26 Prill 2024

Minirepublika përbrenda Republikës

Shkruan: Mirsim Beqiri

Nuk kemi pritur befasi nga delegacioni ynë në raport me raundin e ri të dialogut që u mbajt më 25 gusht në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, ku u arritën katër marrëveshje në pako. Edhe kësaj here vazhdoi i njëjti avaz.


Pas nënshkrimit të marrëveshjes, të dyja palët shpallën fitoren se kush çfarë fitoi më shumë për telekomin, energjinë, lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Këtu është vetëm një fitues: Serbia, e cila arriti ta krijojë një mini-republikë përbrenda Republikës së Kosovës.

Pra, fitorja e këtyre bisedimeve, fatkeqësisht, po i nënshkruhet Serbisë, e jo Kosovës.


Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do ta ketë këtë përbërje: një president, një zëvendëspresident, Kuvendin, Këshillin, stemën dhe flamurin. Ky asociacion që është i rregulluar etnikisht me këtë përbërje do të shtyhet me institucionet e Kosovës, respektivisht me Qeverinë e Kosovës, duke pasur përkrah edhe Serbinë. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë përfaqësim kundër Kosovës. Dhe tash pyetja i drejtohet delegacionit të Kosovës, që ishte i kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeministri tjetër i plotfuqishëm, Hashim Thaçi: A mund të themi se ky asociacion nuk ka kompetenca ekzekutive? Pse pati nevojë edhe për një asociacion tjetër, kur Kosova ka një të tillë, të rregulluar me ligje të Kosovës.

A mos do të ishte më ligjore që këto komuna serbe të ishin nën ombrellën e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ku emrat e komunave serbe figurojnë ende në këtë asociacion. A nuk i thuhet kësaj copëzim i territorit dhe lindje e një minirepublike të re përbrenda territorit të shtetit të Kosovës?!

Kjo minirepublikë e re, mos harroni se do të na nxjerrë telashe përgjithmonë, gjeneratë pas gjenerate, qeveri pas qeverie. Nëse ky Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe nuk paska kompetenca ekzekutive, atëherë pse pati kaq nevojë të bisedohet në Bruksel për këtë çështje. Pse nuk u bisedua me Serbinë për përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por u bisedua me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.


Minirepublika e arritur dhe nënshkruar në Bruksel do t’i ketë të gjitha organet dhe kompetencat e një shteti. Do ta ketë buxhetin edhe nga Kosova (edhe prej Serbisë), policinë, drejtësinë, presidentin që do ta përfaqësojë brenda dhe jashtë vendit. Çka t’i themi kësaj, pos minirepublikë përbrenda republikës sonë. Ky asociacion do t’i ketë edhe simbolet e veta që do ta bëjnë të dallueshme nga Republika e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës duhet ta anulojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

I takon çdo deputeti të mendojë dhe të gjykojë. Kosova nuk është e kësaj apo e asaj partie. Kosova u takon të gjithë qytetarëve, por jo duke krijuar struktura etnikisht të pastra serbe. Prandaj, assesi nuk do të ishte krenari që zyrtarët tanë qeveritarë të dalin me deklarata para medieve, se “Serbia me këto marrëveshje e njohu Kosovën si shtet”. Serbia nuk do ta njohë Kosovën derisa kjo klasë politike është e gatshme t’i japë kompetenca përbrenda.

Dhe në këtë drejtim dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë edhe më tutje me tema të reja. Me këto marrëveshje nuk do të jetë fundi i këtij dialogu apo siç po i thonë, normalizimi i raporteve.

Autori është nënkryetar i Demokracisë Sociale të Kosovës (DSK)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)