29 Mars 2024

Pse EULEX-i meriton ende besimin tuaj

 Shkruar nga Gabriele Meucci

Gjatë tri javëve të kaluara keni lexuar në gazetat tuaja dhe keni parë në TV disa akuza lidhur me veprimet e disa prej pjesëtarëve të EULEX-it. Ne nuk jemi përgjigjur në secilën prej këtyre akuzave. Megjithatë, më lejoni të jem shumë i qartë: EULEX-i i merr pohimet seriozisht. Ne kemi politikë të zero tolerancës ndaj korrupsionit dhe unë e konfirmoj përkushtimin tim personal që ta zbatojë këtë politikë në mënyrë konsekuente.

Unë besoj që populli i Kosovës meriton t’i dijë veprimet të cilat i ka ndërmarrë EULEX-i tashmë në lidhje me pohimet e fundit kundër disa prej pjesëtarëve të tij. Nuk i kemi injoruar pohimet. Pohimet e publikuara në media janë shqyrtuar dhe janë duke u shqyrtuar plotësisht.

Pas informatave për korrupsion të mundshëm dhe duke qenë të vendosur t’i zbardhim të gjitha pohimet, shumë muaj më parë u formua një e ashtuquajtur task forcë për kryerjen e hetimeve gjyqësore, e përbërë nga një ekip i përzier i Kosovës-EULEX-it, i përbërë nga prokurorë dhe hetues policorë, shumë kohë para publikimit të këtyre pohimeve. Me fjalë të tjera, çështja është çuar përpara.

Pra, në lidhje me këto pohime, hetimi gjyqësor është në vazhdim e sipër. BE-ja është pajtuar që pjesërisht ta heqë imunitetin e një personi në mënyrë që ta mundësojë përparimin e këtij hetimi. Kjo është dëshmi e seriozitetit me të cilin është duke u çuar përpara kjo çështje. Ky proces i heqjes së pjesshme të imunitetit ka nisur këtë verë dhe ka përfunduar para publikimit të pohimeve.

Të gjithë kemi dëshirë që rezultatet të jenë të dukshme më shpejt. E vërteta është që hetimet e tilla janë komplekse dhe të vështira dhe duhet kohë që të hetohen të gjitha pistat. Por hetuesit janë duke bërë përpjekje t’i vlerësojnë faktet. Është po ashtu e vërtetë që hetimet dhe kërkimi i të dhënave nuk i publikojnë procedurat e tyre, të cilat janë në vazhdim e sipër, në forumet publike – hetimet nuk zhvillohen në publik. Njëri prej parimeve kryesore në procedurat e tilla është parimi i konfidencialitetit. Ky parim nuk i mbron vetëm dëshmitarët e mundshëm dhe personin i cili i ka bërë pohimet, por i mbron po ashtu edhe ata që prezumohen të pafajshëm deri sa të vërtetohet ndryshe, reputacioni i të cilëve mund të dëmtohet në mënyrë të konsiderueshme nga pohimet e tilla.

Të jeni të sigurt që kur të përfundojnë hetimet, EULEX-i nuk do t’iu bëjë bisht obligimeve të tij për të ndjekur çfarëdo veprimesh gjyqësore, të cilat përcaktohen nga hetimet si të përshtatshme dhe të domosdoshme. Të gjitha gjërat që i presim nga të tjerët, i zbatojmë edhe për vete.

Nëse, në të ardhmen, këto pohime vërtetohen si të pabazuara, pres që mediat të raportojnë për këtë, në mënyrën e njëjtë siç kanë vepruar gjatë raportimit për këto pohime.

Përveç hetimit gjyqësor, i cili është në vazhdim e sipër, unë po ashtu kam udhëtuar në Bruksel. I kam diskutuar hapat e mëtejshëm me Përfaqësuesen e re të Lartë Federica Mogherini, e cila javën e kaluar e ka emëruar z. Jean Paul Jacqué si ekspert ligjor të pavarur dhe me përvojë, për ta kryer një shqyrtim të zbatimit të mandatit duke u përqendruar në marrjen me pohimet për korrupsion. Siç kam thënë kur u emërua ai, unë e mirëpres shqyrtimin e mëtejshëm të marrjes me pohimet.

Në këtë çast, do të doja ta lavdërojë punën e të gjithë atyre të cilët, sikurse ne, luftojnë shumë, për çdo ditë, në të mirë të drejtësisë. Gazetarët janë pjesë e këtij grupi dhe e meritojnë respektin tonë maksimal. Si Misioni, ashtu edhe  mediat përpiqen t’i mbajnë përgjegjës ata, që e rrezikojnë Kosovën përmes krimit dhe korrupsionit. Jemi në anën e njëjtë.

EULEX-i erdhi në Kosovë ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për sundimin e ligjit, të lira nga ndërhyrja politike. Për arritjen e këtyre objektivave, prej fillimit të tij afërsisht 10.000 ekspertë kanë punuar në EULEX, krahë për krahë me homologët e Kosovës.

EULEX-i ka mekanizma standard për t’u marrë me pohimet për aktivitetet kriminale nga pjesëtarët e tij. Së pari, pjesëtarët e stafit janë të obliguar t’i respektojnë ligjet e zbatueshme në Kosovë. Së dyti, Kodi ynë i sjelljes kërkon nga të punësuarit që ta raportojnë aktivitetin e dyshuar kriminal (për shembull korrupsionin) dhe ekzistojnë mekanizma që ata ta bëjnë këtë, madje nëse dëshirojnë edhe në mënyrë anonime. Ne nuk i fusim pohimet për aktivitete kriminale nën qilim. Së treti, nëse ekzistojnë informata të besueshme, që një i punësuar mund të ketë qenë i përfshirë në një akt të mundshëm penal, Misioni i ndërmerr hapat e nevojshëm ligjor për të siguruar që krimet e mundshme hetohen dhe gjykohen.

Si Shef i Misionit, jam i përkushtuar të sigurojë që Misioni EULEX dhe stafi i tij vazhdojnë t’i respektojnë standardet më të larta. Unë nuk toleroj aktivitet kriminal në mesin e EULEX-it, pavarësisht nga pozita apo nacionaliteti, por po ashtu nuk do ta shpërfilli prezumimin e pafajësisë dhe detyrën për t’i mbrojtur njerëzit e pafajshëm nga pohimet që mund të çojnë tek një qasje më e dobët ndaj korrupsionit jashtë EULEX-it. Kam besim të plotë në integritetin dhe profesionalizmin e stafit tim. Profesionistë të përkushtuar në kuadër të EULEX-it punojnë çdo ditë me institucionet e Kosovës dhe dyshimet që janë hedhur nga këto pohime nuk duhet të na shpërqendrojnë nga përgjegjësitë tona thelbësore dhe nga përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)