26 Prill 2024

A do të dridhet e përdridhet skena politike në Kosovë

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Donikat politike dhe këshilltarët injorantë: Për momentin njeriu më i sulmuar në skenën politike kosovare është lryeministri i parë dhe i vetmi deri më tani që e ka dhënë LDK, Isa Mustafa kurse partia më e sulmuar është PDK e cila, përveç se po sulmohet nga frontmeni  i Guns and Rosess, Axel Rose e që përkthyer në shqip është Lutfi Haziri, kjo parti po sulmohet edhe më shumë nga ish bashkëthemeluesit, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi që e kanë formuar Nismën për Kosovën.

Mos të flasim këtu për LVV dhe AAK-në, që sikur dragojtë po nxjerrin flakë e zjarrë kundër PDK-së. Duhet të respektohet Lista Srpska e cila, jo që nuk e sulmon PDK-në por po sillet disi në mënyrë dashamirëse ndaj saj.

Vërtetë nuk e kam të qartë pozicionin e Lista Srpska të cilën aspak nuk e dalloj nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit.

Isa Mustafa është i vetmi politikan dhe i vetmi kryeministër i cili, që nga fillimi i mandatit si kryeministër nuk e ka pasur as edhe një ditë të vetme të qetë, si në vendin e punës ashtu edhe në familje!

Përkundër kësaj, qeveria që udhëhiqet nga LDK dhe Isa Mustafa ka vendosur një disiplinë dhe rregull në shrytëzimin e Buxhetit të Kosovës duke promovuar kursimin dhe racionalizimin e shpenzimeve,  gjë që nuk ka qenë më parë!

Nga koha kur VLAN-i + Lista Srpska nuk patën “ fat “ ta marrin edhe Kuvendin, edhe qeverinë në skenë u ashtëzua një armiqësi midis partive politike dhe një luftë e egër për pushtet.

Të dehur dhe uritur pas pushtetit, udhëheqësit e këtij koalicioni nuk e kishin të qartë se ata që vrajnë e kthjellin në Kosovë (unë e them se vetëm vrajnë dhe krijojnë errësirë, pa kthjellur fare) asnjëherë nuk do ta lejonin këtë koalicion sepse ishte koha kur duhej të merreshin vendime të mëdha për Kosovën (kryesisht të dëmshme) andaj u duhej ky Koalicioni i Madh ( PDK, LDK dhe Lista e Sheshelit) për këto “ vendime të mëdha “!

Miu i Madh ( VLAN + LS ) polli miushin VAN i cili, së voni u nda në VV dhe AN ( AAK dhe Nisma )! Më shumë nuk mund të përimësohet më ndonëse LVV po ngushtohet kurse shkaku se i ka ikur truri (Iliri) ndërsa Nisma po mbetet si trung, pa degë.

Edhe AAK, mbeti pa Donikën dhe kjo mund të llogaritet si fundi i botës. Nuk është se doktor Pali i motrave Bushi duhet të shpërfillet; edhe ai sikur Donika ka gjuajtur me vezë dhe bombola gazi lotsjellës sikur që ka kaluar një kohë si i burgosur nga regjimi aktual! 

Se Isa Mustafa nuk ka këshilltarë për së mbari dhe të zotë, e dinë edhe zogjtë e Prapashticës. Mjafton që e ka Bajramin për ta praptuar qerren në mes të rrafshit!

Këshilltari duhet të jetë më i mençur se ai që e këshillon prandaj, në mesin e shumë politikanëve që shquhen për injorancën e tyre nuk habit fakti se numri i këshilltarëve u shtua aq shumë!

Po të kishte Isa Mustafa një këshilltar me shkollë fillore politike të mbaruar, kurrë nuk do ta këshillonte që zonjën Donika Gërvalla ta tërhiqnin zvarrë nga hyrja ku LDK e mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Përkundrazi do ta këshillonin që vet kryetari i LDK –së do të duhej ta shoqëronte zonjën Gërvalla deri te rreshti i parë i karrikeve, ta ulte në krahun e djathtë të vetin dhe, nëse fjalimi i Donikës do të zgjasste 10 minuta, do të duhej të lejonte të flasë 30 minuta qoftë edhe nëse 28 minuta (2 minuta do të shkonin për hyrje dhe përshëndetje) do të fliste kundër Isa Mustafës.

Po të vepronte kështu, Isa do të fitonte politikisht, Donika do të ndahej humbëse dhe mediet do të mbeteshin pa heroinën që u tërhoq zvarrë nga të fortët e LDK-së.

Isa Mustafa e as “ këshilltarët “ e Isës, me në krye Bajramin, zëvendësin e ministrit shovinist Mariq Ljubomir, nuk nxorën mësim nga Kadri Veseli i cili ua shkurtonte fjalën Ademit kurse ia zgjaste fjalimin Albinit, Albulenës, Donikës dhe atyre të opozitës deri sa ua pruri gjendjen që ata të “ vetpërjashtohen “ nga Kuvendi, me ndihmën e Policisë së Kosovës!

Me rastin e Donika Gërrvallës u koritën të gjithë “ burrat “ e LDK-së sikur edhe të gjitha gratë e LDK-së! Pa përjashtim!

Axel Rose ( Lutfi Haziri ) dhe Isa Mustafa:  Aktualisht kryeministri Isa Mustafa më shumë po rrezikohet nga partia që po e udhëheq se nga PDK, LVV, AAK dhe Nisma.

Në LDK është bërë si rregull që ata të prapaskenës ia pinë duhanin prapa shpine udhëheqësit së tyre! Tash, kur askush nuk është përgatitur të shkojë në zgjedhje, as nga pozita e as nga opozita, shumica po angazhohet për zgjedhje të parakohshme.

Kam përshtypjen se për zgjedhje janë më së shumti të interesuar shtresat e pasistemuara të mendermethënë shoqërisë civile që ka vlerësuar se në luftën për pushtet midis pozitës dhe opozitë ata mund të përfitojnë ndonjë post, pa hyrë fare në luftë!

E kjo nuk do të ndodhë sepse këtë vit vështirë se mund të ketë ndryshime dramatike ku pushteti do të dridhet dhe përdridhet! Këta të LDK-së që janë edhe kundër PDK-së, edhe kundër Isa Mustafës po shpresojnë se Gjykata Speciale Raciste do t’ua sigurojë votat për ta marrë pushtetin.

Këta përfitues të Gjykatës Speciale Raciste po thirren në “ filozofinë politike të Rugovës të cilin po e quajnë president historik “  duke e akuzuar Isën si antikrisht – antirugovian. Edhe PDK po e vlerëson rolin historik të Ibrahim Rugovës dhe rezistencës paqësore dhe këtu më janë ngatërruar gjërat!

Madje, po deklarojnë se luftën e kanë fituar në partneritet; rezistenca paqësore dhe UÇK-ë. Kohë të vështira, shumë të vështira!

Disa kryetarë të përjetshëm të degëve dhe komunave që qeverisen nga LDK, e që qeverisin sikur kryetarët e katundeve apo cuba, nuk janë të shquar për besnikëri ndaj liderit. Ata punojnë sipas parimit ; e respektojmë kryetarin nëse nuk na merr hambarin!

Ishin besnikë ndaj Rugovës, përdridheshin midis Sejdiut dhe Dacit duke pritur fituesin për t’u radhitur krah Sejdiut të cilit ia dhanë shqelmin për t’i shkuar pas Mustafës të cilin, në rastin e parë kur t’iu rrezikohen intereset e pashallaqeve të tyre do ta kryqëzojnë më keq se vet Krishtin.

Prandaj Isa Mustafa edhe rrezikohet aq shumë, nga vet lloji i vet!  Axel Haziri gjithmonë përfolet si lider i mundshëm në hije i LDK-së mirëpo gjithmonë mbetet në hije sepse shpejt shkrihet në diell. LDK duhet të reformohet dhe të lirohet nga çifligarët komunalë, me mandate të përjetshëm mirëpo në sipërfaqe nuk e ka një lider karizmatik që do ta zëvendësonte Isën por duket se nuk ka as gatishmëri e as vullnet ndërkombëtar që të ketë tronditje, as në PDK e as në LDK.

PDK nuk ka interes të shkojë në zgjedhje apo të lidhë koalicion me AAK – në dhe Nismën dhe t’i lërë në opozitë LDK dhe LVV sepse kjo opozitë ( LDK + LVV ) do të ishte shumë më e fuqishme se pozita e brishtë e partive të luftës.

As Isa Mustafa e sidomos çifligarët komunalë të LDK-së nuk duan të mbesin në opozitë sepse lehtësisht mund ta kenë fundin e hidhur dhe të mbesin pa imunitet! Prandaj, në gjirin e PDK-së, ndjehen të sigurt ndonëse jo që e bëjnë këtë me dëshirë të madhe!

Po të bëhej Hashim Thaçi, Atifete Jahjagë, PDK do të dobësohej në zgjedhjet eventuale të parakohshme. Kështu, me postin e kryetarit të Kuvendit dhe postin e Presidentit që Hashim Thaçi po e fuqizon pa pasur nevojë të bëjë ndryshime kushtetuese sepse Hashimi po sillet sikur Luigji i Francës ; “ shteti jam unë “ kryetari i pavarur po e fuqizon PDK! Dhe këtu qëndron fuqia e PDK-së, vetëm për momentin dhe sa për t’i fituar zgjedhjet!  

Për këtë arsye, LDK në vend se të bëjë komplote për prerje kokash, më mirë është  të konsolidohet si parti duke u krijuar hapësirë forcave të reja dhe të rinjve, të cilët është përshtypja ime se po sillen sikur oportinistë duke mos guxuar të marrin përgjegjësi ndryshe as elefantët e përjetshëm të LDK-së nuk do të silleshin në mënyrë aq komode!

As Luta nuk besoj se ka guxim dhe kondicion që të marshojë deri në maja të Olimpit të LDK-së ndonëse gjithmonë spekulohet me emrin e tij kur flitet për përmbytjet e mundshme në LDK. Dikush po parashikon se brenda tre muajve të ardhshëm në  LDK-ë  do të ketë tronditje të mëdha dhe ndërrim të lidershipit.

Madje “ optimistët “ parashikojnë se Isa po negocion kushtet e dorëzimit për çka nuk e besoj sikur që nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha gjatë këtij viti kurse në vitin 2017 janë zgjedhjet lokale!

Në anën tjetër tash fillon muaji i Ramazanit, është kampoinati evropian i futbollit, janë pushimet verore dhe mund të ndodhë liberalizimi i vizave e që do të festohet së paku tre muaj.

Më vonë, për të kënaqur epshet sadiste e jo për të ndarë drejtësi sepse nuk ka drejtësi në baza etnike, do të funksionalizohet Gjykata Speciale Raciste dhe kjo do të mashtrojë për një kohë duke thelluar dallimet dhe armiqësitë brenda shqiptarëve dhe kosovarëve.

Po çfarë kuptimi kanë zgjedhjet kur PDK dhe LDK deklarojnë se do të fitojnë nga 30 % e që bëjnë 60%, LVV thotë se i fiton 25-30% kurse AKR në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet me më pak se 20 % të votave. Deri më tani u bënë 105 -110 % e votave të fituara.

Kur kësaj i shtohen 15 % të AAK –së, 10% të Nismës dhe 10 % të Partisë Liberale të Ilir Dedës me zonjën Kusari si nënkryetare dhe 10% vende të garantuara për pakicat rezultati përfundimtar del se janë 145% -150% e që nuk ka ndodhur as në Korenë e Veriut, Kubën e Fidelit e as në Venezuelën e Çavezit!

Përfundimisht mendoj se nuk do të ketë termete, as në LDK e as në PDK sepse zhvillimet ndërkombëtare nuk i favorizojnë këto termete, deri në nevojat tjera!

Ku dallojnë AKP dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Edhe AKP-në sikur edhe GJKK e kanë formuar ndërkombëtarët të cilët shumë kanë përfituar nga këto dy institucione, kanë qenë dhe janë në përbërje të tyre dhe kryesisht marrin vendime në dëm të Kosovës.

AKP i ka shitur pronat shoqërore përmes privatizimit kriminal me dhuma simbolike duke e rritur papunësinë dhe varfërinë dhe duke e forcuar oligarkinë ndërkombëtare dhe vendore kurse Gjykata Kushtetuses e Kosovës i ka falur Manastirit të Deçanit prona shoqërore ndonëse nuk ka competence ekzekutive për vendime gjyqësore.

Ata të kësaj Gjykate hibride vetëm e vlerësojnë kushtetueshmërinë e vendimeve të gjykatave e jot a marrin rolin e Gjykatës që marrin vendime gjyqësore.

Më tregoni një vend në botë ku edhe nëse mbi 93% të populates janë shqiptarë, nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, tre (3) janë ndërkombëtarë, një (1) i pakicës serbe, një (1) i komunitetit turk kurse katër (4) janë shqiptarë të cilët gjithmonë mund të mbivotohen apo të shantazhohen. As në fisin Zulu nuk do të durohej kjo situatë.

Për profesionalizmin në marrjen e vendimeve, përjashtuar rasteve të respektuara,  as që mund të flitete sepse kemi Gjykatë Kushtetuses akademike, pa një ditë pune në gjyqësorë për emrimin e të cilëve ka vendosur politika!

Kjo Gjykatë do të mbahet mend për vlerësimin biseksual rreth Asociacionit ; ka shkelje të shumta të Kushtetutës por mund të vazhdohet me formimin e Asociacionit! 

Dioqeza e Eparkisë së Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe nuk e pranon Kosovën si shtet por e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që padrejtësisht ia falë 27 hektarë pronë shoqërore Manastirit të Deçanit.

Neoshovinisti e që është zëvendës i Isës kërkon që Kishes serbe t’i jepen më shumë toka dhe prona! Nuk e di a i mjafton krejt Kosova këtij pisi politik!

Oliver Ivanoviqi, nga burgu në gjirin familjar kërkon që të formohet Asociacioni  i komunave serbe, me apo pa shqiptarë. A mos po i  pyrt kush shqiptarët në Kosovë a ?

Njëfarë Vujaçiq me identitet binacional material, herë serb e herë crnogorac, kërkon që të ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi ndonëse jeton në kosovë dhe merr pagë të majme për punën që nuk e bënë.

Edhe liberalizimi i vizave po kushtëzohet me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion! T’i pëshurrsha këto viza nëse duhet të apguhet ky çmim të cilin nuk e ka paguar asnjë shtet i ballkanit e as Kolumbia e Pablo Eskobarit!

Shqiptarët po u dashka ta votojnë Demarkacionin dhe Asociacionin kurse serbët nuk po u dashka ta votojnë FAK-un ?! Le të shkojnë në Fuck të së ëmës së bashku me ata që poi  ndërsyjnë kundër kosovës dhe që po i  përkrahin.

Në këto rrethana, kurrë dhe me asnjë çmim nuk do ta votoja Demarkacionin, Asociacionin e as Gjykatën Speciale Raciste!

Deputetë të zgjedhur, me vota reale, me vota të blera dhe të vjedhura dhe 100 dallavere tjera, jeni para një sprove të madhe të përgjegjësië; deputetët e ndershëm nuk do t’i votojnë këto kulçedra shkatërruese për Kosovën pa i bërë përmirësimet e duhura kurse deputetët e pandershëm e kanë mundësinë që. së paku për një çast ta rikthejnë ndershmërinë duke mos e dëmtuar Kosovën !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)