26 Prill 2024

Dokumentet hapësinore dhe urban në Prishtinë

Shkruar nga Ylber Vokshi -Ylli

Kur asamblistët e opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës,këto ditë e akuzuan pozitën se përse nuk është punuar dokumenti hapësinor,“Harta Zonale e Komunës”,e cila kërkohet të bëhet sipas Nenit 16 të Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor,edhe se shumë mirë ishte e theksuar se “Ministria me akt nën ligjor përcakton elementet dhe kërkesat themelore për hartimin,zbatimin dhe monitorimin e Hartës Zonale të Komunës”,atëherë ishte e qartë se kjo kërkesë tërësisht e pa bazuar kishte konotacione puro politike,e asgjë tjetër.

 Se si janë aprovuar dokumentet hapësinore (PZhK dhe PZhU) në Kuvendin Komunal të kaluar, më duhet ta njoftoi opinionin, pasi e kamë përcjell atë proces që nga fillimi,shtator 2012, deri te aprovimi i tyre,në gusht dhe shtator të vitit 2013. Atë kohë isha në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të ekspertëve të planifikimit komunal të K.K. Prishtinë ( KEPK).

Gjatë kohës mbi një vjeçare, të përcjelljes dhe monitorimi të procesit të punimit të dokumenteve,është nevojitur një angazhim i madh profesional i cili nuk ka munguar. Ishin të angazhuara katër byro projektuese,nga Kosova, Italia dhe Kroacia,duke e supozuar volumin e madh të punëve që priteshin e që në realitet doli tërësisht ndryshe.

Në faza të caktuara janë mbajtur takime,punëtori dhe diskutime publike,ku ne si Këshill kemi qenë konstruktiv,me vërejtje dhe sugjerime,me të vetmin qellim që të fitojmë dokumente të mira dhe të aplikueshme,pas 12 vite pritje pas luftës. Koha e vërtetoi se ato vërejtje aspak nuk u respektuan nga përpiluesit e dokumenteve,pasi ato veprime i toleroi nomenklatura komunale e asaj kohe.

Edhe sot nuk i di arsyet pse ashtu vepruan ashtu,kur vet e kishin angazhuar trupin konsultativ dhe këshillëdhënës të ekspertëve,që vepronin në kuadër të Këshillit.

Më duhet të theksoi se puna e Këshillit që në fillim ishte e vështirësuar me neglizhencën e organeve përgjegjëse komunale,si dhe pasivitetin e disa anëtarëve të Këshillit.

Me angazhimin maksimal në tërë kohën e përgatitjes së dokumenteve, është arritur një nivel i dëshirueshëm i përcjelljes së punës. Anëtarët e Këshillit në faza të ndryshme nuk kanë pasur trajtim adekuat profesional, sa i përket anës materiale janë nënçmuar maksimalisht, me mos pagesën e punës dhe ekspertizës së kryer në tërësi.

Ishte qasje tërësisht e gabuar e strukturave komunale të Prishtinës, në këtë proces të rëndësishëm për përpilimin e dokumenteve të mirëfillta hapësinore komunale.

Ashtu ishte vepruar edhe me planet rregulluese urbane në vitet e fundit, ishin punuar mbrapsht, thua se Prishtina ishte në një planet tjetër, aspak të bazuara në të dhëna reale, duke mos përfillur ligjin, standardet ndërkombëtare për ndërtimet, rehabilitimet apo zgjerimet urbane, të cilat i diktoi edhe perioda e pas luftës së vitit 1999.

Për të gjitha këto çështje e kam ngritur zërin në MMPH ku punoja,në Komunën e Prishtinës (Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Planifikimit Komunal të K.K.Prishtinë), në MMPH (Kryetar i Këshillit  të Planifikimit Hapësinor të Kosovës),me anën e debateve publike dhe profesionale,e në dhjetë vjetshin e fundit edhe me shkrime në shtypin ditor,në revista apo simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për të gjitha këto ecuri të kaluara as që do të kisha reaguar,po mos të ishin reagimet e këtyre ditëve të Qeverisjes së re komunale,të cilët për çdo ndërmarrje në hapësirë po kanë vështirësi të mëdha,në implementimin e Dokumenteve Hapësinore dhe Urbane,të aprovuara në përbërjen e Kuvendit Komunal të kaluar.

I çuditshëm ishte aprovimi i atyre dokumenteve nga ana e asamblistëve të Kuvendit Komunal në gusht edhe shtator të vitit 2013. Tani një nga ish-këshilltarët në Kuvendin Komunal, deklaron se “ky është një mashtrim nga përbërja e kaluar e KK-së”.përse ai u mashtrua, apo i kishte kalkulimet e veta personale !?

Kjo e tregon një të vërtetë se asamblistët (50 veta) fare nuk ishin interesuar apo njoftuar me përmbajtjen e “Vërejtjeve,sugjerimeve dhe Rekomandimeve për PZhU 2012-2022 + dhe PZhK 2012-2022 +”,të cilat Këshilli i ekspertëve të planifikimit i K.K. të Prishtinës,me kohë iu kishte  dërguar.

Për hir të vërtetës do ti theksoi vetëm disa “Vërejtje dhe sugjerimet të PERGJITHSHME të cilat KEPK i ka theksuar në raportet voluminoze përfundimtare, për të dy dokumentet (PZhU dhe PZhK) të Komunës së Prishtinës.

·    E meta ma e madhe e dokumenteve (PZhU dhe PZhK) është mungesa dhe saktësia e të dhënave sipas të cilave janë përpiluar këto dokumente hapësinore. Për objektet private të infrastrukturës komunale nuk kemi evidenca fare ose të pakta dhe të mangëta.

·    Prishtinën duhet trajtuar si kryeqytet i Kosovës,të dhënat për fluksin e madh ditor,javor,mujor,dhe vjetor të popullsisë në Prishtinë nga aspekti hapësinor dhe urban duhet trajtuar veçmas me një studim të mirëfilltë i cili duhej të ishte pjesë e PZhU-së. ...

·    Kufijtë e qytetit të cilët grafikisht janë definuar nga AKK (Agjensioni Katastral i Kosovës),duhet të jenë të plotësuara detal me numrat e parcelave apo ngastrave kadastrale,që mos të kemi probleme ndër-komunale si në të kaluarën me Fushë Kosovën. Si dhe të mundësohet të definohen aktivitetet urbane saktësisht.

Më duhet të theksoi se janë dhënë edhe “Vërejtjet dhe sugjerimet DETALE”, gjithsejtë 88 (39+49),të cilat së bashku me Rekomandimet për K.K të Prishtinës, që përpiluesit e dokumenteve në afatin e paraparë ligjor, të bëjnë plotësimet, korrigjimet, argumentimet e të gjitha vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna nga Këshilli.

Këto rekomandime  tërësisht janë injoruar, prandaj situata në Komunën e Prishtinës ende është si është në aspektin hapësinor dhe urban.

Nga kjo shihet qartë se nga ana ynë që nga fillimi i procesit është kërkuar që të respektohen elementet kryesore teknike që duhej të përmbanin ato dokumente,si është saktësia e të dhënave hapësinore,caktimi i kufijve të ri të qytetit i bazuar në të dhënat kadastrale (numri i parcelave).

Këto do të mundësonin të definohen zgjidhjet dhe aktivitetet urbane saktësisht, ku do të vinte në shprehje edhe kreativiteti artistik i përpiluesve të dokumenteve.

Por as këto kërkesa elementare teknike, për shumë arsye, nuk janë përfillur. Për atë i kemi këto dokumente hapësinore në pjesën ma të madhe të pa zbatueshme,edhe së nga ana e Këshillit shumë herë kanë qenë në dijeni të dy palët.

Intenca ynë ishte që në të njëjtën kohë Prishtina të ishte model se si duhet të punohen këto dokumente, edhe për komunat tjera në Kosovë,pasi ato i kishin të njëjtat mangësi.

Janë harxhuar mjete të mëdha materiale në tërë vendin, por ma tragjike është ajo se ende nuk kemi dokumente realiste hapësinore askund,e ky është dëmi ma i madh që po i shkaktohet Kosovës.

Kjo mënyrë e punës, ky nivel i përgatitjes së planeve të ndryshme urbane, në të njëjtën kohë ka mundësuar mos respektimin e tyre, janë bërë abuzime të ndryshme me hapësirën urbane dhe shumë veprime të jashtëligjshme, jo vetëm në komunën e Prishtinës.

Reagimi im tani dikujt do ti duket paksa i vonuar, është bërë ekskluzivisht për shkaqe të mos ndikimit në proceset politike, të cilat janë shumë të ndjeshme në Kosovë.

Të vetmin qëllim e kamë pasur me e ndryshuar qasjen ndaj kësaj problematike, jetike për funksionimin e një kryeqyteti si është Prishtina.

Domosdo duhet ndryshuar  praktikat e gabuara ndaj hapësirës urbane në Prishtinë dhe në të gjithë vendbanimet tjera në Kosovë.
 
/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)