26 Prill 2024

Lëreni Vjosën rehat!

Faik KRASNIQI

Depuetja e LDK-së  Vjosa Osmani, ishte ndër të paktat deputete në Kuvendin e Kosovës, që pa iu dridhur kurrë qerpiku, e ngriste zërin në çdo seancë për të zezat e Qeverisë Thaçi.

Por jo vetëm në Kuvend, por edhe në debate televizive dhe mediat e ndryshme të shkruara dhe elektronike. Zonja Vjosa Osmani bashkë me z. Ismet Beqiri, Anton Çunin, Hykmete Bajramin, Armend Zemaj, Arben Gashin, Alma Lamën, Teuta Sahatçinë dhe disa të tjerë, ishte një ndër deputetet më aktive e Kuvendit në legjislaturën e fundit. Kur ajo me guxim dhe me argumente fliste, i gjithë kabineti qeveritar i pranishëm në Kuvend ulnin kokën.

Puna e saj e palodhshme- sinqeriteti, guximi dhe vendosmëria, zonjën Osmani e bën deputeten më të pëlqyer në opinionin publik. Padyshim që punën e saj e vlerësuan edhe elektorati, duke e votuar në masivitet dhe ishte njëkohësisht femra më e votuar në Kosovë, me rreth 40 mijë vota të fituara në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit. Por ditëve të fundit disa njerëz dhe media të sponzorizuara nga Qeveria në ikje e Thaçit, padrejtësisht po e sulmojnë me gjërat më absurde.

Vjosa Osmani nuk ka faj që në krye të Gjykatës Kushtetuese, është një njeri pa kredibilitet dhe shërbëtor i regjimit të Hashim Thaçit dhe të PDK-së. Zonja Osmani në mënyrën më të mirë dhe më profesionale, si juriste profesioniste, e mbrojti zgjedhjen e z. Isa Mustafa kryetar Kuvendi.

Por, ajo s\'ka faj që në krye të Gjykatës Kushtetuese, kemi një njeri që merr vendime skandaloze dhe në vend se t\'i zgjidh problemet kushtetuese, ai njeri i ngatërron akoma më shumë. Jo më kot ky njeri edhe e quan veten \'\'Baba\'\'. Prandaj nuk është e ndershme të sulmoni zonjën Vjosa Osmani, kur të gjithë e dimë se faji i kujt është. Pastaj, padrejtësisht kapeni për familjen e saj, gjegjësisht burrin e saj- se ku ka punuar apo ku është duke punuar aktualisht. Për çdo gjë ka një përgjigje dhe ajo u detyrua që publikisht ta tregoi biografinë e burrit të saj.

Biografia e çdonjërit është lehtë të mirret, sepse çdonjëri e ka të publikuar diku biografinë e tij. E jo të detyrohet vetë njeriu ta jep biografinë e një pjesëtari të familjes së vetë.

Një pyetje kam për të gjithë ata që për motive politike dhe të sponzorizuar nga Qeveria në ikje, po e bëjnë këtë zhurmë të panevojshme mediatike: Ku jeni tash e 7 vite, që kurrë nuk e ngritët zërin për punësimet e familjarëve të ministrave, deputetëve, zyrtarëve dhe anëtarëve të PDK-së, të cilët kanë uzurpuar Qeverinë, ministritë, ambasadat, konsullatat, RTK-në, universitetet, kompanitë publike dhe çdo institucion publik por edhe të ashtuquajturat kompani private- duke punësuar gratë, burrat, baballarët, nënat, motrat, vëllezërit, tezet, hallat, kusherinjtë, nipat, mbesat, dajallarët, kunatat, kunetërit, shokët, miqtë, farefisin, dashnoret, dashnorët dhe gjithë miltantët? Jo vetëm Qeveria, ministritë dhe çdo institucion shtetëror, por të gjitha ambasadat dhe konsullatat janë mbushur me familjarët dhe miltantët e tyre, kështu duke e shëndrruar diplomacinë e Kosovës, në një cirk me çobanë dhe injorantë.

Pse s\'po mirreni me këtë Qeveri në ikje dhe familjarët e tyre që e kanë kapur shtetin për fyti? Me këta që e kanë bërë Kosovën çerdhe të krimit të organizuar dhe vend që s\'dihet as kush hanë e as kush pinë- por që në fund faturën e paguan si gjithmonë populli i shkretë. Prandaj, merruni me këta që e kanë kapur shtetin për fyti, e mos u merrni me Vjosa Osmanin. Kështu që lëreni Vjosën rehat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)