28 Mars 2024

Ne ende po luftojmë për lirinë

Shkruar nga Ramush Haradinaj

Lufta e solli lirinë e popullit dhe shtetin. E, shteti sot nuk po garanton lirinë njerëzore. Nga lufta e deri te liria njerëzore na ka mbetur ende shumë punë. Shumë përpjekje që duhet të bëjmë. Së bashku. Të përkushtuar e të vendosur në idealet tona. Në besimin dhe vizionin tonë se njeriu i Kosovës duhet të ketë lirinë e plotë, jo vetëm fizike.

Na ka mbetur ende të luftojmë për lirinë tonë. Për lirinë e iniciativës, lirinë e mendimit e të shprehjes, informimit, asociimit, ndërveprimit, lirinë e vendimmarrjes. Vetëm kjo na siguron mundësitë e barabarta për njerëzit e Kosovës. Vetëm kjo na garanton rrugën drejt demokracisë së mirëfilltë. Drejt anëtarësimit në komunitetin e botës demokratike, si shtet i lirë për të cilin luftuam dhe u ndihmuam nga perëndimi.

E sotmja e zymtë, e nesërmja me shpresë

Liria bëhet duke e luftuar të keqen. Ajo mbrohet duke i rezistuar të keqes. Popujt në botën demokratike kanë arritur zhvillimin përmes mospajtimit me gjendjen e keqe. Përmes aktivizimit për të ndryshuar të sotmen e zymtë. Përpjekjes gjithëpërfshirëse për të ndërtuar të nesërmen me shpresë.

Nuk ka qeveri e politikanë që do të mund të ndalin të nesërmen e mirë të Kosovës dhe popullit të saj. Pavarësisht se ku jemi sot, pavarësisht se cili është drejtimi që Qeveria e sotme ka marrë kundër njerëzve të Kosovës, kjo do të kalojë. Do të mbyllet edhe kjo fazë e cenimit të lirisë së njeriut të Kosovës. Nuk do të vazhdojë gjatë. Shumë shpejt do të përfundojë në pjesët e errëta të historisë së demokracisë në Kosovë.

Sot, njerëzit e përjetojnë realitetin si të zymtë. Sepse, qeverisja është plotësisht e zymtë. Është mashtruese dhe manipuluese. Është e mbushur dhe stërmbushur me të pavërteta.

Me logjika hakmarrëse ndaj qytetarit, ndërmarrësve, iniciativës së lirë dhe mendimit ndryshe. Me logjika të politikës së vjetër, të viteve të errëta të Kosovës. E tillë çfarë e kemi parë në fund të viteve të 1980-ta në Kosovë.

Por, populli u ka dhënë përgjigje të qartë e të saktë atyre politikave. Nuk ishte dorëzuar në vitet e 1980-ta dhe as në vitet e luftës. Nuk dorëzohet as tash. Nuk do të dorëzohet kurrë.

Populli i Kosovës di të vlerësojë saktësisht të mirën e të keqen. Di të orientojë fuqitë e veta për të mbrojtur e zhvilluar Kosovën. Për të siguruar që askush nuk mund të luajë me fatin e populllit, me fatin e Kosovës.

E, fati i popullit të Kosovës nuk mund të nxihet edhe më tutje nga krimi i organizuar e korrupsioni, dhuna e keq-qeverisja. Nuk mund të zymtohet edhe më tutje nga mungesa e vizionit për të mirën publike. Nuk mund të kapet shteti i Kosovës përgjithnjë.

Shpresa jonë e përbashkët është fuqia jonë. Është drejtimi për ndryshim të realitetit të sotëm. Është ideali ynë, i dëshmuar, për të ndërtuar jetën e lirë, të sigurt dhe të mbrojtur nga të këqijat e shumta që po i kanosen për çdo ditë vendit tonë.

Ne të mërziturit me këto të këqija qeverisëse që po ndodhin në Kosovë jemi shumë. Ata të kënaqurit me këtë që po i bëjnë për çdo ditë e natë Kosovës janë pak. Të tillët do të dështojnë.

Nesër, të gjithë do të jemi të bindur se ideali ynë për demokracinë dhe qeverisjen e mirë do të tejakalojë këto pengesa qeveritare. Do të arrijmë lirinë njerëzore, lirinë për të zgjedhur e për të mos qenë nën imponimin qeveritar. E nesërmja është me shpresë. Me bindje për të mirën e qytetarit, popullit dhe shtetit.

Lufta dhe Liria

Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e rëndë, por e domosdoshme. Nuk zgjodhëm ne të luftojmë. Nuk zgjodhëm ne të kapim armët kundër ushtrisë e policisë së Serbisë. E kishim detyrim. E kishim obligim për Kosovën, për popullin, për historinë dhe për të ardhmen.

U bënë 17 vjet prej kur Komandanti Legjendar, Adem Jashari, dhe familja e tij luftuan deri në sekondën e fundit të jetës së tyre. Ranë dëshmorë në themelet e historisë së lirisë së Kosovës. Me gjakun e tyre vendosën rrjedhat e historisë. U bashkuan si familje për të bashkuar, më pas, të gjithë të tjerët që nuk pranuan të dorëzohen para të keqes së madhe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më e madhe e arritur ndonjëherë nga populli i Kosovës. Vlerë kjo që është paraprirë nga rezistenca dekadëshe e shqiptarëve për liri e të drejta njerëzore. UÇK-ja do të mbetet përgjithmonë kulmi i përpjekjeve tona për lirinë. Burra e gra të Kosovës nuk menduan më për vete, por për kombin, për Kosovën.

Luftëtarët nuk luftuan për vete. As për lirinë e vet. Ata e fituan lirinë e vet në momentin kur iu bashkuan UÇK-së. Liria e tyre individuale rezultoi me lirinë e popullit. E bënë historinë. Historinë krenare për Kosovën. Historinë e luftës e të çlirimit.

Kemi vuajtur shumë. Lufta na mori burra e gra të të gjitha moshave  e shumë të tjerë dhanë pjesë të trupit të tyre. Kosova është me plotë dëshmorë e martirë. Nuk guxojmë të harrojmë se gjaku i tyre është themeli ynë. Familje të tëra sot qëndrojnë në thelbin e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës.

E kemi bërë lirinë me gjakun tonë! Nuk na ka dhuruar kush! A mos po harrojmë? 

Meritat e luftës nuk degradohen kurrë. Nuk humbin asnjëherë, pavarësisht rrethanave. Të degraduar janë ata që synojnë keqpërdorimin e këtyre meritave. Të degraduar janë ata që kthyen në përfitime personale a grupore vujatjet dhe guximin e popullit të Kosovës për të luftuar. Të degraduar janë ata që synuan e synojnë të përbaltin UÇK-në dhe luftëtarët e lirisë.

Dhe, këso kategorish ka! Fatkeqësisht!

Liria jonë është për të gjithë. Për shtetin dhe shoqërinë. Për popullin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit Ballkanik. Kosova e lirë dhe e pavarur është një garancë për zhvillimin e rajonit tonë të vuajtur për dekada të tëra.

Dhe, ne e kemi shancën të dëshmojmë se shteti i Kosovës është e arritur e rëndësishme për Ballkanin, Evropën dhe botën demokratike. Këtë mund ta bëjmë duke e zhvilluar Kosovën. Duke forcuar shtetin tonë. Duke e demokratizuar Kosovën tonë.

Për këtë, duhet të përpiqemi shumë. Ne ende po luftojmë për lirinë. Lirinë e mendimit e të shprehjes, iniciativës së lirë dhe mendimit ndryshe.

Nuk ka asgjë më të shenjtë se liria. Ajo nuk është vetëm fizike. Tash, po luftojmë për lirinë nga e keqja. Lirinë nga logjikat e qeverisjes autokratike. Edhe këtë do ta arrijmë! Pa asnjë dyshim!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)