28 Mars 2024

Eposi i Sanxhakut

Shkruar nga Ismet Azizi

Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikëve janë cikël këngësh epike heroike legjendare. Ato radhiten ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve.

Eposi i Kreshnikëve është jehonë poetike disa shtresore e jetës së përbashkët (sh.VI-VIII), por edhe e konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan).

Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV,  ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve.

Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë «rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800».

Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore.

Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut siç ishin Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin), Murat-agë Kurtagaj (Kurtagić) Husë Qorri Husoviq (Ćor Huso Husović), Ashir Qorraj (Ćorović), Kasum Rebronja, Xhemail Arnautoviqi, Ibro Musiqi, Xhyl Bahu (Bahović) etj.

Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry, për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur materiale jo vetëm në Sanxhak por edhe në  Bosnjë e Hercegovinë.

Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç profesorit Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritë zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur .

Në këtë analizë po i paraqesim dy lahutarët më të famshëm të cilët ndikuan në  përhapjen dhe kënduan këngë epike në Sanxhak, Avdo Megjedoviqi dhe Salih Uglla (Uglanin), Avdo Mexhedoviqi (nga fshati Obrov në afërsi të Bijello Poles, 1875-1953) ishte një këngëtar lahutar nga Mali i Zi. Mexhedoviqi është një nga poetët epik më të mëdhenj të Sanxhakut por edhe më gjerë.

Poema e tij epike “Martesa e Mehë Smailagiqit” e cila ka 12.311 vargje, aq sa kanë së bashku Iliada dhe Odisea. Shkencëtari amerikan Milman Parry, studiues dhe profesor në Universitetin e Harvardit në gjysmën e parë të shekullit të XX, Avdon e ka quajtur \"Homeri ballkanik\".

Duhet theksuar se Mexhedoviqi nuk ka vijuar as shkollën fillore. Në moshën madhore ka shërbyer nëntë vite në ushtrinë osmane. Gjatë kësaj kohe zotëroi mirë gjuhën osmane dhe atë turke kurse në Selanik përfundoi shkollën e oficerëve të  marinës.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak është kthyer në Obrovë, në vendin  e tij të lindjes, ku hapi një fermë dhe punoi në dyqanin (mishtore) familjar në Bijello Pole.

Me lahutën u mishërua që në fëmijërinë e hershme ndërsa aftësinë e ekzekutimit e mësoi nga babai i tij Huseini, i cili ishte një lahutar i shkëlqyer dhe më i njohuri i asaj kohe. Në sajë të talentit të jashtëzakonshëm dhe aftësisë që posedonte, me kalimin e kohës arrin të bëhet këngëtari dhe lahutari më i kërkuar në trevën e Sanxhakut dhe më gjerë.

Hulumtuesi i njohur i krijimtarisë epike ballkanike Milman Parry, gjatë vitit 1935, regjistroi në pllakë speciale fonografe me 80.000 vargjet epike të Avdo Mexhedoviqit. Në bazë të këtyre studimeve Parry ka shpikur teorinë moderne të letërsisë gojore dhe homerologjinë moderne.

Lordi Albert Bates, gjithashtu profesor në Universitetin e Harvardit, vazhdoi punën për mbledhjen e krijimtarisë epike nga viti1950 deri më 1951 dhe regjistroi edhe 18.000 vargje të Avdos. Në këtë mënyrë është kompletuar një koleksion mbresëlënës prej rreth 100.000 vargjeve të Avdo Mexhedoviqit.

Mexhedoviqi i ka rrëfyer Perry-it se “të parët e tij kanë ardhur para 200 viteve nga  Nokshiqi apo Nikshiqi,( nga inqizimi i dobët nuk dëgjohet mirë për cilin vend  bëhet fjalë saktësisht). Ata kanë dyshuar në identitetin e tij, por nuk u ka shkuar mendja se  ai mund të jetë shqiptarë. Profesori Perry një vit ka qëndruar në Beograd për ta mësuar gjuhën serbe. Perry ka qenë bartës i projektit, ndërsa Lordi ka qenë asistent i tij. Profesori e mësoi serbishten por gjithnjë duke menduar se kjo zonë është sllavo folëse” - thotë mes tjerash prof. Zymer Neziri..

Avdo nuk ka lënë vargje në shqip, por fjalë po. Neziri potencon se kur është përgatitur poema “Martesa e Mehë Smailagiqit” (Zhenidba  Smajlagiq Mehe), poema më e gjatë me mbi 12 000 vargje, kanë hasë në fjalë të cilat nuk i kanë kuptuar, atëherë është kërkuar ndihma e  Qamil Sijariqit, i cili i ka përkthyer fjalët shqipe.

I panjohur dhe i papranuar, Avdo Megjodoviqi vdiq në vendlindjen e tij Obrovë në vitin 1953. Sulejman Zatriqi në vitin 2011 ka prodhuar emisionin filmik për jetën dhe veprën Avdo Megjedoviqit.

Ragip Sijariqi, nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat  me lahutë është kënduar nëpër ndenja dhe  janë treguar tregime sipas traditës në kontuinintet nëpër gjenerata dhe në kohën e Avdo Mexhedoviqit janë mbajt edhe gara për lahutarë. Duke folur për lahutarin Xhyl  Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruan si hajmalitë. Ato ruhen në vende  të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte  me libra të vjetra dhe të shenjta”.

Në Peshter, të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi potencoj se në shkurt të viti 2005 në Velepole të Tutinit kam prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën, me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullor dhe këngëtarët e këngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar këngë “Dy nga dy”, edhe at vetëm meshkujt- sipas melosit të vjetër peshteras ( shqiptar v I. A).

Avdo Mexhedoviqin në Bihor të gjithë e kanë njohur dhe me dëshirë e ka dëgjuar tërë popullsia e Sanxhakut – nga Bijelo Pola deri të Pazari i Ri. Në fshatra, posaçërisht në dimër, janë organizuar ndeja. Njerëzit janë tubuar nëpër oda në shtëpi të familjeve imune ku vinin lahutarët dhe ku këndohej edhe deri në mëngjes.

Më së shumti janë tubuar në fshatrat Shipovicë, Godijevë (në shtëpitë e Sijariqëve), në Koritë (në shtëpitë e Mekiqëve, Mehajve  dhe Alihoxhajve), në Cërhal, Dashqarijekë, Vrbicë, në disa fshatra të Rozhajës, Tutinit dhe Senicës.

Bazë e tematikës epike e këtyre këngëve kanë qenë këngët për luftërat e këngëtarëve të Plavës e Gucisë për ruajtjen e integritetit gjeografik dhe kulturor, lirinë dhe të drejtat për pavarësi. Pra, në mesin e dytë të shek. XIX dhe gjatë shek. XX, posaçërisht në lidhje me ngjarjet nga viti 1912 dhe deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Oj qikë me fistan të bardhë!
Inshaallah  peshterasit vijnë me të marrë”!

Peshteri prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do të ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive. Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën.

Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjak  që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878.

Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane.

Prandaj është i justifikueshëm vlerësimi i Husein Bashiqit: \"Nuk ka pothuajse trevë në vendin tonë në të cilin në një hapësirë kaq të vogël të ketë ndodhur depërtim më intensiv i shprehjes shpirtërore të shumë popujve \" (boshnjakëve, malazezëve, serbëve dhe shqiptarëve).

Peshterasit në shaka por shpesh edhe me përbuzje, për disa lahutarë të cilët kanë qenë në gjendje jo të lakmueshme ekonomike, kanë përdorë një thënie të njohur: „Takum pasha, hall magjupi“ (I veshur si Pashë, ndërsa gjendja ekonomike e familjes shumë e keqe).

Salih Uglla (Ugljanin) (1849-1945) ose „Salih Peshteri“ është nga fshati Ugëll (Ugao) të Peshterit. Siç është deklaruar vëllazëria e tij, ai është me prejardhje nga fisi Kelmend i besimit katolik. Nga ana e nënës ai rrjedhë nga Gucia. Me lahutë dhe këndim ka filluar të merret nga mosha 15 vjeçare kurse mësimet i ka nxënë nga Husë Qorri Husoviq nga Kollashini, nga peshterasi Hamzë Alibasha nga Suhodoli dhe nga Huzeir Baliq - Huzbalia nga Dobri Dubi, gjithashtu lahutar i këngëve kreshnike.

Uglla ka filluar herët të merret me shitblerjen e kafshëve në Selanik dhe Shkodër. Në bazë të incizimeve të  Milman Parry (The Milman Parry Collectionof Oral Literature), mësojmë se rreth vitit 1908 ka shkuar të jetoj në Pazarin e Ri. Aty u bë pronar i një Hani dhe e mbajti në posedim deri në fillim të Luftërave Ballkanike 1912/13. Sipas Prof. Dr Zymer Neziri Uglla ka qenë edhe pjesëmarrës në luftën për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Në fshatin Uglla sipas tij kanë qenë 70 shtëpi të fiseve ilire katolike-myslimane (Uglla, Hukiq, Bibiq, Martinoviq, Zahiroviq, Zukoviq, Plakiq, Kurbasheviq, Arslanoviq, Seferoviq etj.). Me lahutë ka kënduar Ramë Zuka (Ramo Zukov) i cili është mësuar gjatë qëndrimit të gjatë në Bosnjë.

Vlerësimet e disa hulumtuesve, kanë qenë krejtësisht tendencioze dhe jo të sakta që kishin për qëllim ta klasifikonin Ugllën si lahutar të nivelit mesatar (M. Murko, Albert B. Lord, Gesemann, A. Schmauss dhe Rajko Medenica). Këtë e vërteton edhe prof. Zymer Neziri, i cili thotë: “Salih Uglla nuk qëndron nën hijen e Megjedoviqit, është shumë i madh, madhështor, këtë e kanë bërë shkencëtarët serb me qëllim të ngritjes  së Avdo Mexhedoviqit, të cilin me çdo kusht janë munduar ta paraqesin si sllavo-boshnjak, me qëllim që të mohojnë eposin shqiptarë në Sanxhak”.

Prof. Neziri përshkruan edhe bisedën të cilën e ka zhvilluar Profesori nga Harvardi, me S. Ugllën, i cili dëshmon para  tij përkatësinë e tij etnike shqiptare, duke ia përshkruar shkuarjen e tij të parë te familja e gruas së tij të dytë e cila nuk ishte shqiptare.

Para këtij rrëfimi, i cili është i incizuar dhe ruhet në Harvard, profesori amerikan  kupton se ka të bëjë me një popull i cili nuk është sllav, e që vetëm rastësia i ka bërë të ngjashëm dhe jetojnë së bashku në këto treva. Pas kësaj ngjarje  profesori e porositë asistentin e tij që të vazhdojnë studimet për  shqiptarët.   

Salih Ugljanini tregon se shumë lahutar kanë ushtruar  dhe kanë arritur të bëhen të mirë falë \"shortimit\" dhe duke dëgjuar të famshmin dhe të verbrin në njërin sy,  Qorr Hysën  nga Kollashini, i cili ishte musafir i përhershëm në fshatrat e Peshterit. 

Në vitin 1953, prof. Beliq nga Beogradi ka bërë marrëveshje me Kembrixhin për botim të këngëve. Lordi, siç ka shkruar parathënien e librit , e ka dërguar dorëshkrimin në Beograd por Beliq ka hequr 10 rreshta, pjesën ku bëhet fjalë për lahutarët dygjuhësor- bingual. 

Prof. Neziri, bazohet në katër pika në shpjegimin e prejardhjes shqiptare të  Avdo Megjedoviqit: 1. plisi, të cilin nuk e mban ndonjë  etnitet tjetër përveç shqiptarëve; 3. fjalët shqipe që i përdorë në këngët e tij epike;  3. deklaratën e tij para profesorit Perri kur thotë se ne  rrjedhim nga gjaku i Ferizit, jo Ferizoviqit (citoj: “Mi poticemo od krvi Ferizi”), dhe 3. sintaksa e tij.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)