23 Prill 2024

Respektojeni tuajën që t'u respektojnë të tjerët

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

“Promovimi “ dhe dhunimi i vlerave kombëtare: Fehmi dhe Xhevë Lladrovci – Krasniqi ranë dëshmorë me 22 shtator 1998 duke kaluar në përjetësi për të jetuar për aq sa do të  jetojë shqiptaria. Ata u bënë bashkë me shpirtin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe heronjve të tjerë të cilët e bënë detyrën e tyre në shërbim të Kombit dhe Atdheut.

E bënë atë që e patëm detyrim ta bëjmë edhe ne por nuk e bëmë madje e penguan dhe e penguam edhe ne që dikur ishim bashkë me ta  gjatë veprimtarisë ilegale, bëmë burgje me ta, luftuam ose i përkrahëm gjatë luftës dhe nuk i vlerësuam sikur që nuk i vlerësojmë as tash, pasi lufta përfundoi. Fehmi Lladrovci kishte dy udhërrëfyes dhe frymëzues politikë; Hasan Prishtinën dhe Adem Demaçin.

Ndërsa  në aspektin ushtarak kishte Hasan Prishtinën,  Azem dhe Shotë Galicën, Shaban Polluzhën, Tahir Mehën dhe të gjithë ata që guxuan t’i kthejnë pushkën pushtuesit serbë dhe jugosllav për të cilët kishte respekt të jashtëzakonshëm.

Edhe Xhevë Lladrovci – Krasniqi ishte e tillë prandaj i ndau ëndërrat, idealet, synimet, veprimtarinë,  luftërat dhe amshimin me Fehmiun ndryshe edhe nuk kishte mundësi të ndodhte sepse te Fehmiu nuk kishte fare mëdyshje cilën rrugë duhej të zgjedhte drejt çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

Çështjen shqiptare nuk e trajtonte si të ndarë por si një tërësi sepse çështja e Kosovës nuk ishte thjesht një kubëz e paplotësuar e  mozaikut shqiptar por ishte një plagë e pashëruar që nuk mbyllej për shkak të ndarjes me dhunë të një trupi që kishte një gjuhë, një kulturë, një traditë dhe një territory të përbashkët, historik dhe gjeografik Atij shqiptar!

Sa  ishte në llogorin e Stara Gradishkës në Kroaci, së bashku me frymëzuesin e tij kombëtar dhe politik, Bacën  Adem, dhe të cilin burg nuk e konsideronte vuajtje por shërbim për Lirinë, Kombin dhe Atdheun, Fehmiu  nuk bënte plane as të ndërtonte shtëpi, të bënte pasuri, të tërhiqej duke bërë karrierë profesionale por angazhohej se si do të organizojë një luftë të armatosur sepse nuk besonte aspak, se në fazën në të cilën ishim atëherë fjalët mund të kryenin punë me pushtuesit jugosllavë dhe serbë!

Ai nuk i gëzohej lirisë kur dolëm nga burgjet e Kroacisë por i gëzohej mundësisë se do të jetë në gjendje :” t’ia kthej pushkën shkaut “ dhe të vdiste për lirinë e shqiptarëve që atëherë e konsideronte si një lumturi dhe të cilën e përsëriti edhe gjatë një interviste, tash si ushtar i Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Fehmiu e kishte përnjëmend prandaj edhe iu plotësua dëshira.

Bashkë me pjesën tjetër të shpirtit binjak kombëtar  dhe  politik që e kishte zgjedhur si fat të jetës. Ajo ishte e vendosura për sakrificë deri në flijim, e Përjetshme Xhevë Lladrovci – Krasniqi! Fehmiu ishte pakëz impulsiv por i drejtë. Prandaj Baca Adem e quante Zharavë.

Nuk kërkonte nga ti diçka që nuk do ta bënte ai vet. Fehmi Laldrovci  ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të gjithë ata që do t’i ndihmonin për të organizuar luftën në Kosovë apo ta furnizojnë me armatim.

Për këtë arsye e formoi Brigadën e shqiptarëve në Kroaci në mënyrë që të të krijojnë përvojë luftarake dhe pasi u detyrua me urdhër politik të bllokuesve të luftës ta shpërndajë brigadën u vendos në Gjermani për ta vazhduar aktivitetin kombëtar dhe politik! Menjëherë pasi filloi lufta në Kosovë, së bashku me Xhevën ( me të cilën luftoi edhe në Kroaci ) u kthye në Kosovë.

Me t’u kthyer në Kosovë, Fehmi Lladrovci u pengua nga ata që kishin frikë se Fehmiu mund të bëhet komandant i UÇK-së! Fehmiu nuk kishte ardhë në Kosovë të bëhej komandant por ushtar në shërbim të Kombit dhe Atdheut prandaj u vra duke mos dashur ta lë pozicionin dhe, ndonëse i plagosur rëndë nuk e bëri edhe një hap të vetëm prapa. 

Pas përfundimit të luftës , një pjesë e bashkëluftëtarëve të Fehmiut u shndërruan në horra dhe grabitës ordinerë! Fehmi Lladrovci nuk u vlerësua sa duhet as pasi Kosova u bë shtet. Ai u shpall Dëshmor i Kombit në një pako me një agjent të KOS-it, pas kushtëzimit që iu bë nga një parti politike .

Ky ishte një atentat mbi Fehmi Lladrovcin nga ata që do të duhej të mbronin këtë figurë emblematike të historisë shqiptare! Xhevë Lladrovci – Krasniqi ishte binom i Fehmi Lladrovcit dhe nuk u trajtua as për së afërmi për kontributin dhe sakrificën që e bëri gjatë jetës deri sa kaloi në amshim për t’u bërë pjesë e zinxhirit gjenetik të shqiptarëve për aq kohë sa do të ekzistojë populli shqiptar.

Edhe këtu politika e luajti lojën që nuk do të duhej ta luante kurrsessi. Autoudha e Kombit Prishtinë – Shkup ishte paraparë të quhej me emrin e Heroinës Xhevë Laldrovci – Krasniqi por në çastin e fundit ajo u riemërua me emrin e Arben Xhaferit.

Pse u bë kjo  dhe kush ndikoi për këtë diversion, është pyetje për të cilën përgjigja do të dihet kur do të shemben disa “ idhuj “ dhe autoritete të rreme! Xhevë Lladrovci – Krasniqi ishte luftëtare për bashkim kombëtar dhe Autoudha e Kombit Prishtinë – Shkup ishte autoudha e Hasan Prishtinës prandaj emërimi i saj me emrin e Heroinës Xhevë Laldrovci - Krasniqi  vetëm do të ishte vazhdimësi e kontributit politik dhe ushtarak të ideologut të papërsëritshëm shqiptar, Hasan Prishtina të mishëruar në figurën emblematike të historisë shqiptare, Heroinës së Kombit, Xhevë Lladrovci – Krasniqi.

Më 22 shtator 2014 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë Posta e Kosovës promovoi pullën postare “ Fehmi dhe Xhevë Lladrovci “ që ishte edhe promovim i vlerave kombëtare dhe historike si dhe luftës së UÇK-së! Veprim për t’u përkrahur sinqerisht.

Mirëpo, gjatë këtij promovimi fjalë rasti mbajtën ata që nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin dhe luftën e UÇK-së! Ndërkaq, shoku i burgut dhe frymëzuesi kombëtar dhe politik i Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Bacë Adem Demaçi rrinte ulur dhe dëgjonte se si bëheshin përpjekje që mbi sakrificën sublime të Fehmi dhe Xhevë Lladrovci  - Krasniqi të bëhej një pastrim mbase i ndërgjegjeve të ngarkuara nga e kaluara e cila ishte në kundërshtim të plotë  me ate për çka u angazhuan dhe u flijuan Fehmi dhe Xhevë Lladrovci!

Në sallën e Teatrit Kombëtar nuk kishte njeri që kishte më shumë te drejtë të fliste për Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe për heronjtë e tjerë se Baca Adem Demaçi. Dhe pas  fjalës së Baca Adem Demaçit për heronjtë, sakrificën, burgjet, luftën, çështjen kombëtare, njerëzoren, etj.krijohet një hije, ku më mirë është të heshtësh se sa të folësh!

Mirëpo, Kosova është shndërruar në vend të paradokseve ku bëhen përpjekje që antivlerat të shndërrohen në vlera, dhunuesit në viktima, kolaboracionistët në atdhetarë, policët e Serbisë në ushtarë të UÇK-së, gjyqtarët që na dënuan në mbrojtës të çështjes kombëtare, dëshmitarët që dëshmuan në procese të montuara politike në aktivistë dhe udhëheqës të partive politike, gazetarët që bashkëpunuan me UDB-në në krijues të respektuar të opinionit, denoncuesit e dikurshëm në analistë të sotëm dhe shumë konvertime tjera që nuk kanë ndodhur në asnjë vend të rajonit!

Tash, jemi në situatë kur ai që i ka përlyer duart me gjakun tonë ka siguruar një status shoqëror më të mirë se në kohën kur prente e grinte dhe disi e kemi ndjenjën e fajësisë kur takohemi me ta në rrugë.

Në vend se ata të turpërohen dhe ta ndjejnë  përgjegjësinë për krimet që i kanë bërë, ne vetëm sa nuk u kërkojmë falje dhe nuk i falenderohemi që e kanë lënë me aq sa kanë bërë! Në mungesë të zbatimit të procesit të lustracionit të dosjeve është krijuar një situatë paradoksale ku ata mbrohen nga sistemi dhe ende sillen si tereqtë e Zhivadinit!

E pavdekshme mbetet vetëm vepra : Askush  në sallën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë nuk e zbehu veprën e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit përkundër përpjekjeve për promovime personale që thuaja është shndërruar në rregull dhe standard në Kosovë.

Askush  në këtë sallë të Teatrit Kombëtar  në Prishtinë  nuk e uli vlerën e Bacës Adem Demaçi duke ia mohuar fjalën në përpjekje që ta pamundësojë që ai të flasë diçka të pakëndshme për ta. I korituri nuk mund të të koris! I pafytyri nuk ta merr fytyrën! I ligu nuk ta merr forcën. I paburri nuk të zhburrëron! Frikacaku  nuk ta merr trimërinë!

I padinjitetshmi nuk të bënë të padinjitetshëm. Prandaj, edhe kësaj radhe u koritën. Si shumë herë më parë. Dhe, nuk do të jetë kjo koritja e fundit e tyre.  Gjithmonë koritjen do ta përdorin si mjet për të fituar apo rikthyer kapitalin e humbur në politikë. Për  ta rikthyer lavdinë e luftës së lavdishme që e kanë bërë dhe të cilën e kanë hëngër dhe po e hanë vet.

Apo  për ata që dikur kanë shërbyer me besnikëri të qenit kundër popullit që i takuan   si mjet për pastrim të së kaluarës së ndytë që e kanë pasur dhe përpjekje që lëkurën e qenit ta zëvendësojnë me lëkurë të luanit.

Kjo ka qenë dhe do të jetë e pamundur sepse natyra i ka caktuar rregullat  dhe ne nuk mund të punojmë kundër këtyre rregullave. Gjithmonë qeni mbetet qen ndërsa luani mbetet luan! Të pavdekshëm mbesin vetëm ata që kanë lënë vepra sikur Fehmi dhe Xhevë Lladrovci! Sepse veprat i bëjnë të pavdekshëm!

Ndërkaq, ne që nuk kemi krijuar vepra, që përpiqemi t’i nëpërkëmbim këto vepra apo që mundohemi t’i kontrabandojmë veprat e të tjerëve në adresën tonë, kemi vdekur për së gjalli! Jemi shndërruar në kufoma shetitëse, me një afat dhe itinerar të caktuar që është në kundërshtim të plotë me ata që dinë ta vlerësojnë jetën përmes sfidimit të saj!

Në këtë kontekst ishte huqje apo lëshim i rastit kur zonja presidente Atifete Jahjaga gjatë ndarjes së një Çmimi për Ndërtues të Paqes nga Fondacioni Clinton nuk i përmendi ata që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës dhe të cilët do të jenë bartësit kryesor të ndërtimit të paqes por të gjitha meriatat ua atribuoi ndërkombëtarëve përkatësisht presidentit Clinton.

Ndërkombëtarët në përgjithësi dhe Clinton në veçanti ndihmuan që Kosova të jetë e lirë por asgjë nuk do të bëhej pa rezistencën dhe sakrificën mbi 100 vjeçare që e bëri populli shqiptarë në lufta krejtësisht të pabarabarta! Prandaj, respektojeni tënden nëse doni të ju respektojnë të tjerët !

        
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)