20 Prill 2024

“Hasan Prishtinën” po na turpërojnë para syve

Berat Armagedoni

Ky artikull, siç dhe kam paralajmëruar, është vazhdim i të mëparshmit, me titull Hasan Prishtinën na e kanë ndyrë, të cilin, nëse nuk e keni lexuar, mund ta lexoni në këtë vegëz: http://ekonomia-ks.com/?page=1%2C9%2C389085

Rektori i tashëm i UP-së, Marjan Dema, gjatë viteve 2006-2009, në kohën kur “baba” Enver (Hasani) ishte rektor, ky ishte prorektor për çështje financiare dhe ushtrues detyre i rektorit për disa muaj, pas mbarimit të mandatit rektor të “babës”. Në këtë kohë kur Marjani i kryente këto detyra, po në atë kohë plasën aferat e keqpërdorimeve financiare në UP, me përkthimin e librave në Shqipëri e të botuara po atje dhe investimet në infrastrukturën e disa fakulteteve bërë shkel e shko. Ndër të tjera, Marjan Dema, sado kohë të gjatë të rrijë në krye të UP-së, do të jetë vegël e partive politike, asnjëherë i pavarur, sepse ai ishte kryetar i PSHDK-së e, pas kalimit të PSHDK-së në PDK, u bë edhe kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2010 e besimin, në gjithë Kosovën, nuk ia dhanë katër mijë veta.
Ç’punë tjetër bëri rektori para se të zgjedhej rektor?
Marjani ishte kryetar i KQZ-së së UP-së. Ishte ai që monitoroi dhe menaxhoi gjithë procesin e fundit zgjedhor, i cili u përsërit në disa fakultete, kurse në shumicën prej tyre u shprehën pakënaqësi për shkak të dallavereve nëpër zyra e lokale për zgjedhje të dekanëve e të anëtarëve të Senatit, aty ku tuboheshin votat për ta e bëhej organizimi për zgjedhjen e tyre. Pra, ishte vetë Marjan Dema ai që i numëroi votat e tyre, që i certifikoi kandidatët e zgjedhur në të gjitha nivelet dhe ata të Këshillit Drejtues, që e menaxhoi garën për rektor, që i numëroi votat, që i shpalli rezultatet, që shpalli pretencën se kandidatët kishin numër të barabartë të votave, që shpalli anulimin e procesit të zgjedhjes së rektorit, që tha se nuk kanë të drejtë aplikimi të njëjtit e, në fund, si kushdo tjetër që mendon mirë për vete, shpalli kandidaturën për rektor dhe, në vend se të bëhet, e bënë rektor po me ndihmën e vet.
Marjanin e bënë rektor të “Hasan Prishtinës” sepse nuk e patën bërë të “Fehmi Aganit”. Dhe sapo e zgjodhën rektor, në një televizion të Kosovës, gjatë intervistimit e shpalosjes së programit të vet para nesh, ka bërë publike disa kritere për zgjedhjen e prorektorëve. Ndër të tjera, këto: “Prorektorët që do të zgjedhen duhet ta njohin shkëlqyeshëm gjuhën angleze”; “do të insistoj 3 me 2, në favor të gjinisë femërore, edhe pse është shumë e vështirë”; “profesorët kandidatë për zëvendës të tij, të mos jenë thellë të përfshirë në politikë dhe ata që kanë qenë pjesë e rektoratit nuk do të jenë në listë, në mënyrë që rasti t’u jepet edhe të tjerëve, sepse universiteti nuk është vetëm i një klase, por është i të gjithë njerëzve”.
Kur i komentojmë këto “kritere” të Marjanit shohim paqëndrueshmërinë dhe mosvendosmërinë e tij. Për shembull, kur ua lëshojmë sytë biografive të prorektorëve në uebfaqe të fakulteteve ku ligjërojnë, shohim se jo të gjithë e njohin gjuhën angleze dhe jo të gjithë e njohin shkëlqyeshëm (me vlerësim me pesëshe) dhe se në krye të UP-së, aty ku udhëheq Marjani, është vetëm një femër e nuk është tri e dyta. Së këndejmi, meqë Marjani na thoshte se kandidatët për prorektorë s’duhet të jenë fort politikë, athu nuk e ka ditur se Afrim Hoti e Myrvete Badivuku ishin kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, kurse Naser Sahiti me kë tjetër është më i afërt se me PDK-në, me liderët e së cilës i bashkon mëngjesi e i ndan terri?! Dhe me marrjen në kabinet të Naser Sahitit, Marjani i ka hëngër “parimet” e veta pasi, po ashtu na thoshte, se në kabinetin e tij nuk do të ketë emra që kanë qenë në të kaluarën në Rektorat. Rektor, që ta dini, Naser Sahiti, kur Ibrahim Gashi ishte rektor, ka qenë prorektor, kurse Afrim Hoti drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë. Prandaj, Marjan, shihni se ç’flet njëfarë Marjan Dema këtu: http://www.shqiptari.eu/rektori-marjan-dema-e-nis-keq-i-shkel-kriteret-me-kemben-e-majte-qe-i-percaktoi-vete-video/ po për zgjedhjen e këtyre që ky Marjani i dytë i ka hedhur poshtë parimet e të parit sa hap e mbyll sytë.
Njerëz të dashur të kombit tim, si mund t’i prijë sot “Hasan Prishtinës”, këtij që dikur na patën vrarë para syve sepse bënte shumë për kombin e popullin tonë, ky njeri joparimor, Marjan Dema? Si mund të vihen në krye të “Hasan Prishtinës” plagjiatorët, anëtarët e sotëm të Këshillit Drejtues të UP-së, të graduarit përpjetë e të shkallëzuarit katër shkallë, kandidatët e dikurshëm për deputet të Kuvendit të Kosovës, ata që s’bënë gjë për të mirën e këtij Universiteti përpos që e ndynë dhe futën pyka politike?

“Hasan Prishtinës” po i shkelen rregulloret

Marjan Dema, siç është sot dhe sa po shihet puna dhe interesimi i tij për UP-në deri më sot, s’është aspak më i mirë se Ramadan Zejnullahu e Ibrahim Gashi që na ishin dikur rektorë. Si menaxher, është më i keq se ta. Është vetëm më bashkëpunues e më lëshuarëspe se dy ish-rektorët me Senatin, Këshillin Drejtues e këshillat e fakulteteve. Është sepse është shumë më i butë se ata, sepse e di se ata që e kanë zgjedhur lehtë mund ta rrëzojnë. Madje Marjani, proceset e ndryshme që patën ngecur në UP në kohën e Zejnullahut e të Gashit, duket se nuk ka ide as t’i zhvillojë, as si t’i zhbëjë. Më shkon mendja se ky rektor s’do të bëhet pengesë për asnjë profesor të UP-së për avancim. S’do të bëhet sepse Marjanit nuk i bëjnë përshtypje publikimet e punimeve shkencore në revista as me ISSN (numër ndërkombëtar të revistës), as me “impact faktor” (me matje të vlerës dhe të numrit rendor për rëndësinë e saj), madje as në revista pa asnjërën nga këto e as në gazeta të përditshme e portale informative që janë të regjistruara në Kosovë e Shqipëri.
Pse?
Sepse Marjani, gjatë gjithë jetës së vet akademike, i ka publikuar në uebfaqen e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore vetëm titujt e shtatë punimeve shkencore: dy prej tyre i ka të botuar në dy revista të huaja, dy të tjerë i ka në bashkautorësi, po në revista të huaja, tre të tjerë i ka të publikuar në Prishtinë, njërin në revistën Kërkime, dy në Buletinin e FSHMN-së. Edhe pse nuk po ia verifikojmë, po i zëmë besë se prej që është magjistruar, më 1984, deri tash i ka publikuar këto punime, në të cilët gjuhën shqipe e ka shkruar shumë keq, aq keq sa edhe në biografinë e tij të shkurtër.
Po ky Marjani, ashtu sikurse rektorët e mëparshëm, asnjë revistë të Universitetit të Prishtinës, të fakulteteve të saj, nuk po është në gjendje ta bëjë me ISSN. Ende fakultetet e UP-së magjistrojnë e doktorojnë kandidatë, punimet e të cilëve nuk i publikon as UP-ja në uebfaqet e akëcilit fakultet të vet, shumica prej atyre (kandidatëve) nuk i publikojnë as vetë në libra të veçantë fizikë ose elektronikë. Punën e tyre, të mirë ose të keqe, ashtu siç e kanë bërë, është dashur që sa kohë ta dëshmojë UP-ja siç e dëshmon punën e të magjistruarve e të doktoruarve Universiteti i Tiranës, i cili punimet e tezave të masterit e të doktoratës i publikon në uebfaqen e vet dhe janë të qasshme për çdo lexues. Këtij gjykimi publik, meqenëse jo deri tash, duhet t’i nënshtrohen edhe punimet e të magjistruarve e të doktoruarve të UP-së. Po të ishte ky kriter i pranishëm në rregulloret e UP-së, pra publikimi i këtyre punimeve në uebfaqe të Universitetit, kandidatët do t’i shmangeshin plagjiaturës dhe do të përpiqeshin të bënin punime sa më të mira, pasi ato i shohin edhe të tjerët. Por, Marjan Dema nuk është i interesuar ta bëjë UP-në më të mirë. Marjan Dema nuk është i interesuar të bëhet shkencë në UP. Marjan Dema është i interesuar që Universiteti që ai udhëheq vetëm të magjistrojë kandidatë pa e bërë publike punën e tyre. Marjan Dema s’është i interesuar që kandidatëve të doktoratës t’ua mundësojë ta kryejnë këtë gradë këtu, në Prishtinë. Marjan Dema s’është i interesuar të dijë se disa fakultete të Universitetit të Prishtinës nuk e respektojnë as Ligjin për Bibliotekat, as Rregulloren për Studime të Masterit e as atë të Doktoratës po të UP-së. Për shembull, punimet e masterit të studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike, shumica prej të cilëve nuk shkruhen as 40 faqe, e që duhet të shkruhen mbi 60 faqe, në të cilin fakultet studentët mund vetëm të masterizojnë, jo edhe të doktorojnë, nuk sillen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës siç sillet çdo kopje e punimit të masterit e të doktoratës të kandidatëve të Fakultetit të Filologjisë, të Filozofisë, të Shkencave Matematiko-Natyrore etj. Dmth., jo të gjitha fakultetet e UP-së i respektojnë rregulloret e tij. Pse duhet të bëjë përjashtim Fakulteti i Arteve prej të gjithë fakulteteve të UP-së, i cili nuk përjashtohet me asnjë vendim, me asnjë rregullore, me asnjë shkresë zyrtare të asnjë rektori? Si mund të mburret me punën e UP-së rektori Marjan Dema, në të cilin kandidatët i masterizojnë, kurse shkojnë të doktorojnë në Tiranë e në Shkup, në kolegje private e universitete shtetërore.
Rektor, para se ta përfundoj këtë vazhdim të dytë të këtij teksti e ta nis të tretin, i kam edhe këto pyetje për ty:
Pse profesorëve të pensionuar, që kanë punuar një jetë të tërë në UP, që kanë dhënë kontribut për ngritjen e kuadrove shkencore dhe që janë ekspertë të njohur të fushave përkatëse, nuk u lejohet të jenë mentorë të kandidatëve për doktoratë dhe, madje, as master? Kështu, sa kam njohuri, nuk ndodh kurrkund në botë. Nuk ndodh as në Tiranë. As në Universitetin e Tiranës, as në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Aty ka profesorë që janë mbi moshën 70-vjeçare e që ende u bëhen mentorë kandidatëve të studimeve të masterit e të doktoratës.
I nderuar rektor, përse nuk respektohen Ligji mbi Arsimin e Lartë i Republikës së Kosovës dhe as Statuti i UP-së që parashohin dhënien e titullit “Professor Emeritus” për profesorët e pensionuar që kanë, sipas Ligjit dhe Statutit në fjalë, “arritje të veçanta akademike dhe shkencore”?
I nderuar rektor, nëse mendoni se UP-ja tash e sa kohë, prej rastit të fundit që ish-rektori Mujë Rugova, në mbledhjen e fundit të Senatit të mandatit të tij e shpalli veten “Professor Emeritus”, nuk ka profesor meritor për këtë titull, UP-së vënia drynin lirisht!
I nderuar rektor, e dini se dosjet e shumë profesorëve qëndrojnë në Rektorat për “Professor Emeritus” e nuk u kthehet përgjigje atyre? Përse s’u përgjigjeni?
I nderuar rektor, përse disa profesorë angazhohen në procesin mësimor edhe pas pensionimit (deri në moshën 70 vjeç; disa, madje, edhe përtej këtij kufiri), kurse disa të tjerë jo?
I nderuar rektor, pse nuk ndiqet i njëjti kriter në të njëjtin institucion (në universitet) e, në disa raste, as në të njëjtin fakultet?
I nderuar ministër i Arsimit, Arsim Bajrami dhe i nderuar rektor i UP-së, Marjan Dema, përse MAShT-i nuk ndërhyn në rastet kur nuk respektohet ky kriter - angazhimi a mosangazhimi i profesorëve nën ose mbi moshën 70 vjeç?
Ministër e rektor, vetë emërimi i UP-së me emrin “Hasan Prishtina” është problematik, sepse cenon vazhdimësinë e tij si institucion dhe u jep të drejtë Papoviqëve të Mitrovicës Veriore ta shpallin vazhdues të Universitetit të Prishtinës institucionin e tyre me këtë emër, që nuk është nën mbikëqyrjen e MAShT-it, sado që pretendohet se në Kosovë ekziston një sistem unik i arsimit.
Ministër e rektor, pse po e dështoni projektin 300 000 dollarësh të amerikanëve, Bibliotekën Qendrore Universitare, për të cilën, meqë ende s’e bëtë me drejtor dhe nuk e hapët për studentët, do t’ju shkruaj herën tjetër.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)