28 Mars 2024

“Hasan Prishtinën” na e kanë ndyrë

Berat Armagedoni

Kushdo që jeni ju, çfarëdo nacionaliteti, besimi, gjinie, orientimi seksual që keni, nëse e lexoni këtë tekst deri në fund, kurdo që të shihemi e njihemi, do të pimë kafe. Nëse kemi kohë, do të hamë dhe një kafjall. Qeras unë.

Por, fillimisht, shihni këtu se si disa njerëz e kanë ndyrë emrin e Hasan Prishtinës, të cilët, po për nder të emrit të tij dhe të personalitetit të tij, është dashur të mos lëshojnë pe edhe për të madhin zor...

Tashmë është e ditur shqiptarisht, se rektori i “Hasan Prishtinës”, Marjan Dema, është zgjedhur rektor duke pasur përkrahjen politike dhe pëlqimin politik të koalicionit PDK - LDK. Ai nuk është “mbjellë” aty, në oborrin e Rektoratit, por është rritur e “vaditur” e i ka shërbyer politikës shumë vjet, veçan PDK-së, për të qenë aty ku është sot, në krye të Rektoratit. E ka rrezikuar e rrënuar edhe “shtëpinë” e vet (PSHDK-në) për PDK-në. Dhe sikurse është Marjani, krah i djathtë i politikës, politika ia ka forcuar krahët atij duke i dërguar pranë tij disa njerëz më të dobët se ai moralisht, shkencërisht, intelektualisht e gjuhësisht. Në këtë kontekst, nëse s’ka qenë deri tash, është koha tash ta shpalosim një biografi të shkurtër të atyre që u bënë sebep që ai të zgjedhet rektor, kurse për rektorin e punën e tij, edhe të ministrit të MAShT-it, do të publikojmë një kolanë shkrimesh në ditët e ardhshme.

Kushdo që mban mend, i kujtohet se anëtari i Këshillit Drejtues (KD-së) të Universitetit të Prishtinës (UP-së), kandidati i 86 i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet të Kuvendit të Kosovës, Beqir Sadikaj, është akuzuar për plagjiaturë, e cila, edhe pse e mohoi vetë, iu vërtetua në vitin 2007, kur me vendim të Senatit dhe të rektorit të atëhershëm, “Enver Babës”, u ndëshkua. Po në vitin 2007 Sadikaj është degraduar nga titulli akademik “profesor i asocuar”, në “profesor asistent” po për shkak të plagjiaturës që i është vërtetuar në librin “Sociologjia juridike” (ligjëratat e autorizuara). Në vendimin që e kishte nënshkruar rektori i atëhershëm i UP-së, “Baba Enver”, shkruhej: “Libri ‘Sociologjia juridike’ (ligjërata të autorizuara) i autorit prof. asc. Beqir Sadikaj, botuar më 2006, nga Fakulteti Juridik i UP-së, është plagjiaturë në kuptim të vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës nr. 112, datë 12 janar 2007, mbi mbrojtjen e pronësisë intelektuale”. Po këtë plagjiator na pati propozuar PDK-ja për deputet të Kuvendit të Kosovës, aty ku merren vendime të mëdha, aty ku hartohen ligje, aty ku miratohen rregullore. Por, Sadikaj i shpëtoi ndëshkimit akademik kur u fut në politikë, kur në zgjedhjet e vitit 2014 kandidoi për deputet të Kuvendit të Kosovës e me 5 395 vota që mori, mbeti jashtë Kuvendit të Republikës, por jo jashtë demokracisë së përbërë të Kosovës. Dhe meqë nuk e fitoi besimin e popullit, mori besimin e politikanëve dhe fjalët e tij, ku duhej e ku s’duhej, kryenin punë. Dhe meqë kishte lidhje politike e ndikim politik, e bëri dhëndrin e vet dekan të Fakultetit Juridik. E ai që u bë dekan, sigurisht nuk e kushtëzoi e as obligoi Sadikajn, i cili është ndër profesorët e rrallë të UP-së që nuk e ka të publikuar biografinë në uebfaqe të fakultetit. Nëse nuk besoni, këtu kërkojeni: http://juridiku.uni-pr.edu/…/Per…/Prof-Dr-Beqir-Sadikaj.aspx. U bindët tashmë se, pos numrave të telefonave të tij, titujve të lëndëve që ligjëron, nuk ka të dhënë tjetër për të.

Pse ndodh kështu?

Sepse, sipas të gjitha gjasave, Beqir Sadikaj nuk ka çfarë të na prezantojë. Së këndejmi, edhe nëse jo shkaku i këtyre, për mosrespektim të Rregullores së Rektoratit të UP-së për publikim të biografisë në uebfaqe të fakultetit, ai nuk do të duhej të ishte në Këshill Drejtues të UP-së, pasi mandati i tij aty është i pavlefshëm. I pavlefshëm sepse Statuti nuk lejon askënd, asnjë anëtar, absolutisht as Beqir Sadikajn, mbi dy mandate anëtar i Këshillit Drejtues. E ai aty e ka mandatin e tretë. Kujtoni se nuk e dinë anëtarët e tjerë të KD-së së UP-së që Sadikaj e ka mandatin e tretë aty?! Kujtoni se ministri i MAShT-it, edhe pa i shkuar një shkresë për marrjen e mandatit të Sadikajt, mund të mos veprojë në këtë rast?! Lihet aty Sadikaj, edhe për mandatin e tretë meqë, po u hoq ai, bie poshtë me të edhe vendimi për zgjedhjen e Marjanit rektor, pasi votimi për të nga Sadikaj do të konsiderohej i pavlefshëm njëjtë si Sadikaj i paligjshëm. Por, kaq këtë herë për Sadikajn e për ato të Sadikajt.

Më kanë thënë se Zeqir Veselaj, anëtari tjetër i Këshillit Drejtues të UP-së, është nga Klina. Sa mirë që një bashkëvendës imi, i cili ndonjëherë mund të më bëjë ndonjë favor, është në krye të “Hasan Prishtinës”, me të cilin dikush mund të mburret, por unë mund të koritem nëse prezantohem i të njëjtit vend me të e nëse nuk pastrohet nga fjalët që janë thënë për të. Mund të koritem sepse, edhe pse jemi me prejardhje nga i njëjti qytet, nuk do të thotë se s’duhet shkruar për Veselajn e mbuluar punën joserioze të tij. Nuk po them unë se punimin e doktoratës e ka shkruar shkel e shko dhe duke kopjuar shumë. Para meje për punimin e tij kanë shkruar e folur shumë të tjerë. E shkrimeve e thënieve të atyre të tjerëve, për kopjime e përshkrime të panevojshme në punimin e doktoraturës së Veselajt, i ka rënë vulë Komisioni Profesional i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, me numër të vendimit 1047, më datë 22.09.2006. Dhe meqë është nga Klina, këtë herë s’do të shkruaj më gjatë për të. Ta shohim reflektimin e tij moral e medial. Por, vazhdimisht, sa herë që më kujtohet emri i tij, më kujtohen edhe këto dy fjali të një vendimi për disertacionin e tij të doktoratës: “Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës’ ka pak rezultate të paraqitura, por edhe mjaft mangësi që nuk mund të tolerohen për arritjen e gradës shkencore për të cilën kandidati pretendon. Punimi përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit, ka shumë përshkrime dhe kopjime të panevojshme dhe kandidati ka marrë pjesë nga autorët si dr. Ferat Rexhepi etj”. Po pra, me këtë punim Veselaj ka doktoruar në Tiranë.

Çfarë të them për Kemajl Bislimin, për anëtarin tjetër simpatik të KD të UP-së që, si anëtar i Kryesisë së PDK-së në Ferizaj, ashtu si Marjan Dema dikur kryetar i PSHDK-së, nuk e kanë asnjëri vendin në UP. Nuk e kanë vendin aty ku e kanë tash, në krye të “Hasan Prishtinës”, sepse i ka “djegur” politika. Ky profesor i UP-së ka mentoruar deri tash punën e mbi 20 kandidatëve të studimeve master, kurse tezën e doktoraturës së vet, të cilin e ka mbrojtur në vitin 2006, s’e ka publikuar ende, as botuar kurrë libër tjetër. Ka marrë pjesë vetëm nëpër konferenca shkencore dhe i ka botuar, pjesën më të madhe të atyre punimeve në bashkautorësi, në revista të Kosovës të quajtura shkencore. Ka mundësi që nuk e di shqipen mirë, sepse biografinë e vet, bërë publike në uebfaqen e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, e ka shkruar në gjuhën angleze!

Fevzi Berisha, anëtari tjetër i KD të UP-së, thuhet, është bërë doktor. Madje ka marrë thirrjen e “profesorit të rregullt” në UP pasi kishte paraqitur në biografi, kur kërkonte avancim në UP, se kishte publikuar një punim shkencor në gjuhën ruse me këtë titull: “O svojstva odnogo obobshçenogo modulja neprerivnosti, primenenogo v teorii priblizhenija”, në revistën “Glasnik Matematicki”, (në vëllimin 25, në pjesën e dytë), që botohet nga Universiteti i Zagrebit. Me këtë punim të rrejshëm është bërë “profesor i rregullt” i UP-së, të cilin nuk di ku ta gjej se ku e ka publikuar, e që thotë vazhdimisht se e ka publikuar diku në Zagreb. Nëse jo në kryeqytetin e Kroacisë, në ndonjë revistë të këtij vendi, në ndonjë kryeqytet të ndonjë shteti inekzistent, mund të jetë publikuar! Mirë që ende, ne që s’jemi profesorë universitarë, nuk kemi ende kontakte me këso kryeqytete! Ky kandidat i dikurshëm (në zgjedhjet e fundit) i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, që ka marrë goxha vota, 6 450, po të na bënte me dije se punimi i tij i publikuar është diku në Kroaci, gjithë këta njerëz që ia kanë dhënë kokrrën, meqë nuk arritën ta dërgojnë në Kuvend, do t’ia kishin bërë këtë favor: do t’ia gjenin atë punim ku është e ku s’është! Vëllimi e pjesa që përmend Berisha i përkasin vitit 1990. Dhe kjo revistë e Universitetit të Zagrebit tashmë është “online” dhe mund të lexohet pa pagesë. Askund aty, në vëllimin e pjesën e revistës që përmend, nuk gjendet punimi i Berishës, as emri i tij si bashkautor për ndonjë punim tjetër. Pretendimet e tij, për atë punim të “publikuar”, i hedhin poshtë faktet. I ka hedhur poshtë edhe kryeredaktori i kësaj reviste, Andrej Dujella: “Jo, në asnjë numër të revistës nuk e kam hasur emrin e tij”.

Alberta Tronin, anëtares së tashme të KD të UP-së, dikur, kur i bëhej padrejtësi në Fakultetin e Arteve Dramatike e në Ministri të Kulturës, e mbroja. E mbroja sepse konsideroja se i bëhej padrejtësi po nga ish-ministri i LDK-së. Meqë nuk e mbronte mashkull tjetër, rrahja gjoks unë për të nëpër gazeta. Dhe, natyrisht, nuk ia prishën tymin e duhanit më. Por, kjo kandidate e LDK-së për deputete të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit, që pati marrë vetëm 937 vota, meqë në Rektorat është me miratim të partisë, LDK-së, duhet t’i shkojë përshtati nënës parti edhe kur duhet, edhe kur s’duhet, edhe t’i dëgjojë shokët e nënës tjetër parti (PDK-së) që i rrinë për karshi.

Ahmet Latifi nuk është në Këshill Drejtues të UP-së vetëm që ka doktoruar në vitin 2007 në moshën 47-vjeçare. Së këndejmi, nuk është kurrfarë problemi e nuk është me vlerë e pa të në çfarë moshe doktorojnë njerëzit, në të hershme, të mesme apo të shtyrë. Ata që doktorojnë, duhet të bëhen doktorë të njëmendtë. Por, ai është në KD të UP-së sepse është vëllai i Blerim Latifit, i ish-këshilltarit të Thaçit, tash këshilltar i Kadri Veselit. Vazhdimisht e pyes veten kur e thërras emrin e tij: Si mund të ketë interesim për profesorët e UP-së e për të vënë rregull në këtë universitet, kur ende, prej që ligjëron në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara në Mitrovicë, nuk e ka bërë publike biografinë e vet. Shihni nëse gjeni diçka këtu për të: http://fshtam.uni-pr.edu/Personeli/Personeli-akademik/Dr--Ahmet-Latifi.aspx. Asgjë.

Alajdin Abazi, ky far pensionisti, ka shumë vjet për të qenë në Këshill Drejtues të UP-së. Ky ish-funksionar komunist, që po i mbush 75 vjet, është nga Shipkovica e Tetovës. Në kohën kur e udhëhiqte UEJ-lin (Universitetin e Evropës Juglindore) njerëzit e tij, të afërt me të, ishin përfshirë në skandale të shumta. Pse i duhet një ish-drejtues komunist UP-së? Dhe, pse ky, Abazi? Kush e solli prej UEJ-lit në UP dhe për çfarë arsye?

Ismet Salihu, anëtari tjetër i KD të UP-së, mentori i punimit të doktoratës të ministrit Arsim Bajrami, pensionist, mbi 73-vjeçar, u delegua në këtë këshill nga Arsim Bajrami sepse këtij të fundit propozimin ia miratoi nëna parti. Ia miratoi propozimin Bajramit sepse Salihu, pos që ishte mentor i punimit të Bajramit, thoshte fjalë të këqija për PDK-në në kohën kur kjo parti në Kuvendin e Kosovës miratonte ligje, votonte e këmbëngulte për themelimin e Gjykatës Speciale. E dini që sa kohë s’e tha më një fjalë të keqe Salihu për këtë parti? Jo më prej që është aty, në KD të UP-së. Jo më prej që aty e delegoi PDK-ja. Intelektualët nuk duhet të heshtin për një pozitë, o Ismet Salihu! Intelektualët s’duhet të heshtin për asgjë, o Ismet! Më mirë të ishe jashtë këtij këshilli e të interesoheshe, edhe për këto vjet që të kanë mbetur jetë, edhe më tutje për vrasjet në Krahinën Socialiste Autonome e për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, edhe ta shprehje publikisht opinionin tënd për të gjitha partitë, pa e kursyer asnjëherë as PDK-në, të cilën s’besoj se e do më shumë se unë.

Hollingeri, po mos të kishte kontakte personale me ministrin e MAShT-it, Arsim Bajramin, kurrë s’do ta kishte fatin të ishte në KD të UP-së, sepse Hollingera ka në shumë shtete edhe më të afërta me Kosovën. Por, meqë e kishte profesor në doktoraturë, ministrit Bajrami i bie ndërmend ta nderojë me emërim në KD të UP-së e t’ia shtojë të ardhurat mujore, edhe pse vjen rrallë në mbledhjet e KD të UP-së që të japë ndonjë ide të vyeshme e të huaj për një universitet shqiptar, ta zëmë, si ata austriakë.

Si ia pret mendja kështu Bajramit, që me këta kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga dy partitë më të mëdha politike, PDK-ja dhe LDK-ja, e me të tjerë tepër të moshuar e me energji të shpenzuar, se mund të zhvillohet proces më i mirë shkencor e akademik në UP kur, më parë se t’ia qajnë hallin vetes, të kujdesen që t’i pinë ilaçet me rregull, s’u bie ndërmend për gjë tjetër anëtarëve të KD-së. Prandaj ministri Arsim Bajrami, i cili kohët e fundit u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, veç pse mbështeti me 70 000 euro nga MAShT-i një projekt të austriakëve, është dashur të dijë se UP-së nuk i ndihmohet me ndryshkë e me figura politike, as me Ismet Salihun, as me Alajdin Abazin, as me Sigurd Hollingerin, as me Ahmet Latifin. Është dashur të dijë, ky njeri i parë i arsimit në Kosovë, se aty ku merret e jepet dija (në universitet) nuk duhen dërguar njerëz që i kanë shërbyer politikës kohë të gjatë, njerëz që, për shkak të vjetërsisë, s’janë në gjendje të debatojnë as orë të shumta për UP-në, as të shkurtra. Kaq mirë ka menduar ky profesor universitar për UP-në, për studentët e këtij universiteti saqë, pa një pa dy, pa e lodhur mendjen fare siç e lodh unë tash me të e për ta, ka nënshkruar vendimet për ta - për të qenë aty ku janë e ku marrin vendime për profesorët e studentët e UP-së. Tekefundit, kush mund të thotë një rezultat të vyeshëm të punës së tyre të deritashëm për UP-në? Çfarë ndryshuan me të pëlqyerin e tyre, rektor Demën?

 

Në vazhdimin tjetër:

Biografi për Marjan Demën: i shkuari, i tashmi dhe i ardhshmi

Çfarë premtoi Dema kur u zgjodh rektor?

Pse i zgjodhi prorektorë ata që thoshte se s’do t’i zgjidhte?

Kush janë prorektorët e Universitetit të Prishtinës?

Kush po e pengon projektin e amerikanëve (Bibliotekën Qendrore Universitare)?

Projektet e kujt po i përkrah MAShT-i?

Sa doktorë, magjistra e mastera ka UP-ja?

Sa prej punimeve të doktoratave, të magjistraturave e të mastereve janë të publikuara?

Pse këto punime nuk i botojnë të diplomuarit e UP-së, profesorët?

Pse në qindra punime të doktoratave, të magjistraturave e të mastereve janë shkelur kriteret e Rregullores së Studimeve Master dhe të Doktoratës?

Çfarë duhet të bëhet me ata profesorë që kanë diplomuar kandidatë të masterit e të doktoratës pa u shkuar përshtati rregulloreve të UP-së?

Pse UP-ja s’e ka asnjë revistë me numër ndërkombëtar?

Çfarë duhet të bëjë UP-ja për ta nxjerrë një revistë të këtillë?

Ku botojnë profesorët e saj dhe pse të tjerët nuk botojnë as në gazeta?

Etj...

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)