20 Prill 2024

Kosova do gjykatë ndërkombëtare “për krimet e veta të luftës”

Shkruar nga Nijazi Idrizi

Kosova është para një sfide të rëndë, atë të themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte. Edhe Gjykata Kushtetuese u deklarua se “themelimi i saj nuk i cenon të drejtat e njeriut”, me çka ia dha dritën jeshile Kuvendit të Kosovës që me votimin e dytë, ta legjitimojë veprimin e saj.

Pas mbylljes së disa formaliteteve që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe organizimin, pritet të bëhen publike edhe akuzat të cilat kryesisht do të jenë ato që i përmban raporti i Dick Marty, por që tashti do të shpallen edhe emrat që ky raport i ka mbajtur larg opinionit. Numri i atyre që do të akuzohen ka mbetur i hapur, duke u nisur nga arsyetimi se ai mund të rritet varësisht prej rrjedhës së gjykimeve, që në një farë mënyre i bie se ai mund të rritet nëse gjykimet përmendin emra të rinj.
Në historinë e njerëzimit deri sot nuk është dëgjuar për ndonjë akuzë më të rëndë se kjo?! Në themel të kësaj akuze qëndrojnë shqiptarë me organe të qenieve njerëzore në duar, me të cilat bëjnë tregti për fitim parash! Këta njerëz nuk janë njerëz dosido, por janë hiç më pak se ish-komandantë të UÇK-së në krye me njeriun numër një të luftës çlirimtare, komandantin politik z. Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij!

Akuzë më të rëndë, më të tmerrshme, më fyese, më poshtëruese, më të egër, më të pistë, historia e njerëzimit nuk ka njohur deri në ditën e sodit. Ka pasur akuza në mitologji për pjekje në hell të fëmijëve me të cilët pastaj janë gostitur prindërit, ka pasur akuza për verbim masiv të njerëzve, për kriminelët nazistë që i kanë djegur të gjallë me qindra mijëra njerëz, ka pasur akuza për kriminelët serbë që kanë vrarë nënat me foshnje në bark, për t’i fituar bastet për gjininë e foshnjave, po asnjëherë askund, fantazia e krimit nuk ka arritur ta imagjinojë vargun e njerëzve të lidhur që i çojnë në thertore si kafshët, për t’ua nxjerrë organet e trupit e për t’i shitur në tezga, me para?! Tmerr! “Unë gjithë jetën time do ta shpenzoj, duke kërkuar drejtësi për këtë shpifje monstruoze”, pati deklaruar i tmerruar, me të drejtë, nga këto akuza, kryeministri i atëhershëm, i akuzuari i parë, z. Hashim Thaçi, të cilin më pastaj e kaploi heshtja?!

Populli i Kosovës ka pritur që kjo akuzë do të hidhej poshtë si e pabazuar nga profesionistët e ngarkuar për t’i grumbulluar provat dhe nuk do të përsëriten më asnjëherë skenat e dy gjykimeve të mëhershme (Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj me shokë) të cilat i patën lënë një shije të hidhur drejtësisë ndërkombëtare!

Siç është në dije opinioni, me kërkesën e gjykatës së Hagës edhe z. Ramush Haradinaj ishte paraqitur si i akuzuar për krime lufte. Të gjithë e kuptuan se kryeministri i Kosovës ishte viktimë e harmonizimit të politikave të të mëdhenjve për barazimin e krimeve të luftërave në ish Jugosllavi. Ishte akuzuar dhe arrestuar një Kryeministër i Serbisë, tashti i kishte ardhur radha edhe një Kryeministri të Kosovës. Për fat të mirë edhe pse proceset u zgjatën për shumë vite të dy këto procese përfunduan me lirimin e pothuajse të gjithë të akuzuarve si të pafajshëm.

Në një situatë të tillë logjikshëm shtrohet pyetja: meqë paska pasur akuza të tjera, pse nuk u dërguan edhe të akuzuarit e tjerë në Hagë? Kujt po i duhet një gjykatë speciale për shtetin e ri të Kosovës edhe pse? Kush do të akuzohet dhe gjykohet aty?!

Me sa jemi në dijeni në historinë e të drejtës ndërkombëtare, deri më sot, asnjëherë nuk janë themeluar gjykata speciale që i atribuohet ndonjë shteti?! Janë themeluar gjykata për gjykimin e krimeve të nazizmit, gjykimin e krimeve të luftërave në ish Jugosllavi, por nuk kanë qenë këto gjykata speciale për shtetin e Gjermanisë, Serbisë, Kroacisë etj. Kosova është shteti i parë i cili po themelon gjykatë ndërkombëtare për t’i gjykuar qytetarët e vet të akuzuar për krime lufte?!

Liderët qyqarë të Kosovës e sollën në këtë situatë vendin, sepse nuk patën kurajë që të themelojnë Gjykatën speciale për krimet e luftës këtu në Kosovë, sikurse që kanë vepruar liderët e Serbisë, Kroacisë, Maqedonisë, ku të gjithë pa dallim do të t’i sqaronin akuzat dhe do t’i dënonin fajtorët!

Një gjykatë e tillë do të ishte mirëpritur nga të gjithë: nga qytetarët e Kosovës, nga BE, nga SHBA, nga KS dhe nga opinioni demokratik botërorë. Një gjykatë e tillë e ka njohur realitetin e Kosovës, mentalitetin e qytetarëve të vet, rrethanat në të cilat janë bërë krimet, gjendjen fizike dhe shpirtërore të njerëzve, madje edhe kriminelët e vendit e edhe viktimat dhe duke u nisur nga këto fakte do të kishte marr vendime të drejta. Edhe dënimet eventuale do të ishin të besueshme dhe do të vlerësoheshin nga të gjithë si përpjekjen më serioze për funksionimin e shtetit dhe të drejtësisë, ndërtimin e paqes dhe kështu do të mbyllej si kudo edhe në Kosovë kapitulli i krimeve të luftës.

Përkundrazi, ajo u detyrua, (nën trysnin ndërkombëtare), ta themelojë Gjykatën për krime lufte e cila, sido që ta arsyetosh është më e rëndë se ajo e Hagës?! Njerëzit e saj do të vihen në bankën e të akuzuarve nga drejtësia ndërkombëtare, njëjtë sikur u patën vu në Nyrnberg nazistët gjerman për krime lufte, njëjt sikur që u patën vu neofashistët serb para drejtësisë në Hagë, për krimet në ish Jugosllavi, por që do të quhen kriminelët nga Kosova.

Aty nuk do të jetë adresa e krimit as të Serbisë, as të Kroacisë as të Maqedonisë, por do të jetë vetëm adresa e krimit të Kosovës.

Kjo do të jetë kështu sepse të gjitha këto shtete i kanë mbyllur këto obligime me kohë, pa pasur nevojë që dikush t’i tërheq nga veshi!

Ta marrim Serbia, (sa për sy e faqe) e përmbushi këtë obligim dhe dënimit të krimeve “ia dha simbolikën e kërkuar”, pa bujë mediesh e në marrëveshje të plotë me kriminelët e vet. Shembull për tu mbajtur mend nga e gjithë bota është dënimi i kriminelëve që patën bërë krime në Qyshk të Pejës, ku u patën masakruar 105 njerëz të pafajshëm, të cilët u patën dënuar me vetëm 101 vjet burg e që i bie se një jetë njerëzore, për drejtësinë serbe, ka pas vlerë më pak se një vit burg për kriminelët serb. Ky fakt nuk i ka bërë përshtypje askujt, përkundrazi si akt është lavdëruar nga bota dhe njëkohësisht është kërkuar nga Kosova që edhe ajo ta jap shembullin e vet?!

Tashti së shpejti, pas themelimit të kësaj gjykate, në sy të botës do të dënohet krimi individual shqiptar, ku edhe një shuplakë e një ushtari të UÇK ndaj një civili do të dënohet e përjetohet nga gjykata dhe opinioni botërorë më rënd se masakra e Qyshkut?! Me këtë as që po më shkon ndërmend të them se duhet t’i rehabilitojmë këta burrecë që e kanë ndarë drejtësinë në rrugë, por po them se këta është dashur e duhet që t’i dënojmë vet këtu në Kosovë!

Në historinë tonë dhe atë botërore, kjo damkë do të mbahet mend si një turp që viktimës Kosovë, pa fajin e saj, liderët që kanë mbajtur përgjegjësi kryesore për vendin: Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Hajredin Kuqi, Jakup Krasniqi, Atifete Jahjaga, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli e disa të tjerë, ia vunë asaj mu në ballë, që ta bartë e turpëruar para syve të qytetërimit botëror. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)