje sindikale, por edhe për situatën aktuale në arsimin e vendeve pjesëmarrëse.

Arsimi në Kosovë nuk është më i dobët nga cilësia krahasuar me vendet tjera në Ballkan. Mirëpo  këtë arsimin tonë e dallon dhe e fisnikëron e kaluara historike dhe qëndresa e përkushtimi, pikërisht i këtyre mësimdhënësve që dikush me teste po mundohet t’i degradojë. 

Këta mësimdhënësit tonë duke sakrifikuar jetën punuan në vitet e 90-ta për ta mbajtur gjallë shpresën për të ardhmen dhe janë nga më të merituarit për shtetësinë e Kosovës.

As kërcënimi i pushuesit  me dhunë e armë nuk i largoi këtë njerëz të mirë nga misioni i tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave në ato kushte okupimi.

Për këtë ata kanë marrë përkrahje  e mirënjohje edhe nga Internacionalja Botërore e Arsimit dhe nga kolegët anëtarë të sindikatave simotra nga e Ballkani , Evropa e bota.

Këtë njerëz bashkë me koleget që iu shtuan lumit të mësimdhënësve të Kosovës në këto vitet e pasluftës janë  të gatshëm të angazhohen edhe më shumë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë  në arsim, por jo përmes eksperimenteve të radhës e në bazë të  tekave të individëve.

Ata që u plasi shpirti për testin në debate publike duhet të thonë e të tregojnë çka pas testit? Ata me siguri do të përgjigjen do të shohim dobësitë dhe do të rinisim me trajnime.

A pak trajnime ka pasur në vitet e pasluftës te ne a? Ka pasur trajnime e trajnime dhe  jo pak prej tyre, nuk janë mbajtur në shërbim të dijeve të reja e as në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim, por janë organizuar për qejfin dhe tekat e dikujt.

Të hapim  debat korrekt , të kulturuar e pa tendenca dhe bashkërisht të shohim ngecjet. Mësimdhënësi , i testuar a i pa testuar, vetëm nuk mund të ndryshojë gjendjen drejt cilësisë më të lartë.

Duhet të përfshihemi e të angazhohemi të gjithë. Duhet angazhim i Ministrisë, DKA-ve, prindërve , inspektorëve të arsimit dhe më kryesorja duhet ta largojmë përfundimisht dhe plotësisht politikën nga shkollat.

Unë si kryetar i SBASHK-ut në emër të gjithë mësimdhënësve  të Kosovës e përmes këtij shkrimi po pranojë pjesëmarrjen në debate korrekte e të kulturuara  me qëllim që bashkërisht të kontribuojmë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim dhe për këtë nuk kemi nevojë për  eksperimente  e teste degraduese e ofenduese me shkrim për mësimdhënësit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)