18 Prill 2024

Pse po i bëhen aq shumë presione, kosovës së vogël dhe të lodhur !

Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA

Kushtëzimi për viza , për një grusht miza ; Kosova , më në fund e mori rekomandimin për liberalizimin e vizave por jo sikur që e morën më parë shtetet e Ballkanit e që ishin përgjegjëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit , deri te gjenocidi i dëshmuar.

Po kuptoni se e kam fjalën për Serbinë që i bëri katër luftëra në hapësirat e ish Jugosllavisë me qindra mijëra të vrarë , dëme të mëdha materiale , miliona persona të zhvendosur dhe refugjatë si dhe , një numër të madh i cili kurrë nuk është bërë i njohur i femrave të dhunuara, të shndërruara në skllave të seksit për qëllime ushtarake e politike. Serbia u amnistua për krimet e bëra , u faktorizua politikisht në emër të përpjekjeve të largimit nga ndikimi rus dhe ndikimi i Putinit .

Kjo ishte hipokrizi e ndërkombëtarëve të cilët e përjashtuan Kosovën nga proceset vendimmarrëse për fatin e saj , që nga Marrëveshja e Kumanovës e deri te proceset integruese evro – atlantike ! Nuk ishte Serbia ajo që u vardisej ndërkombëtarëve , por ishin ndërkombëtarët që u dorëzuan para kërkesave të Serbisë . Kosova u gjymtua sidomos në bisedimet e Brukselit ku Kosovës iu vë litari rreth qafës për ta bërë përfundimisht vend jofunksional i cili do të varej 100% nga Serbia shkaku se asnjë vendim nuk mund të mirret pa pëlqimin e Serbisë e cila serbët e Kosovës i ka instrumentalizuar deri në atë masë sa ata haptasi deklarohen kundër Kosovës ndonëse kanë pozita ushëheqëse institucionale dhe paguhen shumë mirë për sabotimet që i bëjnë Kosovës dhe shërbimet që ia bëjnë një shteti , për fat të keq ende me mendësi kriminale siç është Serbia! Asnjë shtet nuk do të lejonte që një neoçetnik i Srpska Krajinës , tash paradoksalisht ministër në qeverinë  e Kosovës , të deklarohet aq armiqësisht dhe me përbuzje kundër qeverisë dhe shtetit të cilin e mjelë pa mëshirë sikur që e bënë njëfarë Mariqi e të vazhdojë përsëri  të jetë minister i kabinetit qeveritar ! Ai është i paprekshëm sepse prapa tij qëndron Serbia dhe ndërkombëtarët.

Ai , si dhe disa ministra , zëvendëskryeministra , kryetarë komunash , pionë të Serbisë dhe të Putinit në Kosovë është dashur të largohen duke ua regjur bythët me hitha e jo të trajtohen si “ loptë e Indisë “ siç po trajtohen aktualisht ! Cili është standardi demokratik ndërkombëtar që i imponohet vetëm Kosovës dhe shqiptarëve që, në emër të përfitimit nga procesi i liberalizimit të vizave , ata duhet të japin territore apo duhet t’i bëjnë lëshime të paimagjinueshme Serbisë ! Liria e lëvizjes është standard universal , nuk llogaritet beneficion dhe mohuesit e kësaj lirie duhet të denoncohen si shkelës së të drejtave të njeriut dhe dhunues të demokracisë e jo promovues siç janë shitur në Kosovë , që nga përfundimi i luftës e deri me sot ! Sipas cilit standard demokratik ndahet , edhe si kategori kushtetuese një qytet , Mitrovica , 17 vjet pas përfundimit të luftës kurse shqiptarëve dhe joserbëve të përzënë me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre u ndalohet kthimi ?! Çfarë dallimi kanë Republika Srpska në Bosnje dhe Veriu i Kosovës kur , që të dyja janë ndërtuar mbi bazën e krimit dhe spastrimit etnik ! Ma gjeni një qytet në botë që është ndarë 17 vjet pas përfundimit të luftës ! Nuk do ta gjeni sepse nuk ka të tillë . Qytetet apo territoret ndahen menjëherë pas përfundimit të luftës për t’u bashkuar më vonë kurse në Kosovë ndodhë e kundërta , qyteti ndahet për t’u bërë qendër administrative e një entiteti të imponuar etnik siç do të jetë Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë .

Në Kosovë nuk ka asociacone të komunave shqiptare , rome , turke , gorane , boshnjake , të ashkalive sepse do të dukeshin etnikisht të veçuara dhe si të tilla nuk do të pranoheshin nga ndërkombëtarët që aq shumë po angazhohen për Kosovën multietnike ku të gjithë do të ishin të barabartë sipas kritereve të Sheshelit dhe Vuçiqit dhe do të dominoheshin nga serbët ! Ma gjeni një  Kushtetutë të një shteti , gjysmështeti apo edhe republikë të bananave  ku shprehimisht thuhet se nuk keni të drejtë të bashkoheni me një shtet tjetër apo ku përjashtohen nga simbolet kombëtare ngjyrat kuq dhe zi sikur edhe shqiponjat apo ndonjë zog i kësaj familjeje. Pse këto rregulla apo standarde “ demokratike “ nuk vlejnë për Serbinë , Malin e  Zi apo Maqedoninë e Gruevskit , Sashko Mijallkovskit dhe mashtruesit ordiner siç ishte dhe është Zaevi të cilin e konsideroj variantin mashkullor të Edita Tahirit në Maqedoni ! Ndërkombëtarët në Kosovë e konsiderojnë kërcënim për sigurinë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ndonëse e kanë të qartë se është proces i pandalshëm  por po angazhohen që përmes procesit të demarkacionit të kufijve me fqinjtë grabitçarë , t’i marrin sa më shumë territore të Kosovës në mënyrë , që mbetjet mortore të një shteti jofunksional t’i bashkohen Shqipërisë ! Hipokrizia e “ demokratëve “ ndërkombëtarë është e pashembullt sepse , po të deklaroheshin , përmes një referendumi qytetarët e Kosovës se janë për bashkim me Serbinë , atëherë njëzëri do të pranohej nga këta profiterë në kurriz të popujve të vegjël ! Sipas cilit standardi demokratik ndërkombëtar , përgjegjësit për krime lufte në Kosovë lirohen ( gjenerali Bojoviq ) kurse komandantët e UÇK-së dhunohen përmes masakrave juridike për plotë 13 vite siç ishte rasti Limaj , rasti Haradainaj , grupi i Llapit , grupi i Drenicës dhe grupet që do t’i pjellë Gjykata Speciale e që gjykatë të tillë nuk e ka formuar asnjë shtet, që nga koha e nazistëve të luftës së dytë botërore, deri te koha e fashistëve të Millosheviqit ! Ku ka vend në botë me 97% të viktimave civile të një përkatësie etnike sikur me shqiptarët në Kosovë kurse ata që janë të dënuar për krime lufte janë 92% po nga shqiptarët kurse afërsisht 8 % nga ata që i kanë kryer këto krime ( serbët )!

Kjo nuk ka ndodhur as në Ruandë në luftën midis fiseve tutsi dhe hutëve ! Ma gjeni një vend në botë ku aq paturpësisht zbatohen standardet e dyfishta sikur që ndodhë në Kosovë dhe ku i lejohet një shteti , ende armik siç është Serbia të ndërhyjë në mënyrë aq të lakuriquar në punët e brendshme të Kosovës , në emër të normalizimit të marëdhënieve ! Nuk ka vend në botë ku viktimat , të të gjitha përkatësive etnike kanë mbetur aq të pashpaguara sikur në Kosovë dhe ku ndërkombëtarët , për hirë të projekteve politike aq shumë e kanë dhunuar drejtësinë duke qëndruar në krahë të kriminelëve të cilët i kanë përdorur dhe i përdorin për aq sa kanë nevojë sikur që ndodhë në shtetin tonë të vogël dhe të rraskapitur , deri në vdekje klinike !  A ka vend në botë që është shantazhuar aq shumë në kërkesën për të bërë lëshime të cilat nuk do t’i bënte asnjë shtet normal sikur që është bërë me Kosovën ?! Është bërë mirë që Kosova është bërë anëtare e UEFA-së dhe FIFA-së ndonëse kështu nuk mendon një shovinist në kabinetin e Isa Mustafës. Është bërë mirë dhe do të bëhet mirë nëse ndodhë liberalizimi i vizave pa qenë të detyruar që një biletë udhëtimi të paguhet me qindra e mijëra hektarë tokë Kosove apo lëshime tjera politike. Edhe ashtu, ata që kanë pasur mundësi materiale , nuk kanë pasur problem për sigurimin e vizave sikur që , edhe pas liberalizimit të vizave ata që nuk kanë mundësi materiale  , nuk do të lëvizin jashtë me përjashtim të të rinjve të cilëve u është ngulfatur hapësira për jetesë në Kosovë nga puna e tyre  dhe thuaja nuk kanë fare ardhmëri këtu shkaku se injorantët dhe përkrahësit e tyre i mbajnë nga 5 e më shumë vende pune sikur që i kanë krijuar rrathët koncentrikë të të punësuarve  në baza farefisnore dhe partiake. Vetëm në Kosovë dhe aty ku jetojnë shqiptarët ndodhë që në poste ku kërkohet profesionalizëm i dëshmuar , dërgohen partizanët dhe injorantët partiakë dhe kjo do të jetë arsye që shumë të rinjë do të largohen nga Kosova . Për fat të keq , Kosova është shndërruar sot në koloni të dy shteteve nga të cilat historikisht ka pësuar më së shumti , e Turqisë e cila me para të imta e ka privatizuar Kosovën si dhe e ka okupuar hapësirën kulturore me seriale që nuk vlejnë as pesë para dhe nga Serbia e cila po e mbanë Kosovën  ( me bashkësinë ndërkombëtare ) në një kolonializëm të egër politik dhe ekonomik , madje edhe ekzistencial !

A po përsëritet historia e Danushit : Në protestën e fundit që u organizua nga AAK dhe Nisma dhe e cila ishte paralajmëruar dy muaj më parë , LVV zyrtarisht nuk ishte pjesë e protestës ndonëse aty kishte simpatizues të kësaj lëvizjeje dhe një deputet i saj. Nuk shoh asgjë të keqe në pjesëmarrjen e tyre dhe shoh të keqe nëse e kanë bojkotuar. Deri dje ishin të bashkuar dhe përbetoheshin në besnikëri deri në rrëzimin e qeverisë mirëpo nuk kishin kondicion politik të shkojnë deri në fund bashkë. Së paku është dashur që edhe pas ndarjes ta ruajnë një korrektësi në komunikim sepse nuk i dihet çka sjellë e ardhmja . Njerëzore është të luftosh për një qëllim të përbashkët sikur që është njerëzore të ndahesh në rast se nuk pajtoheni gjithashtu si njerëz ! Në protestën e fundit të opozitës së bashkuar vlerësimi im ishte se kanë marrë pjesë 30000 deri në 35000 protestues dhe për këtë nga partia në pushtet u kundërshtova duke ma parë për të madhe se po e përkrahë koalicionin LVV , AAK dhe Nisma sikur që edhe Policia e Kosovës nuk pajtohej me këtë numër sepse ata deklaronin se ishin jo më shumë se 7000 protestues. Në protestën e fundit të organizuar nga AAK dhe Nisma , për organizimin e së cilës ishte investuar shumë mund dhe mjete materiale shkaku se nuk donin t’iu dështojë protesta dhe se tash ishin pa LVV , vlerësimi i policisë ishte për 5000 protestues ndërsa ne vlerësuam se nuk ishin më pak se 20000  e jo më shumë se 25000 protestues.  Tash , një politikan shtegtar që i ka ndërruar së paku 5 fole partiake dhe i cili deri dje ishte nën sqetullat e Jakupit dhe Fatmirit , pasi u ankorua në portin e LVV tha se numri i protestuesve po i  dukej i stërmadhuar  dhe se qenka bërë me qëllim kundër LVV. Naiv deri në fund në këtë vlerësim. Sipas tij , shifrat e policisë qenkan të vërteta ose , mbase menduaka se paskan qenë edhe më pak se 5000 protestues. Unë nuk i kam numëruar protestuesit sikur që nuk i ka numëruar as policia e Kosovës por janë disa standarde dhe kritere orientuese që u referohen vëzhguesit gjatë vlerësimit të numrit të pjesëmarrësve në protesta . Sigurisht se as koalicionit në pushtet nuk i kanë pëlqyer këto shifra por ky ishte vlerësimi . Tash, nuk mund të themi se protesta ka qenë jopaqësore apo e dhunshme vetëm për t’ia plotësuar dëshirën dikujt , qoftë të pozitës së bashkuar apo opozitës së vetmuar pjesë e së cilës u bë kohëve të fundit ky zogu politik shtegtues ! Është çështje tjetër nëse kjo protestë ka arritur qëllimin politik e që mendoj se i vetmi efekt është se kanë bërë numra siç i kanë bërë por se nuk do të ketë kurrfarë efekti , as për zgjedhje të parakohshme e as për rrëzimin e qeverisë që ishte qëllimi i dyshes opozitare sikur që ishte edhe qëllimi i treshes opozitare që u nda në një dysh dhe në një njësh opozitar. Shtegëtimi nga një fole ( seli ) partiake në një tjetër u shndërrua në një dukuri neveritëse dhe gërditëse ku ka humbur edhe morali minimal politik . Të folësh zi e terr deri dje për një subjekt politik , e t’i harrosh të gjitha për një interes të çastit në ndërkohë që nuk ka asnjë ndryshim nuk mund të quhet ndryshe veçse prostituim i parimeve.

Po kështu është kur jetojmë në kohën e parimeve pa parime ! Mbahet mend një kohë kur Danushi i Grupit 6+ ( i minoriteteve etnike ) me një pompozitet medial pati kaluar në AAK ku u pritë nga vet kryetari i këtij subjekti politik dhe të gjithë bijt dhe bijat e Aleancës dhe asokohe llogaritej si transferi më bombastik në politikën kosovare që mund të shkaktonte tërmet në skenën politike kosovare dhe kalimi i Danushit në AAK krahasohej me kalimin e Garet Bejllit nga Mançesteri në Real. Realisht , AAK u forcua shumë por jo deri në atë masë sa u forcua Reali e sa u dobësua Mançesteri . Kryetari i PDK-së , botërisht dhe para shumë medieve e bëri publik lajmin se PDK –së iu  bashkua edhe krahu i shkëputur nga LVV i quajtur Fraksioni + duke e llogaritur si përforcim të madh. Madje ky kalim kishte publicitet sa edhe kalimi i Danushit në AAK. Kontributi dhe historia e Danushit në AAK dihet dhe i tillë duket se do të jetë kontributi i Fraksionit + në PDK. Po të isha në vend të kryetarit të PDK , këta të Fraksionit +do t’i pranoja me korrespondencë sepse nuk ngulin në një vend dhe …..nuk po kam shprehje ! Pastaj , ndodhi edhe një cunami politik kur i përkdheluri i Jakupit dhe Fatmirit , ia drodhi Nismës dhe u lidhë me LVV së bashku me Bajramin e Ajetëve dhe rrethin super të ngushtë familjar . Këtë zogun shtegtar, që jam i sigurt se vetëm përkohësisht ka zënë vend në folen e LVV , e kam mik prandaj nuk dua ta kritikoj por i them se në moshën që jemi, flatrat nuk i kemi  aq shumë  të fuqishme të fluturojmë dhe të aterrojmë në çdo fole që e takojmë rrugës. Ekziston rreziku që ta huqim folenë e dallëndyshes dhe të lëshohemi në folen e qyqes . Në fund të fundit , është e parëndësishme nëse e huq numrin e protestuesve sa është e rrezikshme dhe e rëndësishme të mos e huqësh rrugën ! Janë kohëra të vështira , me shumë të reshura dhe me shumë mjegull……Dielli për Kosovën nuk po duket , jo së paku deri më tani !

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)