19 Prill 2024

Në duart e kujt ka mbetur fati i Ligjit për të punësuarit në arsimin e viteve ’89-’99?

Rrahman Jasharaj

Projektligji për Statutin e të Punësuarve në Arsimin e Republikës së Kosovës në vitet shkollore 1989/1999 ishte punuar me përkushtim nga grupe punuese të MASHT-it e SBASHK-ut që në fillimet e vitit 2015. Ministri Bajrami me kabinetin e tij i kishin dhënë formën finale me gjithë elementet e duhura dhe e kishin dërguar në Qeveri. Ishte vënë edhe në agjendën e planifikimit të Komisionit për Arsim të Parlamentit të Kosovës që të analizohet dhe të shkojë në qershorin e vitit të kaluar para deputetëve por, si shihet, nuk do të shkojë para tyre as në qershorin e vitit 2016.

SBASHK-u vazhdimisht në takimet me ministrin Abrashi dhe me ministrin Bajrami, por edhe në takimin me kryeministrin Mustafa, kishin shtruar çështjen e fatit të këtij projektligji dhe kishin marrë përgjigje se ai do të procedohet në parlament. Kjo nuk u bë, prandaj SBASHK-u pyet institucionet e Republikës së Kosovës se në duart e kujt ka mbetur fati i këtij projektligji?
Ky projektligj me të marrë formën e ligjit do t’i rregullonte çështjet për statutin e të punësuarve në arsim shqip të viteve të ’90-ta dhe do të ishte një mirënjohje për punën e madhe që kishin bërë në ato vite të vështira mësimdhënësit dhe gjithë të angazhuarit e tjerë në mirëvajtjen e arsimit shqip në 10 vjetët e okupimit.

Projektligji është stopuar nga dikush dhe vitet po ikin. Një pjesë e atyre që punuan me përkushtim në ato vite tanimë nuk janë mes të gjallëve dhe shteti i tyre nuk ua njohu as edhe me një mirënjohje gjithë atë punë e sakrificë. Nëse Projektligji i përgatitur nga MASHT-i dhe SBASHK-u ka implikime të papërballueshme buxhetore, atëherë do të duhej që kabineti i kryeministrit Mustafa të ulej me SBASHK-un dhe me një dialog serioz të shihet se sa mund të ketë kompromis. Njerëzve që punuan dhe u sakrifikuan në ato vite dhe që meritojnë titullin “Persona të merituar për shtetësinë e Kosovës” institucionet e Kosovës u duhet dhënë një përgjigje se pse nuk po ecën tutje ky projektligj dhe pse nuk po shkon në Parlament për t’u kthyer në Ligj e për të nisur implementimi i tij. Ky Projektligj duhet të kthehet në Ligj e të mos pritet më shumë.

Njerëzve duhet t’ua njohim meritat sa janë të gjallë e, nëse vazhdon të mbetet i panjohur fati i këtij Ligji edhe për një kohë, atëherë institucioneve do t’u mbetet që mirënjohjet për punën në arsim dhe rreth tij në vitet ’89/’99 njerëzve të përkushtuar të asaj kohe t’ua ndajë nëpër varreza. Për të mos ndodhur krejt kështu, SBASHK-u do të jetë i shtyrë që për ta zbardhur fatin e këtij projektligji të përgatitet edhe për veprime sindikale. Por, nuk është e mirë dhe e denjë për institucionet e Kosovës që ta sjellin punën deri aty. Fjalët e mëdha që i kishin dhe i kanë pushtetarët për punën e mësimdhënësve të atyre viteve duhen kthyer në vepër dhe nuk duhet sjellë punën deri te grevat.
 
(Autori është kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)