19 Prill 2024

Sindikatë e ngushëllimeve

Berat Armagedoni

Sindikata e Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ekziston sa për sy e faqe. Ekziston vetëm në rastet, kur një anëtari të saj i vdes një familjar, i jep mbështetje me 30-40 euro harxh kur shkon për ngushëllime.

Kjo Sindikatë, anëtar i së cilës nuk jam bërë kurrë, meqë e dija se kreu i saj, i zgjedhur ashtu siç është zgjedhur, nuk do të ndryshojë asgjë, duhet të flasë nëse ka guxim e nëse di për rastet për të cilët duhet të flitet.

Por kjo Sindikatë, me atë udhëheqës në krye, i cili nuk ka guxim as tash të japë dorëheqje nga disa dosta të vet, edhe pse i ka kaluar mandati, duhet të ketë një udhëheqës tjetër: një që mbron dinjitetin e punëtorit e të punonjësit të “Pjetër Bogdani”-t, një që ka guxim t’i reagojë kujtdo kur shkelen të drejtat e punëtorit e të punonjësit aty e jo të çmohen nga ta, edhe të stimulohen për mospunë, ata që u bëjnë ledha krerëve të saj.

Pra, kësaj Sindikate i duhet një udhëheqës tjetër. I duhet sepse kjo Sindikatë e ka kryetarin me afat të skaduar. Nëse ka një fije dinjiteti e s’i trembet kujt, ose duhet të lëshojë pe tash, ose të futet përsëri në garë për kryetar nesër.

Kjo Sindikatë, me kryetarin e kryesinë e saj, nuk ka qenë në gjendje të thotë as dhe një fjalë për 20 punonjësit e Bibliotekës Kombëtare që u degdisën që sa vite në Bibliotekën Qendrore Universitare.

Kjo Sindikatë, me kryetarin e kryesinë e saj, nuk ka bërë gjë për ta, e që është dashur ose të bëjë përpjekje t’i rehatojë në institucionin e ri, ose të bëjë përpjekje t’i kthejë aty ku kanë qenë.

Kjo Sindikatë, me kryetarin e kryesinë e saj, s’e kanë mbrojtur deri tash asnjë punëtor e asnjë punonjës të asnjërës biblioteke, as asaj Kombëtare, as asaj Universitare (ende ata punonjës janë pa status të sqaruar, meqë vazhdimisht bëjnë ankesa e kërkesa për kthim në vendin e tyre të mëhershëm të punës).

Kjo Sindikatë, me kryetarin e kryesinë e saj, meqë nuk kanë folur deri tash për të privilegjuarit e BKK-së e të nëpërkëmburit e saj, në krye të saj duhet të vijë një kryetar tjetër që s’ua ka frikën drejtuesve të institucioneve të tjera e nuk u rri dupë, por fort krenar.

Dhe kur kjo Sindikatë nuk u del në mbrojtje punëtorëve e punonjësve të vet, unë pa qenë anëtar i saj do të përpiqem, duke shkruar vazhdimisht në medie, për Sindikatën e tanishme, për lodhjen e rrëzimin e saj përtokë e për frikën e paarsyeshme të saj, vetëm që t’i them ato që është dashur të thuhen që sa kohë e të barazohen punonjësit e saj me pagë dhe me dinjitet edhe me ata që bëjnë ledha e që duhet të bëjnë punë.

Si kurrënjëherë tjetër, as që e çoj nëpër mend të qenit kryetar i saj! Kurrë! Kurrë hiç!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)