29 Mars 2024

Loja e maskave apo maskat në lojë

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala Bajgora

Bingoooo, e humbëm 80 –shinë: Jemi lojtarë të mëdhenj sidomos kur duhet të shënojmë kundër intereseve tona. Sa gola ia kemi futur vetes në Bruksel dhe edhe sa të tjera do t’i shënojmë në portën me një gardiane jashtëzakonisht të lodhtë siç është Edita Tahiri.!

E pushkatuan fare, që nga reperi Borko, nacionalsocialisti Daciq e deri te ultrashovinisti i Sheshelit i veshur tashmë me kostum të demokracisë ala BE, Ujk Vuçiqi. Realisht, si rezervistë, së voni u inkuadrua Isa Prapashtica i cili, as për kah pamja e as për kah shkathtësitë nuk ngjanë fare me portierin e Mançesterit, De Gea i cili është shumë i kërkuar.

Nuk kam dëgjuar se Isa Mustafa po kërkohet nga ndonjë ekip kohëve të fundit. Ishte në prova te Bajerni mirëpo përzgjedhësi Merkel nuk u bind se e ka përnjëmend andaj e la në dispozicion të KF “ Ramiz Sadiku “. 

Nëse vlerësohet si figurë e përshtatshme për ruajtje të portës së Kosovës në Bruksel, atëherë Hashimi i plotëson të gjitha kriteret ; i gjatë me trup, pa peshë të shtuar, me moshë ideale për portier, i shkathtë në intervenim, me reflekse të jashtëzakonshme për vet – mbrojtje, me shumë lojtarë ofensiv që tash, për shkak të rregullave të reja të lojës u shndërruan në lojtarë superdefansivë, me përkrahje të arbitrave ndërkombëtarë, do të duhej të ishte “ kala e pamposhtur “ për ekipin e kundërshtarit.

Përkundër të gjitha këtyre përparësive, Hashimi e shndërroi portën e Kosovës në shpellë apo zonë ku ta ngulin kujt t’i çohet dhe kur t’i çohet!

Prandaj, në rastin konkret,  gojëtaria e Editës dhe dinakëria e Isës nuk ndikojnë fare në rezultatin përfundimtar por e kanë ndihmuar Serbinë ta përmirësojë dukshëm golaverazhin pas të cilit nuk e ka fare vështirë të kualifikohet në ligën e parë të BE-së. Lojtarët tanë janë prapa portave apo anash (jashtë loje) me të vetmën detyrë dhe mundësi t’i mbledhin topat që kanë dalur jashtë fushe.

Tash ndërkombëtarët e kanë shpikur një lojë të re për Kosovën dhe këtë e bëjnë për të mirën tonë që të na rikthejnë në fushën e madhe të skenës politike ndërkombëtare .

Që lojtarët tanë që ishin jashtë loje të rikthehen në lojë, tash si lojtarë lojalë dhe të sprovuar.

Ndërkombëtarët e paskan lexuar kanunin e Lekës prandaj po kërkojnë ta mbajmë besën që ua kemi dhënë për formimin e Dhomave të Veçanta (për dikend dhoma të asgjësimit politik dhe fizik).

Kur po u duhemi për realizimin e ndonjë projekti politik po na quajnë njerëz të fjalës, njerëz të besës e që shumë rrallë ndodhë ky cilësim kurse në të shumtën e rasteve na cilësojnë si kriminelë, të korruptuar, dilerë të narkotikëve, trafikantë me qenie njerëzore, mirëmbajtës të prostitucionit dhe trup i huaj në demokracinë evropiane.

Nuk harrojnë, madje edhe në raste kur asgjë nuk ndërlidhet me prononcimin e tyre të na përkujtojnë se në Kosovë, mbi 90% janë myslimanë!

Një pjesë e ndërkombëtarëve në Kosovë dhe ata që merren me Kosovën, sa janë të pa shpirtë dhe të pa ndjenja për drejtësinë, aq janë edhe të ligj dhe dashakëqinj .Thjesht,  janë injorantë që manipulojnë me besimin e qytetarëve të Kosovës duke e keqpërdorur skajshmërisht ate dhe duke e ndihmuar Serbinë, ku kanë mundësi dhe ku nuk kanë mundësi.

Ky soj i ndërkombëtarëve i gjenë lojëtarët kosovarë që në politikë janë tabula rasa dhe të cilët i përdorin si mish për top në realizimin e qëllimeve të tyre.

Imponimi përmes kërcënimit të vazhdueshëm për formimin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së është loja më e pandershme, më e pamoralshme, më e paskrupullt, më e padrejtë dhe më joparimore që po e bëjnë tash ndërkombëtarët në Kosovë.

I tëri ky presion mbi një vend të lodhur dhe të stërlodhur nga korrupcioni ndërkombëtar dhe vendor për formimin e një Gjykate Speciale pasi Tribunal i Hagës paturpësisht dështoi në realizimin e qëllimit për çka ishte themeluar (ndarja e drejtësisë e mbështetur në prova), dështimit të gjykatave të formuara nga Kombet e Bashkuara në Kosovë (gjykatat diskriminuese dhe politike të UNMIK-ut), gjykatat diskriminuese dhe politike të formuara nga OKB dhe BE (gjykatat e EULESH-it), “ gjykatat për krime lufte në Serbi “ tash duhet ta formojnë në gjykatë selektive, raciste, që  si fakt për inkriminim e ka përkatësinë etnike të vikimave dhe atyre që dyshohen se kanë bërë krime, nuk mund të konsidedrohet ndryshe përveç se një tregim muskujsh nga të fortit e BE-së, Serbisë, Rusisë dhe disa burokratëve të pensionuar amerikanë që lobimin e kanë si mjet përfitimi dhe drejtohen nga ai që paguan më shumë dhe më mirë.

Sot lobojnë për Kosovën dhe thua se duan të vdesin duke “ e mbrojur “ Kosovën ndërsa nesër i shihni në kabinetin e Vuçiqit, Nikoliqit dhe Daciqit, qoftë si këshilltarë apo si “ folës të së vërtetës “!

Kohëve të fundit, sidomos pas dështimit të raundit të parë për votimin e Speciallkës nuk ka mbetur kush pa ardhur në Kosovë dhe pa na thënë (urdhëruar) se specialja duhet të formohet dhe se nuk ka shpëtim por vetëm vonim! Këso arrogance dhe paturpësie të lakuriquar nuk e kanë zbatuar në asnjë vend të Ballkanit madje edhe me Serbinë kanë pasur qasje shumë më korrekte ndonëse kjo trashigimi kriminale – shtetërore e Millosheviqit edhe sot ndez flakë të destabilizimit kudo që ka mundësi në ndërkohë që Kosovën,  se bashku me disa “ miqë” ndërkombëtarë e mbanë peng që nga viti 1999 duke e mbajtur të okupuar një pjesë të territorit të saj! 

Ishin politikanët ndërkombëtarë; aktiv dhe pasiv, potentë dhe impotentë, të shitur dhe të stërshitur, injorantë dhe shkuar injorantëve, të ndershëm dhe më pak të ndershëm, të mençur dhe sozitë e tyre, emisarë dhe komisarë, të deleguar dhe të degraduar ambasadorë dhe senatorë të Kaligulës (në rolin e “ ambasadorit “), “ miq “ dhe mikesha, ushtarakë të pensionuar dhe civilistë të deklasuar dhe kush jo tjetër që, pa doreza na thanë se :” nëse ju nuk e formoni Speciallkën, atëherë këtë do ta bëjë OKB-ra, me Kinën dhe Rusinë që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe të cilat nuk e njohin këtë pavarësi në ndërkohë që “ miqtë” e BE –an: (G) Dreqia, Rumania, Sllovakia,  Spanja dhe Qiproja fort po ia duakan të mirën Kosovës. Çka i dallon këto shtete “ mike “ të BE –së  nga Kina dhe Rusia rreth Kosovës ?!

Asgjë hiç! I tëri ky presion do ta shtrinte për toke edhe elefantin e lëre më një garniturë politikanësh të kurdisur në poste të caktuara pikërisht për këto ditë. Dhe që aksidentalisht kanë poste, qoftë për shkak të fleksibilitetit të tepruar që njihet si servilizëm, qoftë se janë mbarsur nga Nëna Parti të cilës duhet t’i shërbejnë qorrazi dhe me gojë të mbyllur!

Është e neveritshme lufta për numra përkatësisht për numrin 80 –të! Sipas tyre, ky numër na e shpëton fytyrën (përa ta që nuk e kanë) para “ miqve” ndërkombëtarë duke e ruajtur dhe forcuar ” partneritetin  “ strategjik dhe të përjetshëm me shtetet e BE-së dhe amerikanët!

Me të drejtë thuhet se të mençurin mund ta kalosh me mençuri por asnjëherë nuk do ta kalosh të çmendurin me çmenduri!

Edhe naivët (përjashtuar të poshtrit) e dinë se në politikë nuk ka partneritet të përjetshëm por se partneriteti ndërtohet në bazë të intereseve midis dy shteteve apo dy vendeve.

Prandaj duken si përpëlitje para dorëzimit të të mbytyrit sloganet se nuk do t’i tradhëtojmë “ miqtë” ndërkombëtarë në ndërkohë që vendit dhe popullit që i takoni mund t’ia fusni sa të doni dhe si të doni!

Bingo apo tangoja e fundit: Bingoja  e fundit nuk siguroi 80 –të vota, si kusht që të vazhdohet vallëzimi – tangoja me “ miqtë “ ndërkombëtarë. Në një kakofoni zërash – krrokamash dhe laryshi vallesh nuk mund të ketë diçka të bukur për vesh dhe sy. U hodhën disa valle dhe kënduan disa këngë: Lista Srpska me Zhikino Kollo dhe  “ Ko to kazhe, ko to llazhe, Srbija je malla “ votuan njëzëri për Gjykatën Speciale.

Ndryshe  do të duhej ta ndërronin emrin apo të shkrihen në njërin nga subjektet politike në Kosovë apo Serbi! Vetëvendosje me No Pasaran dhe Viva el Liberte votuan kundër Gjykatës.

 AAK me këngën e Selman Kadrisë dhe Vallen e Rugovës (minus asaj që po ia falin Crna Gores ) votuan kundër Gjykatës. PDK me këngët për Adem Jasharin dhe këngën Fadil Hoxha n’kali të bardhë si dhe me vallen e Bu(b)rrecave dhe të Burrneshave u ndanë në votim; shumica ishte për Speciallkën ndërsa pakica kundër.

Edhe Adem Demaçi dhe  Adem Jashari  ishin pakicë kur e nisën luftën! NISMA  me këngën :” Ishin kapë zotnia ner veti…” dhe vallen e Zanave të Shituara  votuan kundër Gjykatës Speciale.

Dhe, në fund LDK me këngën ; “ druzhe Tito mi ti se kunemo, da sa tvoga puta ne skrenemo – shoku Tito ne të betohemi se nga rruga jote nuk do të largohemi) dhe me vallen e Qyqeve votuan për Gjykatën Speciale pa hezituar fare.

Madje, nuk mbahet mend të ketë pasur një koncensus më të madh midis pozitës dhe “ opozitës “ brenda LDK-së sikur ky rreth Gjykatës Speciale!

Po thuhet se nuk ka presion mbi deputetët: Deputetët janë ndërgjegja e kombit, zëri dhe arsyeja e popullit. Janë  dallëndyshet e lirisë dhe mbrojtësitë e demokracisë. Janë vetëdija e qytetërimit dhe antibiotikë kundër nënshtrimit dhe poshtërimit!

Janë një kubëz e mozaikut të mbrojtjes së ligjshmërisë, shtetit dhe shpërdoruesve të  pushtetit! Prandaj janë të lirë por edhe të detyruar të votojnë në përputhje me atë vlera që i përmenda më lartë.

Deputetët e Kosovës do të ishin të tillë po të mos kishin disa probleme, jo të natyrës etike por të asaj teknike. Po të mos i kishin shefat e partive dhe shefat e shefave të grupeve Parlamentari dhe trupin diplomatik të “ miqve “ ndërkombëtarë.

Me angazhimin e Bajram Gecajt në politikë pata menduar se dhuna dhe terrori mbi deputetët do të përfundojë por, si shumë herë kohëve të fundit po del se kam gabuar në parashikime!

Bajrami po na del si stërnip i Nënës Terezë krahasuar me do të rinj që nuk po duken shumë por se po i  vendosin pikat e kontrollit aty ku duhet.

Bajrami kishte vrazhdësi ; i fuste deputetët nën shkallë dhe me ta bisedonte “ miqësisht “ duke ua përcjellë porositë e Zeusit nga Dragodani! Tash, shefat e partive po u kërcënohen deputetëve se nuk ka pushime pa u votuar Speciallka. Të gjorët deputetë, lëkura u ka rënë duke punuar dhe kanë të drejtë për disa muaj pushime!

E kuptoj se këtë e bënë Hashim Thaçi me deputetët e vet që pakëz janë “ rebeluar “ por nuk e kuptoj se kujt i kërcënohet Isa Mustafa me atë koncensus 100% të deputetëve të tij që janë të ngazëllyer me formimin e kësaj Gjykate.

Vendi më i sigurt ku vendoset prita për deputetët e “ rebeluar “ të PDK-së dhe ku lehtësisht mund të kapen nga shefi i shefave dhe diplomatët “ miq “ ndërkombëtarë janë byfeja dhe te dera e toaletit.

Në këtë kohë sigurisht se këto vende janë më të frekuentuara nga deputetët, byfeja për përmbushjen e nevojave biologjike si uji, kafeja dhe çaji dhe toaleti për përmbushjen e nevojave fiziologjike, kryesisht atyre që nuk ua mbanë ujin për shkak të situatës së tensionuar.

Të gjithë po heshtin ndaj dhunës kundër deputetëve e që nuk do të ndodhte në asnjë vend të botës. Kur po heshtin vet deputetët, pse dikush duhet t’u dalë në  mbrojtje.

Në këtë rast as që meritojnë përkrahje sidomos ata që votimin e kanë shndërruar në ballo të maskave! Këta deputetë janë shndërruar në viktima për të cilët askush nuk do të derdh lot, mësa për kunatën e Sadam Hyseinit!

Ademi është në matematikë më i fortë se Pitagora dhe Demiroviqi. Ndonëse kurrë nuk i dalin numrat siç i planifikon, ende vazhdon të mbajë ligjerata si profesor i mandatuar  në katedrën e Kuvendit të Kosovës!

Ademi po ndjehet si Krishti, i tradhëtuar nga judejët dhe filistinët e grigjës, pjesë e së cilës është edhe vet. Po i kalon vuajtjet e Krishtit, deri në votimin e radhës kur, ose do të gozhdohet (kunjohet) përfundimisht, ose do ta kalojë Rubikonin sikur dikur Jul Cezari.

Aktualisht është në baltën e gjallë nga e cila, nëse të tjerët (miqtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë) e lënë aty ku është, ne që nuk po pajtohemi me te, nëse jemi diku afër do t’ia shtrijmë dorën e shpëtimit! Megjithatë, Ademi është pa maska.

Ai që nga fillimi e ka përkrahur formimin e Gjykatës Speciale. Po, nuk e kam të qartë si do t’ia bëjnë hallin deputetët që kanë votuar kundër Gjykatës Speciale në votimin e fundit ?! E që tash duhet të votojnë për këtë Gjykatë!

Ose duhet të ndryshohen amandamentet që duhet të procedohen përsëri e që në vendet normale nuk mund të ndodhë, ose deputetët duhet të vendosin maska të reja sepse ato të vjetrat nuk mund të përdoren në këtë rast!

Se si do të bëhet kjo, nuk e kam as idenë sepse kjo i tejkalon mundësitë e mia për të menduar dhe gjykuar. Është jashtë kapacitetit tim intelektual dhe trunor!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)