29 Mars 2024

Vizita e Thaçit në Gjermani, historike për Kosovën

Prof. Dr. Agim Zogaj

Roli i Gjermanisë në zhvillimet rajonale, ato të BE-së si dhe në Projektin e Rendit të Ri Botëror është parësor për shumëçka, rol me interes të shumëfishtë, në radhë të parë për krijimin e një bote më paqësore dhe më demokratike.

Në këtë kuptim, roli i Gjermanisë për paqen në Ballkanin Perëndimor, veçmas në botën postkomuniste të trazuar, ende në kërkim të sigurisë së plotë për vete dhe për rajonin, është përcaktues i pazëvendësueshëm.

Nisur nga kjo, intensifikimi i marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Gjermanisë ishte dhe është me prioritet të veçantë për diplomacinë e jashtme të shtetit tonë dhe përgjithësisht për strategjinë e ndërtimit të politikës sonë të jashtme në raport me Gjermaninë.

Arsyet e këtij afrimi gjithëpërfshirës diplomatik të Kosovës me Gjermaninë janë reale dhe kuptimplotë. Gjithsesi, ideatori i strategjisë së re, dinamike dhe vizionare të diplomacisë së jashtme të Kosovës, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, është ai i cili më së miri e di dhe me saktësi i ka identifikuar, në kohë dhe në hapësirë, faktorët të cilët e ngritin peshën e thellimit të marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve mike.

Në rastin konkret, Thaçi, në cilësinë e burrështetasit reformator të Kosovës, pas vizitës së suksesshme diplomatike në SHBA, tani, me takimet ndërshtetërore në Gjermaninë mike, po e hap një kapitull të ri të forcimit të marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe përgjithësisht të popullit shqiptar me dy fuqitë kryesore të cilat i kanë dhënë kuptim Rendit të Ri Botëror, pra, Uashingtonin dhe Berlinin. 


Me vizitën në Berlin, Thaçi, ndër të tjera, drejtpërdrejt  e mbrojti kauzën e madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, se jemi faktor i paqes, stabilitetit në rajon dhe se, krahas faktorizimit në arenën ndërkombëtare, duam të ndërpritet izolimi i padrejtë i qytetarëve të Kosovës nga proceset integruese euroatlantike.

Këtë kërkesë shumë sublime, këtë mesazh për Evropën e bashkuar, zëvendëskryeministri dhe njëherazi shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, e tha me guxim diplomatik, me shumë urti politike m’u në kancelaritë e Berlinit zyrtar, në takimet me nivelet më të larta të politikës së brendshme dhe të jashtme të Gjermanisë.

Prandaj, themi se Thaçi, me largpamësinë prej politikani, diplomati  të formatit modern europerëndimor, mesazhet e qytetarëve të Kosovës për Brukselin zyrtar i përcolli, i përçoi pikërisht nëpërmjet Berlinit zyrtar, fuqisë, shpirtit të politikave të BE-së dhe aleatit historik të SHBA-ve.

Nisur nga fakti se Gjermania në politikat e BE-së është faktor kyç për përkrahjen e Kosovës në shumë fusha të cilat e hapin një epokë të re të qëndrimit më të vendosur të Brukselit zyrtar përkrah Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi rrugëtimin tij diplomatik në shtetet anëtare të BE-së e ka nisur, pikërisht në shtetin me ndikimin më të fuqishëm diplomatik, ekonomik, por edhe gjeopolitik, Gjermaninë. Në të gjitha takimet me autoritetet gjermane, zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Thaçi, preku temat bosht, të cilat thellojnë bashkëpunimin bilateral dhe ndërshtetëror midis Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe e afirmojnë Kosovën në arenën e politikave ndërkombëtare euroatlantike dhe më gjerë.

Ndër to, Thaçi me theks të veçantë nënvizoi kontributin e shtetit të Kosovës për sigurinë dhe paqen rajonale, integrimet evropiane, ndërtimin e një hapësire sa më bashkëpunuese midis shteteve të rajonit. Zëvendëskryeministri Thaçi kërkoi hapur nga autoritet shtetërore dhe qeveritare të Gjermanisë rritjen e përkrahjes gjermane për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, duke vënë në pah faktin se Gjermania është një ndër faktorët kyç për ecjen tonë sa më të shpejtë dhe më të sigurt drejt BE-së.

Me të drejtë, zëvendëskryeministri Thaçi nga mikpritësit gjermanë ka kërkuar hapur përkrahjen edhe më të fuqishme gjermane për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke i bërë me dije edhe Brukselit zyrtar se stabiliteti ekonomik në Kosovë është themel i stabilitetit politik të vendit.

Gjithsesi, vërja e theksit, nga zëvendëskryeministri i Kosovës në ligjëratën e mbajtur në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Gjermanisë për rëndësinë e përkrahjes gjermane për zhvillimin ekonomik të Kosovës mund të jetë me rëndësi të veçantë në hapjen e një të ardhme të re për investimet gjermane në vendin tonë.

Thaçi para opinionit gjerman e tha drejtpërdrejt të vërtetën e gjeopolitikës moderne, se roli i Gjermanisë është jetik për Ballkanin që, në fakt, nënkupton rolin përcaktues edhe për faktorizimin e popullit shqiptar gjithandej.

Marrë në tërësi, vizita e zëvendëskryeministrit Thaçi në Gjermani është e një rëndësie të veçantë diplomatike, ndërsa pritet që reflektimet e kësaj vizite shumëdimensionale të krijojnë realitete të reja për faktorizimin e Kosovës në proceset integruese evropiane, rritjen e investimeve ekonomike gjermane në vendin tonë, shtimin e bashkëpunimit bilateral dhe ndërshtetëror midis dy vendeve si dhe ndërtimin e politikave edhe më bashkëpunuese të BE-së ndaj Kosovës.

Vizita e Thaçit në Berlin, veçmas analizuar nga këndvështrimi i gjeopolitikës moderne të Rendit të Ri Botëror, shënon një kapitull të ri, gjithsesi shumë premtues në fuqizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Gjermanisë.

(Autori është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike të UP-së)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)