18 Prill 2024

Marathomaku i të drejtave kombëtare dhe të drejtave të njeriut

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Hyrje: Kosova e viteve të nëntëdhjeta kishte hyrë një rrugën njëkahore dhe pa kthim drejt lirisë  dhe çlirimit nga dhuna shekullore e regjimeve serbe të cilat e ndryshuan vetëm pamjen e jashtme në përputhje dhe përshtatje të kontekstit politik të nevojave të këtyre regjimeve ndërsa përmbajtja mbeti skajshmërisht e dhunshme e cila, madje u sforcua dhe u intensifikua pikërisht gjatë këtyre viteve.

Përpjekjet dhe lufta e shqiptarëve për të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare, si pjesë e rëndësishme e këtyre të drejtave nuk ishin ndërprerë kurrë!

Që nga lufta e parë botërore, në mes të dy luftërave, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, burgjet, llogoret dhe kampet e përqëndrimit ishin të mbushur me shqiptarë që kërkonin të drejta të barabarta, të drejta ekonomike dhe sociale dhe sidomos të drejta politike me popujt e tjerë të ish Jugosllavisë me të cilët ishin detyruar të jetonin bashkë, përkundër vullnetit të tyre!

Akcioni i mbledhje së armëve ishte vetëm një prolog për shpërngulje të dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre e që për epilog kishte spastrimin etnik të territorit ku jetonin shqiptarët me shekuj.

Rezistenca e shqiptarëve e armatosur u shua me gjak në Drenicë me ç’rast janë vrarë mijëra shqiptarë. Në fillim të viteve të pesëdhjeta shqiptarët filluan organizimin ilegal politik e që identifikohej me Adem Demaçin i cili do të kalonte afër 30 vite burg në burgjet jugosllave.

Nga ky brum shpërthyen demonstratat e vitit 1968, ato të viteve të 70-ta, të vitit 1981, 1989 dhe si përfundim kishin luftën e armatosur të viteve 1998 – 1999 të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

E cila përfundoi me një marrëveshje që nuk e zgjidhi çështjen shqiptare, as në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës por as në vet Shqipërinë. Mirëpo, u krijuan rrethana të reja dhe kushtet që të mos rrezikohej ekzistenca biologjike dhe fizike e shqiptarëve në Kosovë.

Lufta e KMDLNj –së dhe lufta e Musa Berishës kundër vdekjes : Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut u formua në çastet më të vështira për shqiptarët dhe për Kosovën.

Fillimisht ishin intelektualët që formuan bërthamën e KMDLNj –së, të cilët pastaj zgjodhën alternativën e veprimit politik.

Ky Këshill  u forcua në aspektin organizativ kur në krye të tij erdhi Adem Demaçi duke shtrirë degët, nënkëshillat dhe grupet informative edhe në pikat më të largëta të Kosovës dhe në këtë mënyrë siguronte, me një shpejtësi të mahnitshme informatat të cilat përpunoheshin në nënkëshillat që ishin në të gjitha qytetet e Kosovës, dërgoheshin në Prishtinë pas së cilave, të përmbledhura në formët të informatave, raporteve ditore, javore, mujore dhe vjetore, të përkthyera në anglisht, serbisht dhe, sipas mundësive në ndonjë gjuhë tjetër për t’u dërguar në të gjitha adresat e mundshme vendosëse, te organizatat me renome botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, te mediet vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që, përmes sensibilizimit të paraqitej gjendja e vërtetë e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Këto informata dhe raporte nga KMDLNj ndikuan në hartimin dhe miratimin e shumë rezolutave të Senatit dhe Kongresit të SHBA –ve si dhe konkluzioneve dhe rekomandimeve të Nënkomisionit dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe Nju Jork.

Në kohën kur temperaturat në Kosovë u rritën aq shumë sa që, për t’u përballuar këtyre rreziqeve kërkohej sakrificë e madhe, barren kryesore të punës së Këshillit e bartnin mbi supe ish të burgosurit politikë dhe ata që ishin përfshirë në organizimet ushtarake të UÇK-së të cilët pastaj u bënë pjesë e vet luftës! Lirisht mund të llogaritet se KMDLNj, para dhe gjatë luftës ishte një Brigadë e UÇK-së.

Brigada për të drejtat e njeriut dhe shpërndarje të informatave. Rajoni i Dukagjinit, si vatër e fuqishme dhe e pathyeshme e rezistencës kundër dhunës  serbe dhe çlirim kombëtar ishte qëllim dhe cak i regjimit serb që të thyhet dhe shuhet me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara. Duke dhunuar të drejtat e njeriut dhe duke e dhunuar të drejtën elementare të njeriut. Të drejtën për jetë!

Në këto kushte jashtëzakonisht të rënda ku jeta kishte humbur kuptimin, Musa Berisha, kryetar i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut  në Deçan bënte Luftën Kundër Vdekjes. 

 Jo kundër vdekjes së tij sepse, siç më tha me telefon në një mbrëmje vonë kur ky rajon bombardohej nga Podi i Gështenjave, kur plumbi i parë i forcave  serbe i përshkroi këmishën e qullur nga shiu, i kishte  ikur frika për jetën, bashkë me plumbin! Nuk thuhet kot se vdekjen e kemi më afër se këmishën!

Në këto kohëra, Musa Berisha mendjen e kishte te mijëra civilë të paarmatosur shqiptarë, të cilëve u rrezikohej jeta ndëras Musa në këto çaste u bë zëri i vuajtjeve të tyre, i dhembjeve të tyre dhe drita e shpresës së tyre!

Kur ishte nevoja Musa ishte mjek, infermier, ushtar, komandant, gjeneral, politikan, aktivist për të drejtat e njeriut, poet, kronist, reporter lufte, lajmëtar dhe sidomos ushqyes për një të ardhme më të mirë dhe urë lidhëse e kapërcimit nga Ferri që realisht ishte në atë kohë dhe Parajsës për ata që e mbijetonin këtë ferr! Informatat e atdhetarit që, si Marathomaku kishte vendosur të bëhej Lajmëtar i Lirisë ishin shpërthim i territ përmes shkëndijave të dritës!

Ishte koha kur duhej një forcë dhe vendosmëri e madhe të raportohej për rënien heroike të një luftari të UÇK – së me të cilin deri dje e keni ndarë qelinë e burgjeve jugosllave apo edhe ditët më të mira, të një miku të shpirtit dhe të shtëpisë, një fëmije me abetaren në duar, një vajze së cilës, me jetën i ishte shuar edhe dashuria e një djali që ishte dikund në male apo mbase edhe vet ai kishte fatin e saj, një gjyshi apo gjyshje që e mbante në prehër mbesën apo nipin gjithashtu të ekzekutuar nga forcat kriminale!

Apo raportimi për dhunimin e vajzave, grave madje edhe plakave nga po këto formacione kriminale serbe. Duhej të ruhej mendja në mënyrë që të jeni në gjendje të raportoni gjatë netëve kur nuk keni mundësi ta përdorni as një fije shkrepse në kohën kur nëpër terr duhet të numroni kufomat e masakruara dhe të ekzekutuar. Pa ditur se kush është vrarë, moshën apo gjininë e në shumë raste as numrin e të ekzekutuarve!

Lufta Kundër Vdekjes: Me botimin e kësaj monografie në të cilën janë përmbledhur ngjarjet, informatat, raportet, takimet me ndërkombëtarë dhe intervistat me mediet kryesore ndërkombëtare të asaj kohe, aktivisti i përjetshëm i çështjes kombëtare, kryetari i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Deçan, reporteri i luftës dhe Ndërtuesi i Paqes, Musa Berisha e mundi përfundimisht  vdekjen.

Edhe  fizike të cilën e sfidonte çdo ditë dhe çdo minutë, edhe ate historike dhe faktografike që e gjakonte çdo ditë dhe çdo minutë!  Musa Berisha ishte vet lufta çlirimtare që me informatat dhe raportet e afirmoi këtë luftë si domosdoshmëri për çlirim kombëtar dhe liri! Si mjet i domosdoshëm që përmes sakrificës së UÇK-së dhe civilëve të paarmatosur  të mbrohet e drejta për jetë, si e drejtë elementare njerëzore.

Në këtë Monografi mund ta gjeni terrenin dhe hapësirën ku janë dhunuar në mënyrën më flagrante të mundshme të gjitha dokumentet për të drejtat e njeriut duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuar  e deri te të gjitha konventat evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Monografia Lufta Kundër Vdekjes sa është përshkrim i ngjarjeve të përmbledhura, edhe më shumë është trokitje në derën e ndërgjegjes të atyre që u treguan të pandërgjegjshëm, qoftë si urdhërues të këtyre krimeve, qoftë si kryes të këtyre krimeve apo edhe qoftë si mospengues  të këtyre krimeve në kohën kur kishin mundësi por edhe detyrim ta bënin këtë!

Keqpërdorimi i objekteve fetare në favor të krimeve të luftës është vlerë e shtuar e kësaj Monografie. E cila është e argumentuar në mënyrë të padiskutueshme. Lufta e lavdishme e UÇK-së në Dukagjin me komandantin e shquar Ramush Haradinaj, në mbrojtje të vlerave kombëtare, njerëzore dhe qytetërimit evropian dhe botëror, përmes flijimeve biblike të ushtarëve, civilëve të paarmatosur dhe ekzodi i dhunshëm me qëllim të realizimit të qëllimit të kahmotshëm të regjimeve serbe për spastrim etnik janë motiv i ndritshëm në zymtinë e kohës së kaluar është zemra, shpirti dhe mendja e kësaj monografie.

Në vend të përfundimit: Pasi  e mundi vdekjen fizike, Musa Berisha përmes kësaj Monografie u bë pjesë e amshimit Kombëtar, moral dhe intelektual!

Ndonëse nuk është historian me profesion, shkruesi i Monografisë Musa Berisha i la në hije historianët me tituj shkencorë dhe me zë të cilët historinë e shqiptarëve nuk e shkruanin në bazë të fakteve dhe të së vërtetës por e nënshkruanin historinë që ishte hartuar në kabinetet kundër shqiptarëve.

Që ka përpjekje të bëhet edhe sot! Historikisht në Kosovë, përjashtuar raste të rralla historinë e shqiptarëve e kanë shkruar horrat në shërbim të politikave antikombëtare dhe antinjerëzore! Ndonëse nuk është hetues, prokuror, gjykatës apo ekspert mjeko – ligjor, Musa Berisha në Monografinë apo Manualin Kundër Vdekjes në mënyrë shumë profesionale përpilon listat e viktimave, përshkruan ngjarjet tragjike, ofron një brumë të  mjaftueshëm për ngritje të akuzave ndaj të dyshuarve pasi që prokuroritë e mëparshme i kanë injoruar ato dhe ofron fakte më se të mjaftueshme që gjykatat vendore dhe ndërkombëtare  t’i gjykojnë të dyshuarit, të cilët me krimet e tyre e mbushën përmbajtjen e kësaj Monografie që është dhe do të mbetet një pjesë e historisë së dhimbshme kombëtare por njëkohësisht edhe një përmendore  e një qëndrese dhe lufte që e bëri UÇK dhe populli shqiptar!

Me këtë Monografi, Musa Berisha e bëri punën e cila ishte detyrë e shtetit por që shteti nuk e bëri dhe u dëshmua më akademikë se të gjithë anëtarët e Akademisë të cilët e bënë punën e njëtë si shteti.

Nuk bënë asgjë në krijimin, ruajtjen dhe forcimin e mbamendjes njerëzore, kombëtare dhe  historike të shqiptarëve. Musa Berisha, si një aktivist i dalluar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e bëri një punë të madhe duke përmbushur detyrimin moral ndaj viktimave dhe ata që e mbijetuan luftën të cilëve iu dhunuan skajshmërisht të drejtat e njeriut!

Përfundimisht, me këtë Monografi, Musa Berisha ofron material të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për Ndërtimin e Paqes duke kontribuar që përmes Ballafaqimit  me të Kaluarën (materiale faktografike për krime lufte në këtë pjesë të Kosovës), kohës së tashme ku diskutohet e kaluara të ndërtohet një e ardhme paqësore përmes procesit të transformimit ! Musa Berisha e mbyllë kapitullin e luftës dhe ofron paqe për të gjithë!

Kjo Monografi, pa dyshim do të jetë  një mundësi e mirë për nxënës, studentë dhe historianë si edhe aktivistë për të drejtat e njeriut të studiojnë të kaluarën, të mos e harrojnë të kaluarën dhe ta ndërtojnë të ardhmen duke skalitur dhe forcuar vlerat elementare demokratike, të drejtat e njeriut!

/Autori është Drejtor Ekzekutiv i KMDLNj –së/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)