26 Prill 2024

Diaspora e pavlerësuar , diaspora e injoruar dhe diaspora e diskriminuar !

Behxhet Sh. SHALA  - BAJGORA

I mirë je vetëm kur ke lekë: Shqiptarët janë të njohur si shtegtarë të zorit sepse lëvizin jashtë vendit vetëm kur detyrohen. Së paku kështu ka ndodhur më parë kurse tani gjërat kanë ndryshuar ; ka edhe të tillë që lëvizin si turistë , për qejf pra !.

Fillimisht janë shquar për punën që e kanë bërë dhe kryesisht i kanë bërë punët më të rënda të cilat i kanë refuzuar të tjerët. Kursimet e tyre nuk i kanë përdorur për mirëqenien e tyre por për t’u ndihmuar familjeve të tyre që kanë jetuar në kushte skajshmërisht të rënda .

Kontributi i  i diasporës ka ndikuar në ngritjen e cilësisë së të jetuarit për familjarët e tyre , shkollimin e tyre sikur edhe emancipimin njerëzor , kombëtar dhe kulturor . Shqiptarët janë identifikuar si punëtorë të zellshëm , kursimtarë si dhe për ndershmërinë e tyre shkaku se çdo gjë e kanë arritur me djersën e tyre dhe me mundin e tyre .

Veprimtaria politike dhe kombëtare sikur edhe lufta e fundit nuk do të bëhej pa ndihmën e pakursyer të diasporës të cilët lanë “ asht dhe rrasht “ në luftën për çlirim , liri dhe mbijetesë sikur edhe pas përfundimit të luftës kur kontribuan në rindërtimin e vendit  fizik ; kombëtar , shpirtëror , politik dhe afirmativ ! Po ne si u sollëm me diasporën pas përfundimit të luftës ?! U sollëm keq , mosmirënjohës, shpërfillës dhe në mënyrë abusive ndonëse edhe sot diaspora , përmes dërgesave apo gjatë pushimeve sjellë në Kosovë mbi 500 milionë euro në vit ! Sidomos politikanët kosovarë janë sjellur keq me diasporën duke mos u dhënë hapësirë të mjaftueshme  përfaqësimit të diasporës në institucionet e vendit.  Politikanët e Kosovës , ndonëse një pjesë e tyre ishin vet pjesë e diasporës  , pasi u rehatuan në pushtet duke u bërë më shtet se vet shteti , e harruan të kaluarën e tyre dhe tash skajshmërisht e injorojnë  diasporën. Sillen sipas rregullit : “ e kalova lumin , ta q… kalin ..”.

Nuk e besoj se ka ndonjë vend në botë që është aq jomirënjohëse ndaj një diaspore që na ka mbajtur gjallë në kohët më të vështira , se që sillemi ne sot! Në dhjetor të vitit 1998 , së bashku me Ismet Bërdynën  kemi shkuar zyrtarisht në Nju Jork dhe të vetmën përkrahje nga qeveria e atëhershme ishte se i paguan dy bileta kthyese ndërsa shpenzimet gjatë qëndrimit aty i hoqën familjarët e mi ( Afrimi dhe Sofa ) sikur edhe familjarët e Ismetit që nuk kursyen asgjë për të na ndihmuar duke e llogaritur këtë , jo si kontribut familjar por si kontribut kombëtar ! Atëherë pata vërejtur një dukuri se politikanë grykës dhe të papërgjegjshëm nga Kosova vinin  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke keqpërdorur situatën dhe gjendjen shpirtërore të mërgimtarëve tanë , mbanin fjalime “ patriotike “ folklorike dhe ktheheshin prapa me dhjetra apo qindra mijëra dollarë ! Mërgimtarët tanë hynin në borxhe dhe kredi , për ta ndihmuar luftën kurse një numër jo i vogël i tyre e lanë komoditetin e krijuar me punë sikur edhe punën për t’iu bashkuar luftës dhe një numër i mad hi tyre përfunduan si raste sociale. Një numër i vogël u lidhën me politikën duke u pasuruar shumë përmes procesit të kriminalizuar të privatizimit dhe tenderëve të kurdisur ! Diasporës i kemi shumë borxh dhe kemi bërë shumë faje në raport me ta, kontributin e tyre , angazhimin e tyre sikur edhe sakrificën e tyre , personale dhe familjare !

Edhe sot diaspora shqiptare kontribuon më shumë në planin sensibilizues , afirmativ , informativ dhe material për Kosovën ,  se që kontribuojnë shumica e llumpen politikanëve  kosovarë, të cilët , për Kosovën më nuk po derdhin as lot krokodili ! Për informim të drejtë rreth trajtimit dhe rolit të diasporës në zhvillimin e vendit  , mund dhe duhet t’i marrim përvojat e shteteve përreth , Sllovenisë, Kroacisë , Serbisë dhe Maqedonisë të cilat në postet më të larta udhëheqëse i kanë zgjedhur mërgimtarë të tyre që janë shquar me profesionalizëm dhe suksese në vendet ku jetojnë ! Te ne kjo nuk ndodhë prandaj edhe jemi ku jemi sepse profesionalizmin e kemi zëvendësuar me injorancë sikur që edhe ndershmërinë e kemi zëvendësuar me poshtërsi !

Arif Ejupi dhe sakrifica e tij për asgjë dhe askend : Arif Ejupi ishte një aktivist  politik dhe kombëtar në Besianë , që nga orët e para kur filluan organizimet politike në Kosovë. Ishte dhe mbeti një aktivist  shembullor i KMDLNj –së për të cilin angazhohet edhe sot , si mërgimtar në Gjenevë ku ka fituar lejeqëndrimin dhe jeton me familje. Policia e Serbisë , për shkak të aktivitetit të tij e pati rrahur për vdekje dhe vetëm fati e shpëtoi nga më e keqja por mbeti me pasoja të përjetshme të dëmtimit të shëndetit ! Edhe sot i ka ato pasoja dhe mjekësia jashtëzakonisht profesionale zvicerane nuk arriti ta shërojë plotësisht sepse policia serbe dhe shteti serb ia dëmtoi shëndetin në mënyrë të pariparueshme . Para luftës , të gjitha informatat e KMDLNj-së i shpërndante  nga banesa ku jetonte në kushte jo të mira , në të gjitha adresat e mundshme duke e informuar dhe sensibilizuar opinionin për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe të vërtetën për Kosovën ! Asgjë nuk ka kursyer për Kosovën dhe KMDLNj-në !

Para lufte , në Gjenevë mbaheshin punimet e Komisionit dhe Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuar ku përfaqësues të KMDLNJ-së merrnin pjesë rregullisht dhe duhej të qëndrohej atje afërsisht tre muaj . Materialet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë përgatiteshin në zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë e pastaj , përfaqësues të Këshillit i prezantonin ato gjatë punës së Komisioneve dhe Nënkomisioneve për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë . Ishte ky kontribut i jakshtëzakonshim i aktivistëve  të Këshillit që punonin në kushte shumë të rënda dhe shumë të rrezikshme në terren sikur edhe  stafit të zyrës qendrore në Prishtinë , ekipit të avokatëve  si dhe kryetarëve : Adem Demaçi , fitues i Çmimit Saharov dhe Akademik Pajazit Nushi ! Fillimisht në Gjenevë shkonte ekipi i njëjtë që në një mënyrë ishte i parapaguar që çdo vit të qëndronte në Gjenevë tre ( 3 ) muaj. Që nga viti 1996 , kur u zgjodha sekretar i KMDLNj-së e ndryshova këtë praktikë diskriminuese duke krijuar hapësirë për të rinjtë

Në Gjenevë shkuan Ibrahim Makolli, ish ministër i Diasporës, Mimoza Ahmetaj , tash ambasadore dhe të tjerë që denjësisht e përfaqësuan KMDLNj-në dhe Kosovën !   Po ç’hynë në këto punë Arif Ejupi ?  Arif Ejupi , ndonëse nuk kishte kushte të mira materiale e as gjendje të mirë shëndetësore , së bashku me të shoqen përkujdesej që gjatë qëndrimit të delegacionit të Kosovës në Gjenevë , t’i akomodojë në banesën e tij duke ua krijuar të gjitha kushtet , të cilat nuk i kishte as për familjen e vet ! Për tre muaj , Arif Ejupi , së bashku me të shoqën Xhevën ishin argatë të delegacionit , që nga pritja në aeroport , shoqërimit deri te salla e mbledhjeve e deri te shfrytëzimi i kohës së lirë ! Të gjitha shpenzimet e qëndrimit , fjetja , ushqimi , transporti dhe shpenximet tjera i mbulonte Arifi , duke hyrë edhe në borxhe ! Pak anëtarë të KMDLNj-së  , që shkonin për vite të tëra në Gjenevë , nuk u vendosën te familja e Arif Ejupit .

Mirëpo , shumë pak anëtarë që qëndruan vite të tëra nga tre muaj në familjen e Arif Ejupit shprehën mirënjohje për këtë bujari të skajshme të familjes Ejupi në Gjenevë. Realisht , një pjesë e fajit në mos faji kryesor për këtë më takon mua sepse , duke mos e ditur gjendjen e vërtetë materiale të Arifit , ia dërgoja çdo vit Arifit nga dy përfaqësues të Këshillit që qëndronin atje tre muaj sepse Arifi fjalën time nuk e kundërshtonte edhe kur nuk kisha të drejtë ! Idealizmi kronik i Arifit , zemra dhe shpirti i tij i butë , nuk mund të vepronin ndryshe prandaj këtë nuk e konsideronte sakrificë por detyrim njerëzor , kombëtar dhe moral ndaj kombit dhe atdheut ! Po ç’bëri shteti dhe ata që qëndruan te Arifi për ta shpaguar së paku moralisht sepse Arifi kurrë nuk ka kërkuar dhe  nuk do të pranonte kompensim material për angazhimin e tij thellësisht idealist ?! Asgjë , hiç! Kur u formua Ministria e Diasporës pata menduar se do të kujtoheshin që , më në fund të vlerësohej angazhimi dhe sakrifica e Arif Ejupit she shumë mërgimtarëve të tjerë duke i angazhuar aktivisht në zgjidhje të problemeve të diasporës. Jo që nuk e bënë këtë por as që denjuan t’ua ndajnë nga një falenderim apo mirënjohje për punën që e bënë pa të cilën nuk do t’i gëzonin as këto privilegje të shumta që i kanë gëzuar dhe i gëzojnë sot ! Kjo ishte pikërisht ajo :” e kalova lumin . ta q…kalin..”!  Kjo është ( pa  ) fytyra jonë e vërtetë !

Në këtë shkrim të shkurtër bëra përpjekje që të trajtoj kontributin e diasporës , qoftë në mënyrë kolektive,  qoftë individuale përmes Arif Ejupit  e që çdo mërgimtar , në kohët më të vështira për ne dhe Kosovën , ka qenë Arif Ejup sikur edhe për mosmirënjohjen tonë dhe shpërfilljen , deri në injorim të kësaj diaspore jashtëzakonisht sakrifikuese ! Lavdia dhe nderi i takon diasporës kurse turpi ( jemi mësuar me te dhe po bashkëjetojmë me te sikur të ishte virtyt ) , na takon neve !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)