26 Prill 2024

Qeverisje me njerëz të pastër

Shkruar nga Faik Krasniqi

Nëse si popull fëmijët nuk i edukojmë që punën ta bëjë ai/ajo që e meriton dhe jo ai/ajo që njohim apo duam ne sepse është nga familja ime, partia ime, fshati im, lagjja ime, krahina ime, feja ime, shoqëria ime, gjërat nuk do të ndryshojnë për më mirë.

Është urgjentisht i rëndësishëm të luftohet korrupsioni, kanceri më i rrezikshëm në jetën e popullit shqiptar. Jemi ndër vendet, në mos vendi me korrupsionin më të madh në Evropë. Por nëse korrupsioni dhe nepotizmi luftohet me sukses, çdo gjë shkon në vend të vet.

Shqipërisë dhe Kosovës nuk i mungon talenti aspak, por është korrupsioni ai që e mbyt atë. Nuk është rastësi që talenti shqiptar lulëzon në vendet e huaja e jo në vendin e lindjes.

Është korrupsioni dhe nepotizmi ai që e ka mbytur dhe ende e mbyt pa mëshirë talentin në Kosovë dhe Shqipëri. Korrupsioni dhe nepotizmi po i hap rrugën hajdutit, kriminelit, injorantit, analfabetit dhe shushunjave (që sa po vijnë e po shtohen)... të vijnë në pushtet, të abuzojnë me pushtetin dhe të vjedhin çdo gjë.

Na ka pushtuar injoranca dhe për atë ky popull si i (pa)vetëdijshëm i duartroket kriminelëve, hajdutëve, injorantëve dhe analfabetëve, si njerëz të fuqishëm, të zotë, me pushtet, njerëz me shumë lekë, me makina superluksoze, kurse intelektualin e vërtetë, njeriun e ndershëm, të sinqertë, të respektueshëm tek njerëzit, por të shkretët pa lekë, pa makinë superluksoze, e përbuzin, e nënçmojnë, e anashkalojnë, e shajnë etj.

E kam thënë me dhjetëra herë dhe po e përsëris prapë, nëse qeveria dhe parlamenti i ardhshëm që do krijohet pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, nuk përbëhet nga figura të pastra, intelektualë të mirëfilltë që janë të respektueshëm tek njerëzit, njerëz parimorë dhe të ndershëm, me energji të reja, atëherë vetëm do të gënjehet elektorati që ajo qeveri dhe parlament do t\'i jap fund keqqeverisjes në Kosovë, korrupsionit, krimit të organizuar, injorancës, nepotizmit etj......dhe vetëm kështu politikanët e ardhshëm do të jenë alternativë për qytetarët e Kosovës. Klasa politike në Kosovë tash e 15 vite e ka frikësuar këtë popull.

Ky popull e ka humbur besimin tek institucionet e saj në të gjitha sferat dhe vetëm me figura të pastra, intelektualë të mirëfilltë, të ndershëm, njerëz parimorë dhe energji të reja mund ta kthejmë besimin e humbur të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i \'\'Nismës për Kosovën\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)