19 Prill 2024

Fryma e re politike, e vetmja shpresë për Kosovën

Shkruar nga Faik Krasniqi

Prej pasluftës në Kosovë, i kemi provuar pothuajse të gjitha partitë dhe pjesën më të madhe të këtyre politikanëve, që kanë qenë bartësit kryesorë të politik bërjes në vend!

Dhe kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe politike, është falë keqqeverisjes nga kjo kastë e vjetër politike, e cila është e tejkriminalizuar, e korruptuar dhe e konsumuar politikisht!

Kjo klasë politike është fajtore kryesorë për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe penguesit e moszhvillimit të shtetit, ekonomikisht, politikisht dhe në çdo qelizë të shtetit!

Në situatën e rëndë ekonomike dhe politike në të cilën ndodhet Kosova, nuk zgjidhen problemet as ekonomike e as politike, nëse largohen nga pushteti partitë që janë pushtet dhe vijnë në pushtet partitë opozitare, sepse edhe partitë opozitare dje ishin në pushtet dhe bartës të keqqeverisjes, krimit dhe korrupsionit!

Por zgjidhja më e mirë për vendin është që të largohen nga skena politike, e gjithë kasta e vjetër politike, të cilët janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë ekonomike, politike dhe në çdo sferë të jetës, dhe penguesit kryesorë të moszhvillimit ekonomik!

Kur fillojë eksodi masiv nga Kosova, përmes një opinioni pata thënë që me rezoluta në Kuvend nuk parandalohet ikja masive nga Kosova, por me hapjen e vendeve të reja të punës!

Çdo zyrtar i lartë qeveritar merr minimum pesë paga, por ka prej tyre që marrin edhe nga dhjetë e deri në pesëmbëdhjetë paga.

Me nga pesë, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vende pune që kanë, e që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës (asnjërën nuk e kryejnë, por vetëm marrin paga), këta zyrtarë ua zënë vendin mijëra të papunëve!

Llogariten diku 12-15 mijë vende të punës që janë të uzurpuara nga këta \'\'supermenë\'\', e kur do të punësoheshin direkt deri në 15 mijë qytetarë të Kosovës që janë të papunë, do të zbutej deri në një masë papunësia e madhe në Kosovë!

Rekomandimet e tjera për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës ishin këto:

1) Qeveria e Republikës së Kosovës, çdo zyrtari dhe punonjësi të saj me ligj t\'ua ndaloj marrjen e më shumë se një page, dhe pastaj në ato vende të lira pune të futen në punë disa mijëra të papunë!

2)Të ndalohet me ligj në Kuvend marrja e më shumë se një page nga buxheti i Republikës së Kosovës!

3)Çdo zyrtari qeveritar t\'i ulet paga! Duke filluar nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, ministrat, zëvendësministrat, deputetët dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, për tridhjetë për qind, kurse zyrtarëve të tjerë që kanë paga më të ulëta, për njëzet për qind!

4) Në Kuvend të miratohet ligji që të mos ketë pagë më të lartë se 1000 euro që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës!

5) Të zvogëlohen një qind përqind mëditjet dhe shpenzimet telefonike për zyrtarët qeveritarë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës!

6) Të ulen për një qind përqind shpenzimet në karburante, mallra dhe shërbime!

7) Qeveria dhe Kuvendi, të reduktojë numrin e veturave dhe për një mandat të mos blejë vetura për institucionet shtetërore!

8) Vitin e parë të qeverisjes, mos të ketë rritje të pagave për të gjithë 83 mijë punonjësit e saj, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, kurse nga viti i dytë i qeverisjes - rritja e pagave të bëhet për pesë për qind për çdo vit!

9) Heqjen e taksave dhe lehtësim për investitorët e huaj dhe vendas!

10)Lirimin e energjisë elektrike!

11)Në këtë mandat të zvogëlohet buxheti për ndërtimin e autostradave!

12) Të zvogëlohet TVSH-ja për prodhuesit vendas!

13) Investimet kapitale të shkojnë në zhvillim ekonomik, kryesisht në bujqësi, në mënyrë që të hapen vende të reja të punës! Etj.!Kurse, nga kursimi i parave nga shpenzimet lukse të qeveritarëve, të gjitha të investohen në bujqësi, biznese të mesme dhe të vogla, për hapjen e vendeve të reja të punës!

14) Të mirret një kredi me kamata të buta dhe në formë grantesh, prej 1,5-2 miliard euro, nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, me një afat kthimi prej 20-30 viteve! Me këtë kredi të bëhen investime për zhvillim ekonomik, në bujqësi, stimulim prodhuesve vendor dhe biznesve të mesme dhe të vogla!

Me një investim prej 1,5-2 miliard euro, do të hapeshin 250-300 mijë vende të reja të punës, që do të thotë se papunësia në Kosovë, do të ulej nën normën 15 për qind, e që aktualisht llogaritet të jetë diku mes 45 deri në 60 për qind!

Por as kjo Qeveri nuk bëri asnjë hapë në këtë drejtim, por vazhdoi avazin e vjetër sikurse qeverisjet e kaluara, dhe me mosveprim po shihet që as kjo Qeveri nuk është e interesuar për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë!

Dhe duke e parë që as me këtë Qeveri të re nuk po ndryshon asgjë për të mirë, kam thënë para ca kohësh dhe po e them prapë që këtij vendi i duhet gjak dhe mish i ri, klasë e re politike, e padjallëzuar, e panjollosur dhe e pakriminalizuar!

Kur ky formacion i ri politik, me njerëz të rinjë, me kapacitete të mëdha intelektuale dhe profesionale, me etikë e integritet , i marrin frenat e shtetit në dorë, vetëm atëherë do ta shohim ndryshimin me sy, do ecim përpara, do përparojmë dhe të cilët do të jenë të aftë për ta udhëhequr shtetin drejt zhvillimeve progresive në drejtim të BE-së!

Por që Kosova të ec përpara këta politikanë shkatërrues, kriminelë, të korruptuar, duhet të largohen njëherë e mirë nga politika, përndryshe, ky vend nuk do të ketë fare të ardhme, derisa këta do të jenë pjesë e politikës, sepse këta janë kanceri i shtetit dhe i gjithë shoqërisë!

E për t\'i larguar këta ujqërit e vjetër nga politika, duhet të merret një inisiativë nga shoqëria civile (pjesa e shëndoshë e saj) dhe nga njerëzit e mediave (pjesa e shëndoshë e saj), për ta formuar një formacion të ri politik, me njerëz të papërlyer!

Sepse me kastën e vjetër politike, nuk do të kemi as më të voglin përparim, por vendi vetëm do të zhytet akoma më shumë në krim politik dhe ekonomik!

Prandaj sa më shpejt duhet që ky formacion i ri politik të krijohet, në mënyrë që gjatë këtij viti të kemi zgjedhje të reja dhe qytetarët e Kosovës me votën e tyre ta shporrin këtë kastë të vjetër dhe të kriminalizuar, njëherë e mirë nga politika! Nëse kjo gjë nuk ndodh gjatë këtij viti, Kosovën do e marrë lumi!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)