24 Prill 2024

Amerikanët e Arbërisë të zbresin në “Hasan Prishtina”

Berat Armagedoni

Fajtorin, për mosfunksionimin e Bibliotekës Qendrore Universitare, për objektin e së cilës Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Qeverisë së Kosovës ka dhënë miliona euro, kurse amerikanët për trajnimin e stafit të saj mijëra dollarë (mbi 300 000 mijë), duhet ta gjejnë amerikanët e Arbërisë.

Edhe problemin, po për mosfunksionimin e saj, mund ta zgjedhin amerikanët në Arbëri, pa zbritur në Sheshin “Hasan Prishtina”. E nëse veç vendosin të zbresin amerikanët në shesh, duhet ta kapin për veshi rektorin e UP-së, Marjan Demën, njëkohësisht edhe ministrin e MAShT-it, Arsim Bajramin. Këtyre të dyve u mjafton vetëm një hakërrimë e fortë e amerikanëve që “Hasan Prishtinën” ta bëjnë me bibliotekë të veten

Është nisur mbarë dhe me qëllim të mirë, por ka shkuar mbrapsht ndarja e Bibliotekës Universitare nga ajo Kombëtare. Projekti i amerikanëve, për hapjen e Bibliotekës Qendrore Universitare (BQU), ka qenë i kushtueshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për institucionet e Kosovës, por është neglizhuar jashtëzakonisht shumë nga këto të fundit, fillimisht nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, pastaj edhe nga ish-rektorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, edhe tash nga rektori Marjan Dema, i cili, prej që ka marrë detyrën e rektorit të UP-së, nuk ka qenë në gjendje ta bëjë një zgjedhje për BQU-në: as ta përshpejtojë rishpalljen e konkursit për drejtor të saj e as për punonjës shtesë të saj. Madje Marjani, edhe më pak se Ramadani dhe Gashi, të cilët, së paku, e patën bërë BQU-në me Këshill Drejtues, nuk është interesuar as më për vajtjen mbarë, as për keqvajtjen e punëve të këtij institucioni mjaft të domosdoshëm për studentët e UP-së, i cili është, por nuk është në shërbim të tyre.

Të kujtojmë me këtë rast se anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, që kishte emëruar atëkohë ish-rektori Ibrahim Gashi, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli pasi kanë vlerësuar se Rektorati ka qenë neglizhent edhe për shpalljen e konkursit për drejtor, edhe për shpalljen e konkursit për punonjës, edhe për kujdesin ndaj objektit të BQU-së, i cili, ende pa u bërë pranimdorëzimi i tij nga firma kontraktuese tek autoriteti kontraktues (MAShT-i), nisi të shkatërrohej nga të reshurat e shiut e ta shkatërrojë uji fondin e librave universitarë pasi, sa vërshonte uji nga çatia, po aq hynte brenda edhe nga dyert e saj. Prandaj, sot BQU-ja, edhe punonjësit e saj, s’kanë rehati aty, përpos plogështi për shkak të ajrit të rëndë brenda objektit. Arsyet janë të ndryshme, por disa prej tyre janë këto: prej njëzet punonjësve që fillimisht janë transferuar nga Biblioteka Kombëtare (BK) në BQU, sot e vazhdojnë punën në të vetëm 17 punonjës, shumica prej të cilëve kanë dalë pa dëshirën e tyre atje. Ata që kanë bërë ankesë me kohë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës janë kthyer prapë në BK, sepse kanë dalë pa pëlqim të tyre dhe u është dhënë drejt, kurse të tjerët që kanë bërë ankesë pas afatit të ankesave të parapara me ligj, kanë mbetur në BQU duke pritur ditë më të mira, me shpresë se, si dy kolege të tyre, edhe ato do të mund të kthehen herët a vonë në Bibliotekë Kombëtare. Dmth., projekti i amerikanëve ka nisur të dështojë që në fillim: së pari me transferimin e vetëm një punonjëse nga BK-ja në BQU që është trajnuar në Amerikë për këtë tip biblioteke universitare, së dyti me pakënaqësitë e shumta të transferimit të punonjësve të saj nga BK-ja në BQU, të cilët nuk janë trajnuar asnjë ditë për BQU.

Sot, kur BQU-së i janë mbledhur të metat varg, nuk është me rëndësi data e idesë së ndarjes së Universitares nga Kombëtarja, as e kujt ishte për ndarje të saj, as data e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për ndarje të saj nënshkruar në gjysmën e prillit të 2013-s, në edicionin e njëmbëdhjetë të “Javës së bibliotekës” në Kosovë nga ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, nga ish-ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Ramë Buja, nga ish-rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, nga ish-drejtori i BKUK-së, Sali Bashota, as nga ish-zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu. Të gjithë këta “isha” e kanë nënshkruar këtë memorandum për ndarje të këtyre dy bibliotekave ashtu sikurse e kanë paraparë amerikanët ndarjen e bibliotekave, konkretisht eksperti i saj i fushës së bibliotekarisë, Kenneth J. Oberembt, i cili e ka hartuar “Planin strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare”. Këtë libër, projekt të jashtëzakonshëm për këto dy biblioteka, ai e ka shkruar në gjuhën angleze, kurse i është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe serbe. Libri i është botuar nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në të tria këto gjuhë në vitin 2004.

Po të kihet parasysh viti i botimit të këtij libri, del se ideja për ndarje të këtyre dy bibliotekave ka qenë më e hershme sesa kur është publikuar libri. Ndërkaq, po të shihet zhvillimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë paralelisht me “Planin strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare” të Oberembtit, shohim se kontributin më të madh për bibliotekat e Kosovës dhe zhvillimin e tyre e kanë dhënë amerikanët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëkohë Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, edhe sot Ambasada Amerikane në Kosovë. Pra, janë amerikanët ata që përvojën e punës në bibliotekat e Amerikës kanë dashur dhe e kanë sjellë në Kosovë qoftë me staf profesional, qoftë me mbështetje materiale për projekte të ndryshme të BKUK-së për aftësim të stafit të saj në Amerikë. Por, fatkeqësisht, kjo përpjekje e amerikanëve, me rastin e ndarjes së këtyre dy bibliotekave, ka shkuar dhe është duke shkuar keq dhe kot. Sot askush nuk e ndien veten përgjegjës e askush të turpëruar për moszbatimin e planit të amerikanëve, ashtu siç askush s’duket se është i gatshëm t’i shkojë për vijë projektit të tyre. S’ka si të mendojë njeriu tjetër, përpos ta shohë këtë si mund të kotë të amerikanëve për shqiptarët, si derdhje e parasë së tyre për ahengje e qejfe të shqiptarëve në Amerikë.

E keqja tjetër është se, pse nuk reaguan deri sot amerikanët për këtë projekt të mosrealizueshëm? Për të gjitha ato para të dhëna për aftësim të punonjësve? Meqë i kanë vëzhguar punët e këtyre dy bibliotekave dhe i kanë përkrahur që 16 vjet, është dashur kaherë t’i shtrëngojnë institucionet e Kosovës për realizimin e planit të vet, veçanërisht rektorin e tashëm të UP-së, Marjan Demën, por edhe ministrin e Arsimit, Arsim Bajramin, të cilëve u bie ndërmend që ka BQU vetëm kur përmendet në medie emri i saj, problemet e saj, punonjësit e saj e plani i nëpërkëmbur nga, po edhe këta të dy.

Po çfarë parashihte eksperti amerikan, Oberembti?

Ish-drejtori i përkohshëm i BKUK-së, dr. Kenneth J. Oberembt, në “Planin strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare” parashihte: ndarjen e Bibliotekës Universitare nga Kombëtarja, modifikimin e misionit të bibliotekës, të ekzemplarit të detyrueshëm, të koleksioneve të veçanta, të menaxhimit të dokumenteve të ndryshme të bibliotekës, të koleksioneve të saj në përgjithësi; propozonte iniciativa të reja për mbledhjen dhe ruajtjen e fondeve, për shërbimet e departamenteve të bibliotekës, për renovimin e objektit të bibliotekës, për ndarjen e hapësirës së brendshme të tyre (edhe të Universitares, edhe të Kombëtares), ristrukturimin e punonjësve dhe të departamenteve të bibliotekave, projektin “Tempus” dhe hapjen e zyrës brenda BK-së me togfjalëshin “Kujtesa e Kosovës”.

Meqë ishte drejtori i parë i përkohshëm i BKUK-së pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai i kishte bërë edhe një vizitë gjithë objektit, duke parë atëkohë: grafitet e shumta në muret e objektit të bibliotekës, objektin e dëmtuar nga masat e dhunshme serbe gjatë kohës së luftës, inventarizimin e brendshëm të dëmtuar jashtëzakonisht shumë, mungesën e mjeteve të punës (kompjuterëve, skanerëve, printerëve; mungesën e një programi të avancuar elektronik për katalogimin dhe klasifikimin e fondeve të saj), koleksionet e saj të pastruara etnikisht (nga serbët) e të pasuruara në mënyrë joadekuate (po nga masat e dhunshme serbe pak vite para luftës, djegien e librave shqip në Fabrikën e Letrës në Lipjan), humbjen e orientimit dhe të misionit të bibliotekës.

Ai kishte shqetësim të madh, prandaj amerikanët i besuan njeriut të vet dhe filluan t’i japin ndihmë BKUK-së. Ndër të tjera, duke e parë këtë bibliotekë të ngarkuar me lexues, të cilët pritnin jashtë objektit të saj rreth dyqind metra në radhë për të marrë një numër të tavolinës për sallë të leximit të saj, Oberembti kishte nisur hartimin e një programi për aftësimin e bibliotekarëve, të financuar atëkohë nga e quajtura Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me qëllim të freskimit të bibliotekarisë në Kosovë me punonjës të ri, transferimi i të cilëve do të bëhej në Bibliotekën Qendrore Universitare (bibliotekë kryesisht për studentët e fakulteteve të UP-së). Zyra e atëhershme e ShBA-së në Kosovë, për aftësimin e stafit të BKUK-së në Amerikë, kishte dhënë 325 000 dollarë, me idenë dhe qëllimin që ata punonjës që shkojnë për trajnim në Amerikë, pas ndarjes së Bibliotekës Qendrore Universitare nga ajo Kombëtare, të kalojnë në BQU.

Ata që kanë shkuar për trajnim në Amerikë për Bibliotekë Qendrore Universitare nuk kanë qenë shumë (krejt nëntë veta), por për trajnimin e tyre janë dhënë gjithë këta dollarë. Prej këtyre nëntë vetave, vetëm katër prej u kanë qëndruar besnikë bibliotekës dhe Zyrës së ShBA-së në Kosovë, kurse pesë të tjerët, shumë pak kohë pas kthimit në Kosovë, e kanë lënë punën në BKUK. Dy prej këtyre të treve, edhe pse ishte paraparë të transferoheshin në BQU, ende janë punonjës në Bibliotekën Kombëtare, kurse vetëm një është në BQU. Dmth., qëllimi i amerikanëve, edhe i memorandumit të mirëkuptimit në mes të institucioneve të Kosovës për transferimin e tyre nga BK-ja në BQU, ka mbetur vetëm në letër, pasi në BQU janë dërguar shumë punonjës që nuk kanë pasur qejf të transferohen nga Kombëtarja, madje jo ata që janë trajnuar në Amerikë për BQU.

Së këndejmi, realizimin e këtij plani të ndarjes së këtyre dy bibliotekave Oberembti dhe amerikanët e kishin paraparë kështu: në gusht-shtator të 2003-s të krijohej komisioni për planifikimin e Bibliotekës Universitare në përbërje prej njëmbëdhjetë anëtarëve; në fillim të shtatorit të pajtoheshin për ndërtesën në të cilën do të vendosej BQU-ja, në të njëjtën kohë të bëhej ndarja e parave për renovimin e ndërtesës dhe përgatitjen e saj për përdorim; në shtator-tetor të bëhej punësimi i shefit ekzekutiv të BQU-së; në tetor përzgjedhja e grupit të parë (6-7) të bibliotekarëve të rinj të BQU-së për aftësim në ShBA; në tetor-dhjetor planifikimi në detaje i planit të ndërtesës së BQU-së, nën udhëheqjen e komisionit për planifikimin e BQ-së dhe të arkitektit; në fund të dhjetorit grupi i parë (6-7) i bibliotekarëve të rinj të BU-së të udhëtojë për në ShBA për t’u aftësuar.

Ndërkaq, për janar-shkurt të 2004-s ishte paraparë: planifikimi në detaje i planit të ndërtesës së BQU-së për gjashtë muajt e ardhshëm; në mars-prill fillimi i renovimit të ndërtesës; në fund të majit fillimi i aftësimit për punë ekipore i grupit të parë (6-7) të bibliotekarëve të BQ-së të kthyer nga ShBA-ja; në qershor përzgjedhja e grupit të dytë (6-7) të bibliotekarëve të rinj të BQU-së për aftësim në ShBA; në fund të gushtit grupi i dytë (6-7) i bibliotekarëve të rinj të BQU-së të udhëtojë në ShBA për t’u aftësuar; në fund të dhjetorit fillimi i aftësimit për punë ekipore i grupit të dytë (6-7) të bibliotekarëve të BQU-së të kthyer nga ShBA-ja.

Kurse për korrik-gusht të 2005-s ishte paraparë të bëhej dorëzimi i bibliotekës në duart e personelit të bibliotekës; në shtator hyrja në BQU dhe periudha e testimit; në tetor (në fillim të semestrit vjeshtor) hapja zyrtare e BQU-së; në fund të tetorit e fillim të nëntorit hapja zyrtare në mënyrë solemne e BQU-së.

Kështu kishin paraparë amerikanët para njëmbëdhjetë vjetësh. Por, jo siç kanë menduar mbarë u kanë shkuar punët, sepse institucionet arsimore, kulturore e shkencore të Kosovës, ata që i kanë udhëhequr këto institucione e i udhëheqin, nuk i kanë qëndruar besnik projektit të tyre (amerikanëve), sikurse ata ish-punonjësit e BQU-së që duket se kishin shkuar në Amerikë për ekskursion, e jo për aftësim e prurje të dijes në vendin e tyre të punës.

Përfundimisht, zhvillimi i bibliotekës në Kosovë menjëherë pas luftës, veçanërisht nga viti 2003, me përkrahjen e jashtëzakonshme të amerikanëve për të, ka filluar mbarë por, proceset ndërkohë, sikurse konkurset për drejtorë të këtyre dy institucioneve, kanë shkuar mbrapsht. BQU-ja sot s’ka as Këshill Drejtues. BQU-ja edhe më tutje vazhdon të mbetet pa drejtor, pa punonjës të tjerë, pa përkrahje nga askush. BQU-ja, edhe pse është bërë, edhe pse ka një numër të madh të fondit të librit universitar, vazhdon të mos u shërbejë studentëve të “Hasan Prishtinës”. Studentët e UP-së, edhe pas njëmbëdhjetë vjetësh prej kur është paraparë të nisë të shërbejë BQU-ja për ta, prapë do të lexojnë në Bibliotekë Kombëtare, në ato të fakulteteve, në bibliotekat e konvikteve e në banesa, duke mos pasur kurrfarë komoditeti për lexim, as për studim. Dhe fajtorin, për mosfunksionimin e Bibliotekës Qendrore Universitare, për objektin e së cilës Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Qeverisë së Kosovës ka dhënë miliona euro, kurse amerikanët për trajnimin e stafit të saj mijëra dollarë (mbi 300 000 mijë), duhet ta gjejnë amerikanët e Arbërisë. Edhe problemin, po për mosfunksionimin e saj, mund ta zgjedhin amerikanët në Arbëri, pa zbritur në Sheshin “Hasan Prishtina”. E nëse veç vendosin të zbresin amerikanët në shesh, duhet ta kapin për veshi rektorin e UP-së, Marjan Demën, njëkohësisht edhe ministrin e MAShT-it, Arsim Bajramin. Këtyre të dyve u mjafton një hakërrimë e fortë e amerikanëve që “Hasan Prishtinën” ta bëjnë me bibliotekë të veten.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)