29 Mars 2024

A po shkelet dinjiteti i bursistëve

Shkruar nga Ardian Pllana

Para disa muajsh, saktësisht në dhjetor të vitit të kaluar, njoftimit për Aplikim për Bursë Universitare iu përgjigjen një numër mjaft i madh i studentëve, të cilët në indeksat (ID) e tyre kishin siguruar notën mbi 9.0, respektivisht 8.0 për disa fakultete.

Bursa, siç edhe është e njohur botërisht, shërben për plotësimin e nevojave të studentëve gjatë studimeve të vitit vijues, siç janë: blerja e literaturës, pagesa e semestrave, pagesa e ushqimit, konviktit, transportit dhe plotësimi i nevojave tjera.

Por jo vetëm kaq. Qëllimi kryesor dhe kulmor i një burse universitare është nxitja, stimulimi dhe motivimi i studentëve të dalluar që edhe më tej të tregohen të suksesshëm, të studiojnë, të garojnë me dije për nota të larta, e po ashtu ka edhe qëllim të nxitjes për studentët tjerë që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve më të mira. Për menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës,

Rektorin e këtij Universiteti, Senatin dhe Këshillin Drejtues, ky nuk është qëllimi i ndarjes së bursës për studentë. Për ata qëllimi është që vetëm t\'u ndahet një shumë e të hollave studentëve dhe me kaq të merr fund një detyrim i tyre.

Pse mund të nxjerrim një përfundim të tillë?

Kjo për faktin se për vitin akademik 2012/2013 shuma e bursës që i është ndarë një studenti të dalluar ka qenë 900 euro, për vitin 2013/2014 ka qenë 800 euro, ndërsa për vitin 2014/2015 kjo shumë ka rënë në 700 euro.

Pra, për çdo vit kemi rënie të vlerës së bursës, që në fakt do të duhej të kishte ngritje. Këtë vit, Rektori i Universitetit publik “Hasan Prishtina” fillimisht ka marrë një vendim arbitrar që shuma të jetë 620 euro! Mirëpo, siç flitet, Senati përfundimisht ka vendosur 700 euro.

Kjo çështje nuk është e saktë qind për qind, sepse këto të dhëna i kemi mësuar nga studentët, nga dikush që ka dëgjuar diçka për këtë çështje, pasi që të nxjerrësh një informacion nga Rektorati është njësoj sikur të nxjerrësh informacion nga Korea e Veriut.

Vendimet që i merr Rektori, Këshilli Drejtues apo Senati, mbeten vetëm vendime që ata mund t’i shohin dhe të disponojnë me to, e në raste të veçanta këto vendime bëhen publike vetëm pas ndërhyrjes së pushtetit të medias, sepse sa për studentë kjo gjë është thjeshtë e pa arritshme.

Web faqja e UP-së ekziston, është në funksion, por ajo nuk shërben për publikimin e vendimeve, procesverbaleve e njoftimeve (për këtë shiqo faqen: www.uni-pr.edu).  Edhe ajo ka një qëllim tjetër, nuk funksionon për atë që do të duhej të funksiononte!

Fakte dhe data

Universiteti i Prishtinës \"Hasan Prishtina\" më 16 dhjetor 2014 ka bërë shpalljen e konkursit për aplikim për Bursë Universitare. Më pas, Komisioni për ndarjen e bursave ka marrë vendim me datën 11 mars 2015, ndërsa publikimi është bërë më 24 mars 2015 (dhe më 15 prill në faqën e Fakultetit Juridik).

Sa i përket afatit të dorëzimit të dokumenteve, ky afat ka qenë deri më 10 prill 2015. Pra, nga 1 tetori deri më 11 mars, janë gjithsejtë 194 ditë kohë për t\'u marrë me bursa.

Rikujtojmë se nga praktika e viteve të kaluara, kjo bursë do t\'u shpërndahet studentëve në dy pjesë, dhe pjesa e fundit mund të vonojë deri në qershor-korrik të këtij viti apo edhe më gjatë, pra pas përfundimit të vitit akademik. Kjo tregon se bursa e studentëve të dalluar nuk jepet për nevoja studentore, por më shumë për pushime verore.

Numri i bursistëve, një problem apo sfidë?

Numri i bursistëve nëpër të gjitha fakultetet është siç vijon: Fakulteti Jurdik 122, plus Dega në Gjilan 20, gjithsejtë 142 bursistë, Fakulteti Filozofik 55, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore  93, Fakulteti i Filologjisë 90, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 32, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike 10, Fakulteti i Mjekësisë (gjitha drejtimet) 151, Fakulteti i Arteve 149, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë 8, Fakulteti i Edukimit 92, Fakulteti i Shkencave Teknike Aplikative, Dega në Mitrovicë 14, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara, Dega në Ferizaj 12, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 76 dhe Fakulteti Ekonomik (të gjitha drejtimet) 507 bursistë.

Pra, në gjithë Universitetin do të shpërndahen gjithsejtë 1.440 bursa. Sipas asaj që flitet, bursa do të jetë 700 euro dhe diferenca e asaj çfarë studentët kërkojnë që është 900 euro është shuma 200 euro për studentë, që i bie gjithsejtë 288 mijë euro. Mirëpo, a thua ia vlenë për këtë shumë studentët të protestojnë, të dalin rrugëve të kërkojnë ngritje bursash?

Dinjiteti i studentit

Megjithatë, për t’u rikthyer në temë, rikujtojmë se shuma 700 euro për bursistë, për dallim nga vitet e kaluara sa ka qenë edhe 1.200 euro, është jo një bursë, por një ndihmë sociale që i ofrohet studentit të dalluar. Ajo nuk e ka qëllimin e një burse, nuk është përmbajtja e një burse. T’u jepet studentëve të dalluar një shumë e tillë është veprim vetëm sa për t’ua mbyllur gojën.

Unë nuk them se kjo shumë është e vogël (në kuptimin monetar) apo se e përbuzi një shumë të tillë, por them se një shumë e tillë për një student shembullor është ofenduese, është dhunim i dinjitetit të studentit. Studentët e mirë nuk mësojnë për një bursë, ata nuk kërkojnë nota të larta sa për të arritur një shperblim material simbolik, por studentët e mirë studiojnë dhe punojnë që të përgatiten për karrierë, t’i shërbejnë vendit, studiojnë të ngriten me vlera, studiojnë që të kenë dinjitet dhe jo që dikush t’ua shkelë atyre dinjitetin dhe t’ua dhunojë dinjitetin e tyre, duke i nënçmuar.

Student i dalluar, mos rri duarkryq, vepro për ta kundërshtuar të keqën, nëse nuk mundesh me vepra atëherë kundërshtoje me fjalë, nëse nuk të jepet mundësia dhe nuk mundesh as me fjalë, atëherë kundërshto dhe urreje të keqën me zemër, luftoje atë brenda vetës tënde.

Urime bursat të nderuar kolegë! Të paktën quhemi bursistë, le të ndihemi krenarë si të tillë që jemi!

(Autori është student i Fakulteti Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, fitues i bursës qe tri vite dhe  kryetar i Qendrës për të Rinjtë e Kosovës, QRK)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)