25 Prill 2024

Mjegull shtetndërtimi në Maqedoni e Kosovë

Nijazi Idrizi

Në kohën e globalizimit shtetet demokratike po e shkarkojnë veten nga fuqia e tepërt e tyre dhe po e bartin atë në shoqëri, te grupet e interesit dhe te individët kreativë të cilët pastaj, si të shumëfishuar, atë fuqi po ua kthejnë shteteve të veta, duke ua rritur imigjin atyre dhe duke e ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm.

Por te disa shtete me demokraci të reja e të pakonsoliduara fuqia po merret nga duart e shtetit, por po derdhet në duar krejt të tjera, te grupet politike, te liderët politikë dhe te individët e fuqishëm të cilët po e përdorin këtë fuqi në fushatat për pushtet. Ndërsa në disa shtete po bëhet edhe më keq, fuqia po shkëputet nga shteti dhe po instalohet së pari te liderët politikë dhe familjet e tyre e vetëm ajo çka është e domosdoshme, po ndahet për klanet dhe drejtuesit e tyre të cilët po e përdorin atë për instalimin e autokracisë!

Kjo që po ndodh te këto shtete i ngjanë në shumë aspekte shtetndërtimit feudal të mentalitetit osman, ku Sulltani me familjen e vet dhe me bajraktarë e ndanin fuqinë për ta përjetësuar pushtetin. Ky fenomen më së miri vërehet të shtetet e vogla e të brishta të Ballkanit e shembujt më tipikë janë Maqedonia dhe Kosova.

Në këto hapësira, liderët politikë dhe familjet e tyre, bashkë me “bajraktarët”, e kanë shfrytëzuar mjegullën e shtetndërtimit, duke u instaluar në të gjitha hallkat e tij dhe janë forcuar tej mase, sa e kanë vendosur fuqinë e ndikimit në të gjithë mekanizmin e shtetit.

Në Maqedoni është i njohur tandemi Dajë-Nip me bajraktarët shqiptarë, të cilët ky tandem i ndërron varësisht nga rreziku që mund ta paraqesin ata. Ky tandem me role të ndara, njëri mbi tokë me politikë e tjetri nën tokë me informatë e shantazh, e kanë bërë zap demokracinë me të drejtat e shqiptarëve atje dhe e kanë eksportuar këtë model të qeverisjes edhe në Kosovë.
Modeli maqedonas i qeverisjes së dy vëllezërve siamezë në Kosovë është ndërtuar nga e njëjta shkollë, me të njëjtat role të ndara, me çka nuk u vu në dyshim vetëm funksionimi i shtetit të Kosovës, por edhe ekzistenca e tij.
Për t’u mbajtur kjo gjendje, ky model shtetndërtimi parashikon të mbahet nën kontroll me çdo kusht, fuqia! Ajo nuk duhet të kalojë në asnjë dorë të pasigurt, pavarësisht aftësive profesionale e kreative që mund t’i ketë dhe pa i marrë parasysh pasojat për gjeneratat që do të vijnë.

Për këta njerëz Kosova mbetet ajo që është thënë për Shqipërinë para një shekulli, “ajo është shprehje gjeografike”, me dallimin se atëherë këtë e kanë thënë të huajt e sot këtë po e thonë “tanët”! Ndërsa për ata njerëz atje, Maqedonia po bëhet mollë sherri! Nga këto pasoja, jo vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe mirëqenia e familjeve që varen vetëm nga puna e tyre, krejtësisht diktohen. Gjithkund ka një rend! Pushtetet i ndajnë projektet: të parët për Liderët, të dytët për familjet e tyre, pastaj “Bajraktarët” sipas mundësisë së përdorimit të tyre.

Prandaj nuk duhet të çuditemi pse ne sot kalojmë nëpër rrugët të cilat i kanë shtruar kompanitë e familjeve të Liderëve, nëse shpenzojmë karburantet e tyre, nëse i sigurojmë makinat në kompanitë e sigurimit të tyre, nëse bëjmë ndreqjen e makinave në serviset e tyre, nëse pushojmë e ushqehemi ne hotelet dhe restorantet e tyre, nëse banojmë në pallatet e tyre etj.

Ky model i qeverisjes i ka afruar tej mase këto dy vende të cilat i ka bërë të varura nga informata dhe argatllëku që ato janë të detyruara t’ia ofrojnë njëra tjetrës, në heshtje të plotë, në luftën e tyre të egër për mbijetesë.
Kjo afri në disa raste “është shfrytëzuar njëanshëm” për ndjekjen e kundërshtarëve politik, të cilat kanë përfunduar me vrasje makabre, siç ka ndodhur në rastin e Harun Aliut me shokë, të cilët në të vërtet janë likuiduar, me qëllim që të hiqen qafe përgjithmonë. Janë bërë edhe vrasje tjera, pa asnjë arsye të qëndrueshme, për shkak të të cilave këto dy vende nuk po arrijnë që të bëhen shtete dhe demokraci evropiane. Për më keq, sa herë që ato po duhet që ta japin shembullin e funksionimit, (për tu vlerësuar me notë kaluese), sikur shkelin në mallkim: në çast kërcënohen nga “gjaku i humbur” dhe fillon rrënimi! Herë në Maqedoni e herë në Kosovë, ia nisin shpërthimet e predhave dhe thirrjet për protesta me protagonistë herë pa adresë e herë me adresë, por që po duket ashiqare, se në fund po e arrijnë një kompromis, me vetëm një qëllim: mbulimin e të vërtetave për fatet e njerëzve! Ky është ai rrethi vicioz nga i cili nuk mund të dilet lehtë.
Se sa do të zgjas kjo gjendje, duhet të jesh profet që të ia qëllosh, sepse te ne nuk vlen kriteri i krahasimit me trendin botërore?!

Një gjë është e sigurt: atëherë kur të filloi shembja e këtij modeli të pushtetit, piskama do të jetë e madhe dhe të gjitha çështjet që kanë shkaktuar drama njerëzore, familjare e kombëtare, do të hapen dhe do të kërkohet përgjigje për to.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)