23 Prill 2024

Rrugëtimi Kombëtar - vazhdon

Shkruar nga Gani Bajram Qarri

Që nga marrja e qeverisjes nga xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman.   

Shqiptarët, të dërmuar nga reprezaljet e pareshtura perandorake, më 1909,1910 dhe 1911, nga përkrahës të pa-rezervë, para ardhjes së tyre në pushtet, do të ktheheshin në kundërshtar të vendosur pas ardhjes së xhonturqve në qeveri.

Madje, përpjekjet e pa suksesshme të elitës së atëhershme kombëtare, para refuzimit kategorik xhonturk për njësimin e katër vilajeteve, krijimin e një etniteti kombëtar dhe pranimin e tij si shtet autonom në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar edhe me shtetet tjera ballkanike, para arritjes së pavarësisë së tyre, detyruan deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar nga arenat e luftës në atdhe, ta bartnin në Parlamentin perandorak otoman.

Atje dhe në atë kohë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike, në seancën e tretë plenare të Parlamentit turk, mbajtur më 11 janar të vitit 1912, në emër të grupit të 25 deputetëve bashkëkombës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, fjalën do ta merrte Hasan Prishtina, i cili me guxim dhe vendosmëri të pashoqe, do të deklaronte;

......nëse edhe kësaj radhe nuk merrni parasysh kërkesat tona të arsyeshme, përsëritur disa herë këtu para jush, si përdorimin e lirë të gjuhës, njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar në trojet e tij etnike, unë do të jem i pari, ai që me flamurin e lirisë në dorë, do ti prijë popullit tim, për çlirim nga Perandoria.

Sipas një shkrimi të Dr. Kristo Frashërit te \"Ora e Shqypnisë\" me titull \"Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk\", i impresionuar nga fjalët e guximshme të tij, Ismail Qemali, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, do të shkonte në shtëpinë e Hasan Prishtinës, ku që të dy, thellësisht të brengosur, do të bisedonin kokë më kokë dhe gjerë e gjatë për gjendjen e rëndë në trojet shqiptare.  (oraeshqypnise.blogspot.com /.../ hasan-prishtina-11-jan...).

Shpërndarja e Parlamentit osman, më 11 janar të vitit 1912, ,do ti qonte Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin- që më 12 janar të atij viti të takoheshin edhe një herë, në hotelin \"Pera Palace\" të Stambollit, ku do të merreshin vesh për mbajtjen e një tubimi të fshehtë me pesë-gjashtë deputet të besueshëm shqiptar.

Takimi do të mbahej mbrëmjen e po asaj date(12 janar 1912) në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim n ë Stamboll dhe sipas vendit ku ai u mbajt, në histori do të njihej si “Kuvendi i Taksimit”.

Aty, u mor vendim që të organizohej një kryengritje e përgjithshme kombëtare, për çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Perandoria osmane.

Ndaj, nga kryeqyteti perandorak, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në Atdhe, për organizmin e Kryengritjes, kurse Ismail Qemali do të ndërmerrte një udhëtim të gjatë nëpër kancelaritë Evropiane për marrjen e pëlqimit dhe përfitimin e mbështetjes për Shtetin e ri Shqiptar, pavarësia e të cilit parashihej të shpallej po atë vit.

Ishte koha kur Bajram Curri vepronte në Shkup, prej nga mbante lidhje të ngushta me të gjitha qendrat e vendit, i cili- me tu njoftuar për vendimin e marrë në “Kuvendin e Taksimit”, Shkupin do ta kthente në epiqendër të veprimit kombëtar.

Atje, ai me bashkëpunëtorët do të formonin “Komitetin për Shpëtim” i cili kishte për detyrë organizimin e kryengritjes së përgjithshme në të gjitha trojet shqiptare.

Me nismën e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, do të mbahej Kuvendi i Junikut, ku  do të vendosej për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.

Në bazë të këtij vendimi, forcat kryengritëse, nga maji deri në fillim-gushtin e vitit 1912 do të çlironin shumicën e vendbanimeve më të mëdha dhe qytetet kryesore  shqiptare.

Kurse më 9 gusht të vitit 1912,kryengritësit do ti paraqisnin Memorandumin e fundit qeverisë xhonturke, me një ultimatum prej 48 orësh, për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve, para se ata ta çlironin edhe Shkupin. 

Plani për çlirimin e tij, me vendimin e Hasan Prishtinës,do ti besohej Bajram Currit, i cili tanimë me 6000 luftëtarë, ishte vendosur në Ferizaj, dhe priste sinjalin nga Hasan Prishtina për çlirimin përfundimtar të kryeqytetit të atëhershëm të Kosovës.

Kurse për “Bajraktar” dhe arkitekt të ngritjes së Flamurit mbi Shkupin e lirë, Bajram Curri zgjodhi Bajram Daklanin, si udhëheqësi kryesor i luftës nga Krasniqja e Reka, i cili siç e thoshte edhe kënga; “ai jo vetëm se e kishte adet, nga një Qaush me vra për vjet”, por ishte edhe njëri nga prijësit më të besueshëm, në radhët e udhëheqësve që kishin mësy Kryeqytetin Dardan.

Ndaj, Bajram Curri personalisht, do ta pajiste atë me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve, me detyrën që të hynte i pari nga të parët në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkup.

Më 12 gusht të vitit 1912,kështu edhe do të ndodhte kur Bajram Daklani në krye të 200 bashkëluftëtarëve pararojë, ga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytet dhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores.

Në ish kryeqytetin e çliruar të Kosovës,do të mblidheshin prijësit kryesor të kryengritjes me mëse 30 mijë luftëtar, me ç ‘rast Udhëheqja Shqiptare e luftës, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, si dhe përkrahësit e mbetur fanatik të Perandorisë së shuar osmane, pushtueses së kamotshme të shqiptarëve.

Pas çlirimit të Shkupit si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, do të trazohej e gjithë qeveria xhonturke, madje kjo ngjarje historike për kombin dhe popullin shqiptar , do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm të Perandorisë osmane, Seid Pasha-in, nga pushteti perandorak.

Por, sukseseve të luftës së kryengritësve shqiptar, siç nuk do tu gëzohej Turqia nuk do tu gëzohej as Rusia dhe vendet hegjemoniste përreth trojeve tona, me ç ‘rast, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, një rus, një anglez dhe një austriak me një ultimatum në dorë.

Ata kërkonin ndalimin e luftimeve, çarmatosjen dhe demobilizimin e të gjithë kryengritësve, me arsyetimin se nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë me forcën e armëve.

Hasan Prishtina me gjeneralët e tij, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin  etj., do të ngulnin këmbë në të drejtën e çlirimit të vendit dhe formimin e shtetit kombëtar, ndaj sipas historianit Dr. Hakif Bajrami, në Shkup dhe rrethinë për 4 ditë me radhë, do të thirrej gjendja e jashtëzakonshme.

Ndaj,më 18 gusht të vitit 1912 do të arrinte përgjigja e qeverisë perandorake, sipas së cilës, do të pranoheshin,12 nga 14 pikat e parashtruara në emër të popullit shqiptar, nga Hasan Prishtina.

Dy pikat e refuzuara, ishin kërkesat kryesore që kishin të bënin me njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit, me të cilat as në momentet e fundit, kur  Perandoria otomane po jepte shpirt, turqit nuk donin ta njihnin popullin tonë dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë së tyre, tashmë në grahmat e fundit të vdekjes.

Mospranimi i atyre dy pikave vinte në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan.

 Megjithatë “Mikja jonë e madhe-Turqia”, “dashurinë” e saj të pashuar për popullin tonë e ka ruajtur pothuajse të njëjtë, qysh nga shekujt e gjatë nën pushtimin e saj. Ajo, nga atëherë, as tani nuk ua njeh gjuhën as pranon kombësinë miliona shqiptarëve, të cilët ende, edhe sot e kësaj dite, ndoshta si i vetmi popull në Turqi dhe rajon, jetojnë pa të drejta kombëtare dhe pa asnjë shkollë të vetme në gjuhën e tyre.

Madje në vend se Perandoria turke të paktën në muajt e fundit të vitit 1912,i cili ishte thuaja-se edhe fundi i ekzistencës së saj si perandori, ta njihte dhe pranonte Shtetin tonë të Pavarur, vazhdonte edhe më tej, me kokëfortësi të deklaronte se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj.

Kështu, pretendimi turk, u kthye edhe në një fatkeqësi të madhe për shqiptarët dhe pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, në emër të \"çlirimit\" të popujve ortodoksë nga shteti \"osman\" të ndihmuara edhe nga Rusia ,në tetor të vitit 1912, do ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.

Atëbotë, Fuqitë e Mëdha si Rusia dhe Franca nuk pranonin krijimin e shtetit shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, kurse Anglia dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur në hapësirat e kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan.

Ndaj, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e  ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, gati sa heshtën fare.

Kurse pas një viti, po ato Fuqi, do ti shpërblenin -jo shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona të pushtuara që më parë, duke pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre, si gjysmë-shteti shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive vendimmarrëse më datën 29 korrik të vitit 1913, në Konferencën e Londrës.

Pra edhe Shpallja e Pavarësisë pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë historisë, do mbetej vetëm histori.

Presidentit Widrow Winston në konferencën e Versajës më 1919, garantoi vazhdimësinë e shtetit shqiptar, kohë kur ende tentohej copëtimi edhe i asaj pjese të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë londineze.

Vatra në Amerikë me përpjekjet e saj dhe zjarrin e pa shuar kombëtar, nga atje ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke lobuar deri tek Presidenca Amerikane,

kohë kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi dhe premtimet e Presidentit Winston, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me shumë dëshirë këndohen nga shqiptarët:

\"Mbahu Nëno mos ke frikë

Se ke djemtë në Amerikë”.

Në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve edhe Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston,për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë,me copëtime të mëtejme, nga Greqia dhe Italia e cila tanimë kishte pushtuar Vlorën.

I entuziazmuar nga përpjekjet e pareshtura kombëtare, patrioti Sotir Kolea,në gazetën dyjavore shqiptare,\"L`Albanie\", e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante; populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.

Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera na bindin se,- festa jonë-28 Nëntori, përveç si festë gjithëkombëtare, është edhe një ditë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë ndaj mikes tonë të madhe- SHBA-s, me falënderimet më të mira për Presidentin Wodrow Winston, i cili mbrojti Shqipërinë më 1919 në Konferencën e Versajës, ashtu edhe për Presidentët Bill Klinton e Gjorgj Bush-  i “ri”, si dhe Shtetin mik të Amerikës në përgjithësi.

SHBA edhe më 1999, ndihmoi Dardaninë dhe shpëtoi popullin shqiptar nga tërbimi serb,e cila në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë dhe detyroj tërheqjen e saj si okupatore nga Kosova.

Njëjtë siç do ta arrinte Kosova edhe mëvetësinë, vetëm pas deklarimit të Presidentit Amerikan George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili njoftoi opinionin ndërkombëtar dhe garantoi të gjithë shqiptarët, se ajo së shpejti do të bëhej e pavarur.

Ndaj, 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë falënderimi me pietet për miken më të madhe të popullit tonë-SHBA-t, si dhe një datë kujtimi për të gjithë ata të cilët që nga viti 1878 e këtej, luftuan për lirinë dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve.

Rruga e nisur atëherë ,duhet vazhduar deri në fund, deri në realizimin e idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar.
 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)