25 Prill 2024

Koha për respektimin e kritereve - avancimet akademike në UP

Shkruar nga Ramadan Zejnullahu

Në 45 vjet të punës së Universitetit të Prishtinës zgjedhja në thirrje akademike është bërë ashtu si është bërë, me ato kritere që kanë qenë në fuqi në periudha të ndryshme të zhvillimit të Universitetit, e që shpesh janë anashkaluar.

Kuptohet, ka njerëz që i kanë plotësuar me përpikëri kriteret për thirrjet që mbajnë sot. Por, meqë kam 35 vjet që punoj në këtë Universitet, e them me bindje të plotë se të merituarit, në periudha të caktuara të zhvillimit të Universitetit dhe jo vetëm sot, kanë qenë pakicë.

Në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta kemi pasur misionin e krijimit të kuadrit tonë, prandaj edhe shumë shpesh, i kemi mbyllur sytë kur është dashur të vlerësohet puna e dikujt, për të mos i dëmtuar proceset.

Që atëherë, është bërë, pothuaj se, rregull që secili profesor, me rastin e zgjedhjes së ardhshme të avancohet në thirrje më të lartë.

Të ralla kanë qenë përjashtimet, nga se njerëzit janë krahasuar me njëri-tjetrin dhe gjithnjë janë gjetur më shumë arsye për avancimin e dikujt sesa për rizgjedhje në thirrjen ekzistuese.

Në vitet e nëntëdhjeta nuk kemi pasur kushte për punë të mirëfilltë akademike, por praktika e avancimeve me automatizëm ka vazhduar, shpesh me arsyetimin se nuk duhet t’i dëmtojmë njerëzit që nuk kanë kushte të merren me punë kërkimore-shkencore.

Dhe, nëse mund të themi se deri në këtë periudhë kriteret për avancime nuk ka qenë të matshme, në vitin 2004 kemi aprovuar statutin që vendos kritere të sakta për avancime, prej të cilave secili prej nesh mund ta din shumë qartë për cilën thirrje të profesorit i plotëson kushtet.

Këto kritere janë saktësuar edhe më shumë me statutin e vitit 2012, por ja që ne nuk e kemi respektuar as statutin e vitit 2004 as atë të vitit 2012.

Nëse deri tani jemi avancuar ashtu si jemi avancuar, jemi krahasuar me njëri-tjetrin në vend se të krahasohemi me kriteret e Statutit që e kemi aprovuar vet, kemi gjetur dhjetra justifikime për mospërmbushje të kritereve akademike, mendoj se ka ardhur koha ta ndryshojmë këtë qasje. 

Në fakt, me këtë qasje ne kemi arritur që të krijojmë një hendek prej 2000-4500 vende në ragimet ndërkombëtare në raport me universitetet e kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor, përjashto universitetet shqiptare.

Për krahasimin me universitetet evropiane as të mos flasim. Dhe, nëse do të vazhojmë me këtë qasje toleruese ndaj mosprëmbushjes së kritereve akademike, ky hendek do të rritet edhe më shumë.

Prandaj, është koha që secili të reflektojë nëse i përmbushë kushtet minimale për të fituar një gradë më të lartë akademike nga ajo që mban.

Pretenduesi për profesor asistent duhet të mendojë nëse e ka një punim në revistë ndërkombëtare si autor kryesor; pretenduesi për profesor të asocuar duhet t’i ketë tri punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor dhe të paktën një libër, ndërsa para pretenduesit për profesor të rregullt shtrohen kërkesa akoma më komplekse si pesë punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor, disa libra, udhëheqje e suksesshme e disa kandidatëve në studime të doktoratës, e kështu me radhë.

Kur thuhet “punime në revista ndërkombëtare”, bëhet fjalë për revista kredibile që nuk lënë asnjë vend për dyshime për vet vlerën e punimit, prandaj edhe kemi insistuar që këto të jenë revista të indeksuara në njërën nga dy bazat e njohura ndërkombëtarisht.

Përndryshe, do të kthehemi në diskutimet e fillimit të vitit të kaluar që i shkaktuan aq shumë dëm prestigjit të Universitetit.

Avancimi akademik nuk është çështje e numrit të votave dhe e mbivotimit, por çështje e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në mënyrë të qartë.  Përmbushjen e këtyre kritereve do të duhet ta tregonin raportet e komisioneve vlerësuese për kandidatët e paraqitur në konkurs.

Për fat të keq, nga raportet e komisoneve vlerësuese në konkursin që po shqyrtohet aktualisht vërehet një shpërputhje, po thuaj se, universale, në mes të rekomandimeve për avancim dhe të dhënave të prezantuara që flasin për përmbushjen e kushteve minimale të nevojshme për avancim.

Sikur ekziston tendenca që secilit t’i jepet drita e gjelbër për avancim, ashtu si ka qenë deri tani, ose që patatja e nxehtë t’i lihet në dorë organeve të fakultetit dhe të Universitetit.

Në fakt, unë nuk i fajësoj këto komisione, nga që anëtarët e tyre, në përgjithësi, kanë ndjekur praktikat e deritanishme.  Tani, duhet t’i kthehemi Statutit, jo praktikave të gabuara dhe jo krahasimit me ata që janë avancuar si rezultat i këtyre praktikave.

Rizgjedhja në thirrjen ekzistuese nuk është as diskreditim e as linçim i personit, por vënie e rendit dhe rregullit aq të nevojshëm në Universitet dhe, po ashtu, krijim i një mase kritike të njerëzve që janë me meritë në thirrjet e tyre, përfshirë edhe ata që konfirmohen në thirrjen ekzistuese.

Do të ishte diskreditim dhe linçim nëse do t’i ktheheshim së kaluarës, pikërisht atyre që janë avancuar pa meritë në 45 vitet e shkuara. 

Kuptohet, asnjëri nuk mund të kursehet nga vlerësimi i opinionit profesional dhe atij të gjerë publik, duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave që ka fituar thirrjen e tanishme para plot 15 vjetësh, por nuk do të duhej të merreshim me të kaluarën, sepse kemi aq shumë punë në të tashmen dhe në të ardhmen.

Besoj se duke krijuar sot masën kritike të profesorëve që janë me meritë në thirrjet e tyre akademike, ne do të krijojmë shembuj të mirë për të ardhmen dhe do të krijojmë një front të fuiqshëm që do të vihet në mbrojtje të kritereve akademike dhe të cilësisë në Universitet.

Këto janë parakushte që njerëzit të motivohen për punë kërkimore-shkencore dhe për arritje të larta akademike, ndërsa arritjet sjellin përmirësimin e cilësisë aq të nevojshëm për universitetin tonë.

(Autori është rektor i Universitetit të Prishtinës. Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale)




Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)