29 Mars 2024

Kthimi i shpresës ekonomike

Shkruar nga Margarita Kadriu

Në vitin e tetë të shtetësisë, Republika e Kosovës po përballet me një krizë të thellë ekonomike.

Papunësia është në nivele alarmante. Shifrat zyrtare flasin për mbi 30 për qind, ndërsa të dhënat e Bankës Botërore mbërrijnë deri në 45 për qind të të papunëve.

Një e treta e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa të paktën dhjetë për qind, sipas raporteve të BB-së, janë në varfëri ekstreme.

Sa herë që janë mbajtur zgjedhjet, partitë kryesore janë zotuar se në krye të programit të tyre do ta kenë hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, por mënyra se si planifikonin ta bënin këtë ishte gjithnjë e gabuar.

Kur vinin në pushtet, vërtet që disa vende të reja pune hapeshin, megjithatë këto i përkisnin sektorit publik dhe jo atij privat.

Armatat e militantëve partiakë mbushën ministritë, ambasadat, komunat, agjencitë e kompanitë publike. S’mbeti zyrë shteti pa u stërmbushur.

Sot, e kemi administratën më të mbingarkuar, më të politizuar dhe më joprofesionale në rajon e më gjerë.

Nismat qeveritare për punësimin, në fakt ishin një dështim i madh i të gjitha qeverive, veçmas të atyre që administruan pushtetin pas shpalljes së pavarësisë.

Politikanët dhe klanet e tyre nuk e panë biznesin e mirëfilltë e të ligjshëm  si çelësin e punësimit, por si burim përfitimesh personale  nga ata dhe garanci për jetëgjatësinë në pushtet.

Mbi bazën e kësaj ambicie të rrezikshme, u hartuan dhe u zbatuan edhe politikat buxhetore.

Në njërën anë, përmes privatizimit korruptiv e deri edhe kriminal, asetet më të rëndësishme  kombëtare përfunduan në duart e oligarkisë së pasluftës, ndërsa në anën tjetër fondet publike u kanalizuan në mënyrë jotransparente në projekte joefiçiente qindra milionëshe që mund të financoheshin edhe përmes formave të tjera, duke mos u bërë barrë e njëhershme për buxhetin modest të shtetit.

Ekonomia mbeti peng i grupeve të korruptuara të pushtetit, të cilat i ndanë sektorët si të ishin vilajete private, ku liderët e inkriminuar përfaqësonin pashallarët modernë. Ata vendosnin për gjithçka vetë, mbi bazën e përfitimeve marramendëse.

Kush nuk ishte pjesë e këtij rrethi vendimmarrësish, e kishte të vështirë edhe mbijetesën.  Ambienti për biznes u keqësua.

Sa më tepër që ishte partia-shtet dhe oligarkët - shtet, në vitet e fundit, aq më shumë ia shtronte zullumin sipërmarrjes se ligjshme private.

Nëse në vitet e para pas luftës, pushtetarët mjaftoheshin me shifra të vogla shpërblimi në këmbim të favoreve të caktuara, pas pavarësisë, gjërat kishin ndryshuar rrënjësisht.

Sundimtarët, tashmë ishin aksionarë me të drejta të plota tek pasuritë e oligarkëve.

Formalisht, nuk i shihje, por praktika gjithnjë dëshmonte se vetëm emri u mungonte në ballë të korporatave që  befasisht u fuqizuan shpejt, krijuan monopole të rrezikshme për konkurrencën, duke dalë fare mbi ligjin e Kushtetutën.

Kush kalonte në orbitën e tyre, do të ndalej me çdo kusht, me çdo formë, pa i zgjedhur mjetet dhe ne shkelje të ligjit e Kushtetutës së vendit.

Licencat, lejet, investimet, pavarësisht projekteve serioze, që do të sillnin hapjen e mijëra vendeve të reja të punës, bllokoheshin menjëherë dhe qëndrojnë të bllokuara  edhe sot, nëse bartësit nuk ishin pjesë e shpurës korruptive e kriminale që i endte fijet e biznesit korruptiv shumëmilionësh.

Me një sistem drejtësie tepër  të kapitulluar, ku gjyqtarët e prokurorët shiteshin lirë, të fortët e Kosovës nuk e patën të zorshme të futnin nën kontroll gjithçka, duke u bërë ligji vetë.

Si rrjedhojë, investimet e huaja vetëm vitin e kaluar, për shembull, pësuan përgjysmim drastik.

Më tepër kishte investime të huaja para shpalljes së pavarësisë sesa sot, shtatë vjet më pas. Se çfarë pasojash të rënda ka për ekonominë, kjo varshmëri tronditëse nga kursi politik, e dëshmon fuqishëm viti 2014.

Ndonëse qeveritarët e papërgjegjshëm u munduan ta manipulonin opinionin publik, Agjencia e Statistikave të Kosovës i përgënjeshtroi ata, duke konfirmuar rritjen më të vogël ekonomike në këto vite, për vitin 2014 vetëm  0.9 për qind.

Ky imazh skandaloz që politikanët e paaftë dhe të korruptuar ia mveshën Kosovës pa të drejtë, do të lërë pasoja të rënda në vitet e ardhshme.

Do të duhet shumë punë e mund për ta rikthyer vëmendjen e investitorëve seriozë, të cilëve sapo zbrisnin në Aeroportin e Prishtinës, nga i pari te i fundit në hierarkinë shtetërore, u kërkonin mitë për një shërbim, një leje pune a ndërtimi apo licencë operimi.

Sot mbi një miliard euro të kosovarëve mbahen jashtë  vendit, ndërsa deficiti tregtar është rregullisht mbi dy miliardë euro në vit.

Kemi resurse, kemi fuqi punëtore, kemi ide, por fatkeqësisht ata që kanë qeverisur nuk kanë lidhje me zhvillimin e mirëfilltë  ekonomik të vendit.

Republika e Kosovës  duhet të nxjerrë mësim nga përvoja e keqe e kësaj periudhe katastrofale, nëse duam që t’ia kthejmë shpresën e humbur ekonomike vendit tonë.

Nëse qëllimi i  vetëm është t’i pasurojmë politikanët e pangopur, ky vend nuk do të shohë kurrë një ditë të mirë, por nëse të korruptuarit dalin në bankën e të akuzuarve  për t\'u përballur me drejtësinë dhe nëse u hapet rruga atyre që ia duan të mirën e vërtetë e të besueshme Kosovës, gjërat me siguri do të lëvizin përpara për ekonominë kosovare.

(Autorja është deputete e pavarur e Kuvendit të Republikës së Kosovës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)