19 Prill 2024

Kasta e vjetër duhet të largohet nga politika

Shkruar nga Faik Krasniqi

Skena aktuale politike në Kosovë është e degraduar, e korruptuar dhe e kriminalizuar!

Prandaj edhe shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë humbur besimin dhe shpresën te kjo klasë e korruptuar dhe kriminalizuar politike, pavarësisht a janë në pozitë apo opozitë. Këtë e dëshmuan ikjet e qytetarëve nga vendi, pikërisht për faktin e humbjes së besimit te kjo klasë politike, e cila nuk po jep shpresa se do të ndryshojë diçka për të mirë të qytetarëve.

Kjo klasë politike, me përjashtim të disa politikanëve janë të tejkriminalizuar, të konsumuar, të korruptuar, analfabetë, injorantë dhe të tillët janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe penguesit e moszhvillimit të shtetit, ekonomikisht, politikisht etj!

Në situatën e rëndë ekonomike dhe politike në të cilën ndodhen Kosova, fatkeqësisht, nuk është zgjidhje largimi nga pushteti i partive që janë pushtet dhe ardhjen në pushtet të partive opozitare!

Por, zgjidhja është që të largohen nga skena politike, e gjithë kasta e vjetër politike, të cilët janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë ekonomike, politike dhe në çdo sferë të jetës, dhe penguesit kryesorë të moszhvillimit ekonomik!

Këtij vendi i duhet gjak dhe mish i ri i gjallë, klasë e re politike, pa hipokrizi dhe jomashtruese, e padjallëzuar dhe e pakriminalizuar! Kosova ka djem e vajza të reja, gra e burra të përgatitur mirë profesionalisht, me etikë e integritet për ta udhëhequr shtetin drejt zhvillimeve progresive në drejtim të BE-së, por gjithmonë pengesë kanë qenë ujqërit e vjetër të politikës, të cilët gllabëruan këtë vend dhe duan të rrinë deri sa të vdesin në pushtet dhe gjithmonë me poste të larta prej sundimtarësh!

 Kur djemtë e vajzat më të mirë të Kosovës i marrin frenat e shtetit në dorë, vetëm atëherë do ta shohim ndryshimin me sy, do të ecim përpara dhe do të përparojmë pandalshëm!

Kosova do të ecë përpara vetëm nëse këta politikanë shkatërrues, kriminelë, të korruptuar, largohen njëherë e mirë nga politika, përndryshe, ky vend nuk do të ketë fare të ardhme, derisa këta do të jenë pjesë e politikës! Me kastën e vjetër politike, nuk do të kemi as më të voglin përparim, por vendi vetëm do të zhytet akoma më shumë në krim politik dhe ekonomik duke thelluar krizën e papërmbajtshme!

Nevojitet një frymë e re politike!

E për t\'i larguar këta ujqërit e vjetër nga politika, duhet të merret një iniciativë nga shoqëria civile (pjesa e shëndoshë e saj) dhe nga njerëzit e mediave (pjesa e shëndoshë e saj), për ta formuar një formacion të ri politik, me njerëz të papërlyer, të pakorruptuar dhe jo shkelës të ligjit!

Sot skenës politike në Kosovë më shumë se kurrë i nevojitet një formacion i ri politik, që ua kthen shpresën e humbur qytetarëve, e cila do të përbëhej nga njerëz të rinj e të pakorruptuar, me shkollim adekuat nga jashtë e brenda, që merr përsipër të punojë për sundim të fortë të ligjit, për konkurrencën normale në tregun e biznesit etj.

Qytetarët e Kosovës janë duke e vuajtur mungesën e këtij formacioni të ri politik, i cili do të mund të fitonte simpatitë dhe besimin e qytetarëve në masë, por për të ndodhur kjo, ky subjekt i ri do të duhej të përbëhej nga njerëz të aftë, të dijshëm, të panjollosur deri tani, të pakorruptuar, larg krimit të organizuar, dhe të cilët do të dispononin energji të shëndosha, të kenë qëllime fisnike dhe energji pozitive për ta zhvilluar këtë vend të nëpërkëmbur dhe të lodhur nga vuajtjet e mëdha...

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)