26 Prill 2024

Një ministri për integrimet Kosovë - Shqipëri

Shkruar nga Faton Abdullahu

Nëse një shtet ku ka kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit, është krejt e kuptueshme që në qeverinë e atij shteti të zë vend të rëndësishëm ministria e turizmit dhe të ndahen mjete të konsiderueshme për zhvillimin e kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë.

E njëjta është edhe me ndonjë vend i cili nëse ka rezerva të mëdha nafte ta ketë edhe ministrinë e veçantë për këtë thesar të rëndësishëm.

Është po ashtu e qëlluar që në një vend si Kosova e cila ka prodhuar mërgimtarë të shumtë të krijoj Ministrinë e Diasporës me qëllim që të mbajë lidhje të përhershme me ata, t’i ndihmoj ata dhe të nxjerrë përfitime nga ata.

Nisur nga kjo logjikë është parë si e domosdoshme dhe pragmatike edhe krijimi i Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës dhe qeveritë e vendeve të tjera të cilat aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Nëse i lexoni me vëmendje pikat që diskutohen dhe marrëveshjet që do të arrihen dhe nënshkruhen ndërmjet dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, ju do të shihni se ato nuk janë as të pakta as të thjeshta, përkundrazi.

Parimisht ky konkretizim bashkëpunimi është diçka shumë e mirë. Në të vërtetë kjo qasje për një bashkëpunim më të ngushtë dhe më konkret ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si ide ka ekzistuar shumë më herët  dhe hapat konkret, hedhur së fundi janë përshëndetur nga të gjithë, si hapa pragmatik dhe të dobishëm në shumë sfera.

Vështruar dhe kalkuluar me kujdes mund të vihet lehtë në përfundim se ato, pra çështjet për të cilat do të diskutohet dhe për të cilat do të arrihen marrëveshje, për nga koha mund dhe duhet të jenë të vazhdueshme kurse, këtyre çështjeve mund tu shtohen edhe shumë çështje tjera të fushave nga më të ndryshme.

Ky lloj i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka karakteristika krejt normale të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve të ndryshme të një rajoni, por ato kanë edhe cilësi të shumta të cilat e bëjnë këtë bashkëpunim krejt të veçantë.

Kjo karakteristikë e veçantë e këtij raporti ndërshtetëror, ka cilësi krejt unike që nuk i gjejmë as ndërmjet shteteve të një rajoni, as ndërmjet shteteve të ndryshme me Bashkimin Evropian, as edhe ndërmjet shteteve përbrenda Bashkimit Evropian.

Kemi të bëjmë pra me dy shtete të krijuara nga një komb i njëjtë. Kjo është unike në Evropë dhe më gjerë.

Nisur nga kjo, do të ishte shumë pragmatike dhe e qëlluar që për diçka kaq unike dhe me qëllim që të merren në konsideratë, të shtyhen para dhe të begatohen kërkesat dhe aspiratat e shumta që dalin nga kjo gjendje të krijohet Ministria për Integrime Shqipëri - Kosovë.

Kjo në rend të parë duhet të bëhet jo vetëm pse ka shumë punë dhe ato mund t’i kryej më mirë një ministri, por për faktin se ato janë aq të shumta, aq të nduarndurshme dhe të vazhdueshme sa që një ministri duhet të ekzistoj thjeshtë me qëllim që të jetë një lloj koordinatore konkrete ekspertësh të ndryshëm dhe një ndihmëse e madhe profesionale për këtë çështje kapitale.

A duhet ta kenë edhe Shqipëria edhe Kosova nga një ministri për integrime Shqipëri - Kosovë në qeveritë e tyre apo, më mirë do të ishte që të dyja bashkë ta kenë një të vetme të tillë, por të financuar nga të dyjat, duhet të jetë çështje për diskutime dhe analiza ekspertësh të cilët mund të vijnë me plan konkret për përgjigje adekuate rreth kësaj dileme.

Krijimin e kësaj ministrie pos nga përfitimet e shumta dhe të vazhdueshme që do të kenë dy shtetet tona, duhet parë edhe nga dy prizma tjera.

Së pari,  cilat do të jenë efektet e saj në rajon, apo thënë më ndryshe, cilat do të jenë reagimet e fqinjëve tanë dhe në anën tjetër cili do të jetë vlerësimi dhe reagimi i Bashkimit Evropian, aq më shumë kur dihet se dy shtetet tona aspirojnë të bëhen pjesë e saj dhe janë nën shumë projekte të dizajnuara në Bruksel.

Konsideroj se vlerësuar gjithanshëm, deri më tani dy shtetet tona, me asgjë nuk kanë krijuar kurrfarë përshtypje, aq më pak bindje se me sjelljet e tyre po bëhen jo paqësor për rajonin, apo se me veprimet apo qasjet e tyre po ndjellin pasiguri për këdo qoftë në rajon apo brenda hapësirave të tyre.

Në anën tjetër, ky segment i ri i raporteve Shqipëri - Kosovë nuk do të ishte kurrfarë pengese që këto dy shtete të vazhdojnë projektet dhe rrugëtimin e tyre tek e tek për në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, ky integrim dualist do ta shpejtonte dhe lehtësonte këtë integrim.

Përfundimisht ky projekt qeveritar i dy qeverive tona, gjithsesi do të ishte i pranueshëm, por edhe i dobishëm në kuadër të asaj që njihet si integrimet euro-atlantike, sepse thjeshtë si e tillë kjo ministri do të integronte në shumë sfera dy njësi të cilat më pas do të jenë pjesë integrale dhe aktive e strukturave të tjera të një njësie më të gjerë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)