29 Mars 2024

Njëanshmëria në kërkesën për patriotizëm ekonomik

Shkruar nga Ma. Astrit Ratkoceri

Patriotizmi ekonomik është sjellja e koordinuar dhe e promovuar nga konsumatorët apo kompanitë (private dhe publike) që konsiston në favorizimin e mallrave apo shërbimeve të prodhuara në vend.

Patriotizmi ekonomik mund të praktikohet ose nëpërmjet stimulimit të kërkesës (duke inkurajuar konsumatorët për të blerë mallrat dhe shërbimet e shtetit të tyre) ose nëpërmjet mbrojtjes së furnizimit, duke mbrojtur  tregun e brendshëm prej konkurrencës së huaj nëpërmjet tarifave apo kuotave (proteksionizmit).

Objektivi i saj është për të mbështetur veprimtaritë ekonomike  të vendit.
Mbështetësit e patriotizmit ekonomik e përshkruajnë atë si një lloj i vetë-mbrojtjes së interesave ekonomike vendore. Disa manifestime të patriotizmit ekonomik janë përpjekje për të bllokuar konkurrencën e huaj.

Një shembull i patriotizmit ekonomik në Shtetet e Bashkuara, do të ishte thënia:
\"Be American, Buy American\", “Bëhu Amerikan, Blej (produkt) Amerikan”

Nga ana tjetër preferenca e konsumit për mallrat vendore ju jep prodhuesve vendor më shumë pushtet në treg, po ashtu edhe  mundësinë për të rritur çmimet për arritjen e fitimeve më të mëdha. Konsumatorët të cilët favorizojnë produktet nga prodhuesit vendor mund të shfrytëzohen nga qëllimi për maksimizimin e fitimit. Për shembull: një politikë proteksioniste në Amerikë që vendosi tarifat për makinat e huaja, duke i dhënë prodhuesve vendor (Ford dhe GM) fuqinë e tregut ju mundësoj atyre për të rritur çmimin e makinave, e që ndikoj negativisht tek konsumatorët amerikanë të cilët u përballën me më pak zgjedhje dhe çmime më të larta.

Megjithatë duke pasur parasysh se si zinxhirët e furnizimit janë zgjeruar globalisht, përkufizimi i mallrave vendore bëhet i mjegullt. Për shembull, derisa një makinë e veçantë mund të jetë bërë në Amerikë, motori i saj mund të bëhet në një vend tjetër si p.sh. Kina.

Për më tepër, deri sa motori mund të bëhet në Kinë, komponentët e motorit mund të importohen nga disa vende të tjera: Pistonat mund të vijnë nga Gjermania ndërsa pjesët elektrike mund të vijnë nga Meksika. Komponentët tjera mund të vijnë nga vende tjera e kështu me radhë.

Sido që të jetë, qofshim përkrahës apo kundërshtar të politikave të tilla, assesi njëra apo tjetra nuk na e lejon që të kërkojmë vetëm nga konsumatori që të sillet në këtë mënyrë respektivisht që të tregojë një patriotizëm ekonomik duke konsumuar produkte vendore.

Kur flasim për tregjet çdo herë kemi tre lojtarë pra, konsumatorët, bizneset që ofrojnë produkte apo shërbime si dhe qeveria apo shteti i cili ndikon kështu në treg përmes politikave fiskale pra, tatimeve, taksave doganore e të ngjashme me to.

Në rastin tonë e gjithë barra për të treguar patriotizëm në blerje, po i bie blerësve apo konsumatorëve duke treguar kështu njëanshmëri. Jemi mësuar të shohim fushata të ndryshme në përpjekje për të nxitur konsumatorët apo blerësit që të blejnë produkte vendore, e që sigurisht që janë fushata me vend mirëpo, përveç vetëdijesimit të blerësve është shumë me rëndësi edhe vetëdijesimi i shitësve dhe shtetit.

Shteti duke ndryshuar qasjen ndaj prodhuesve vendor, duke u krijuar lehtësira tatimore e doganore e posaçërisht duke bërë vet promovimin e tyre, duke i konsumuar vetë ato, do të tregonte më së miri interesimin për zhvillimin e produkteve vendore dhe patriotizmin ekonomik.

Si të vetëdijesohen shitësit apo prodhuesit ?

Së pari, të kihet parasysh cilësia e produkteve të cilat vihen në treg, është shumë e padrejtë të kërkohet nga konsumatori të konsumoj produkte vendore përderisa cilësia e tyre nuk është as e përafërt me produktet konkurrente të huaja të cilat mund të blihen me çmim të njëjtë apo shumë të përafërt.

Nuk mund të kërkohet nga konsumatori të konsumoj produkte vendore përderisa prodhuesi nuk është në gjendje që së paku të ketë cilësinë e njëjtë në mënyrë të vazhdueshme, është dukuri jo e rrallë tek produkte të tilla të ndryshme kur, fillimisht ka një cilësi të mirë ndërsa pas një kohe të caktuar të punës ndryshon gjithçka.

Së dyti, të “luftohet” që të ketë çmime sa më të lira, është shumë jo logjike që produktet e huaja që vijnë nga shtete tjera madje të largëta të kenë cilësi më të mirë e po ashtu edhe çmim më të lirë, sigurisht që kjo mund të arrihet me ndihmën e shtetit pra, duke krijuar lehtësira për prodhuesit vendor.

Për të krijuar një brand cilësor dhe i cili do të mund të jetoj gjatë në treg dhe të arrij të jetë i pranishëm në shtëpinë e secilit, padyshim se duhet një profesionalizëm në çdo aspekt të punës, pra, është koha e fundit që prodhuesit vendor ta kuptojnë rëndësinë e një Menaxheri profesional, një Marketeri profesional, një Financieri Profesional, një Inxhinieri Profesional e kështu me radhë.

Pra, është koha që të jemi të gatshëm të paguajmë për një menaxhim të mirë të kompanisë, të paguajmë për një Marketing të mirë të kompanisë në mënyrë që të largohemi nga ato kampanjat e reklamat qesharake që jemi mësuar t’i shohim.

Për fund, presim që Qeveria të bëhet “patriote” dhe të krijoj ambient të përshtatshëm pune për prodhuesit vendor, po ashtu presim që prodhuesit vendor të bëhen “patriot” e të zhvillojnë produkte cilësore që së paku u afrohen standardeve ndërkombëtare e sigurisht që edhe ne si konsumatorë do ta tregojmë “patriotizmin” tonë duke blerë produkte vendore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)