27 Prill 2024

Gjykata Kushtetuese si faktor destabiliteti

Shkruar nga Durim Berisha

Ideja e gjyqesisë kushtetuese e cila ne Evropë u perhap pas luftës së dytë boterore kishte për qëllim sigurimin e veprimit konform kushtetutës të organeve shtetërore, mundësimin e mbrotjtjes së qytetarit nga arbitrariteti i pushtetit në rastetet e shkeljes së të drejtave themelore si dhe zbatimin uniform të legjislacionit të aplikueshëm në territorin e atij shteti.

Në shtetet Perëndimore, me theks të veçantë në Republikën Federale të Gjermanisë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese Federale shuajnë dilemat dhe diskutimet rreth mëdyshjeve të caktuara të nivelit kushtetues. Për dallim nga kjo praktikë, në vendin tonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë rotori i debateve në shoqëri (që asnjëherë nuk zhvillohen në mënyrë profesionale në nivelin akademik) dhe në të shumtën e rasteve pjesë e paneleve diskutuese kemi gjetur njerëz që më së paku “kanë haber” mbi parimet, metodat dhe mënyrat e interpretimit kushtetues.

Një dallim tjetër i rëndësishëm është pajtimi i përgjithshëm i shkollës juridike (në kuptimit të personelit akademik të lëmit kushtetues) me ato vendime, përderisa në Kosovë ndodhë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese t’i përgjigjën opinioneve të juristëve të klasës sunduese (që janë 2 apo 3 nga tërë ata që i kemi në Kosovë).

Po këta jurist i gjejmë jo të sinqertë në raport me konstatimet e tyre, pasi më kujtohet kur për rastin Sejdiu, ndonëse në periudhën përgaditore ishte diskutuar mundësia e ngrirjes së funksioneve partiake në kohën e ushtrimit të funksionit të presidentit, asnjëherë nuk ju përkujtua gjykatës kushtetuese që të i shqyrtoj shkresat e procesit kushtetutbëres. Ndërsa kur ishte e nevojshme mbrojtja e interesit të partisë u përkujtua gjykata përmes thirrjeve publike se shpjegimet më të hollësishme i gjeni në ato dokumente, të cilat në fakt as që dihet se ku kanë humbur. Pas vendimit të gjykatës nuk mungoj as thuarja e elozheve dhe lëvdatave ndaj tyre, me arsyetim se kanë vepruar ashtu si ne ju kemi thënë.

Për fat të keq diskutimet që zhvillohen në shoqëri kanë çasje se a fitoj pushteti apo opozita, ndërsa ende nuk është kuptuar se cilido prej tyre që ka fituar ekziston një humbës i madh i cili po paguan faturën e këtij kaosi që nuk mjafton të quhet ngërç politik. Ai humbës është populli i Kosovës.

Duke dashur të ndalem në dy vendimet e fundit të “gardianit të kushtetutës” dhe të ftoja secilin prej nesh që me gjakftoftësi të analizojmë këtë proces do të potencoja fillimisht mungesën e një figure të qëndrushme në postin e Presidentit, një mungesë që po mundëson zhvillime të tilla në vend. Pasi Presidentja jonë po flen karshi qytetarëve dhe problemeve reale të tyre.

Vendimi mbi mandatarin e qeverisë është turpëruës dhe në një nivel aq amator saqë përmban gabime të cilat i bëjnë studentët e vitit të parë të fakultetit juridik (gabime që u kushtojnë me ngelje në provim). Në praktikën e interpretimit kushtetues të shteteve me sistem juridik evropian kontinental është e ndaluar të bëhet interpretimi i kushtetutës përmës ligjit, pasi ato paraqesin dy kategori të pavarura të akteve juridike (ndonëse ligji duhet të jetë në pajtim më Kushtetutën).

Një interpretim i tillë të cilin e kemi në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe të cilin gjithashtu e ka cekur gjyqtari amerikan në kuadër të saj, na paraqet një situatë sikur të pyesnim fëmijën për atë që po mendon prindi i tij, pasi ligji rrjedhë nga kushtetuta dhe nuk është interpretim i kushtetutës. Ndërsa edhe më qesharake është përfshirja e elementeve teknike si përmendja e emrit në fletëvotim të KQZ-së, ka munguar të cekët vetëm edhe se çfarë ngjyre do të duhej të ishte lapsi në ditën e votimit.

Përdersa në vendimin e fundit rreth zgjedhjes së kryekuvendarit, edhe ne do të pajtoheshim se ka pasur shkelje procedurale, por jo materiale në definim të grupit më të madh parlamentar. Në këtë vendim, gjykata ashtu si herave të kaluara ka vepruar në kundërshtim me parimin e demokracisë kushtetuese, në bazë të së cilit deputeti i zgjedhur është përfaqësues i popullit dhe si i tillë i bashkohet cilitdo grup parlamentar.

Teoria dhe praktika e të drejtës kushtetuese nuk njeh termin parti në raport me përbërjen e parlamentit. Termi parti nënkupton ato grupe qytetare të cilat kanë për qëllim marrjen e pushtetit, janë të regjistruara në institucionin përkatës dhe nuk janë pjesë e punës së organit legjislativ (në këtë rast parlamentit). Në kuptim të parimit të demokracisë kushtetuese humbet edhe kuptimi i sundimit të vullnetit të shumicës 50%+1.

Se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka mangësi të mëdha dihet, por ndër mangësitë më të mëdha është mungesa e legalizimit të kundërshtimit popullor në rast të veprimeve antikushtetuese të organeve të saj, ngjashëm si Kushtetuta e Republikës Federale të Gjermanisë e cila e lejon kundërshtimin popullor si masë për sigurimin e mbrojtjes së rendit kushtetues nga keqpërdorimi i autorizimeve nga bartësit e funksioneve shtetërore.

Me punën e deritanishme, kjo Gjykatë jo që nuk ka arritur të vëj themelet e një gjyqësie stabile kushtetuese në Kosovë, por ajo ka shkatërruar kuptimin e gjyqësisë kushtetuese dhe po shërben si model i dështimit të saj.

(Autori ka përfunduar studimet e Magjistraturës në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin Konstanz në Gjermani)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)