19 Prill 2024

Logjika e vjetër e Presidentit të ri serb, Tomislav Nikoliq

Shkruar nga Dr. Jakup Krasniqi

Reagim në intervistën e Nikoliqit të botuar në Gazetën “Die Presse”


Në funksion të mbajtjes gjallë të idesë që paraqet Serbinë si viktimë të komplotit ndërkombëtar, Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, në intervistën për gazetën tuaj  «Die Presse», nuk solli asnjë risi. Ai përsëriti shtyllat kryesore të propagandës së moçme të regjimit të Millosheviqit për Çështjen e Kosovës.

Në këtë intervistë ai përsëriti sloganet e tij tanimë të përsëritura me mijëra herë se gjoja shkatërrimet që regjimi i Beogradit bëri në Kosovë ishin trilluar për të arsyetuar intervenimin ushtarak të NATO-s, se gjoja vrasja e civilëve shqiptarë në Reçak ishte sajuar për të bombarduar Serbinë, se hendeqet e mbushura me kufoma të shqiptarëve u bënë në funksion të prezantimit të serbëve si të këqij, se intervenimi i shteteve evropiane dhe të SHBA-ve ishte bërë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, se në gjykatën e Hagës të akuzuarit shqiptarë janë liruar me qëllim që serbët të mbeten fajtor të vetëm e kështu me radhë.

Përmes këtij shkrimi desha që të informoj lexuesit e kësaj gazete të respektuar dhe të gjithë ata që dëgjuan pjesë të asaj interviste se shumë kohë para intervenimit ushtarak të NATO-s, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kishte miratuar rezolutat 1166, 1199, 1203 dhe 1207 të vitit 1998, përmes të cilave shprehej brengosje për rrezikun e një katastrofe humanitare që i kanosej Kosovës për shkak të dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake të Jugosllavisë.

Këto rezoluta, të cilat çdo lexues mund t’i konsultojë në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara, u miratuan në përputhje me Kapitullin e VII-të të Kartës së OKB-së.

Në vend të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, Serbia vazhdoi politikën luftënxitëse me qëllim të realizimit të projektit të vet gjenocidal. Pjesë e këtij projekti famëkeq ishte edhe Presidenti i tashëm serb, Tomislav Nikoliq.

Vrasjet masive, masakrat e shumta, dhunimet, shkatërrimet, djegiet masive të vendbanimeve shqiptare dhe dëbimet nuk ishin trillime për të arsyetuar intervenimin ushtarak.

Përkundrazi, ishin realiteti tragjik me të cilin ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës, të cilit i dha fund ndërhyrja ushtarake e Aleancës Veriatlantike.

As intervenimi i NATO-s që u bë në funksion të ndërprerjes së katastrofës humanitare e as shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk janë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

Shteti i Serbisë dhe propaganduesit e mentalitetit të vjetër në këtë shtet e morën përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.


Vrasja e civilëve shqiptarë të fshatit Reçak, (që nuk ishte as e para e as e fundit), më 15 janar 1999, ishte ngjarja që derdhi kupën e zullumit serb në Kosovë dhe i dha fund “tolerancës” së aktorëve të skenës politike ndërkombëtare.

Refuzimi serb i një zgjidhje politike dhe vazhdimi i dhunës në Kosovë solli ndërhyrjen ushtarake të Aleancës Veriperëndimore.

Përkundër faktit se hulumtimet e Patologëve finlandez të ngarkuar nga Bashkimi Evropian që të bënin hulumtimet mjeko ligjore të 42 kufomave të shqiptarëve dëshmuan se në fshatin Reçak ishin ekzekutuar civilët e pafajshëm, propaganda e Beogradit ka mbetur e njëjtë për 15 vjet rresht.

Ajo, si edhe në intervistën e fundit të Presidentit Nikolliq, vazhdon ta mbajë gjallë gënjeshtrën e sajuar në Shtabin Stategjik të Sllobodan Millosheviqit.

Sikur të ishte i vërtetë deklarimi i Presidentit të ri serbë, Tomisllav Nikoliqit, se gjoja nuk justifikon krimet e luftës të palës serbe, ai nuk do të përhapte gënjeshtrat për vrasjen e civilëve shqiptarë të fshatit Reçak. Përkundrazi, do të kërkonte përgjegjësinë e anëtarëve të partisë së vet që ishin të implikuar në krime. Për lexuesin po sjell vetëm një shembull.

Nuk është kurrfarë sekreti se Gjenerali i Policisë serbe, Goran Radosavljević Guri, që udhëhoqi operacionin për vrasjen e civilëve shqiptar të Reçakut, që ishte i implikuar në krime të shumta nëpër tërë Kosovën, pasi u kthye nga Libia ku kishte ikur për t\'i shpëtuar përgjegjësisë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe krimeve në Kampin Petrovo Sello, ai u integrua në strukturat udhëheqëse të Partisë Përparimtare Serbe, themelues i të cilës është Tomisllav Nikoliqi.

Ajo që është skandaloze në intervistën e Presidentit serbë, Tomisllav Nikoliqit, ka të bëjë me deklaratën e tij se “të gjitha krimet serbe të luftës që kanë ndodhur, nuk i afrohen asaj që kanë bërë shqiptarët kundër serbëve gjatë një dite të vetme në vitin 2004 në Kosovë.”

Ndoshta në mesin e lexuesve ka të atillë që nuk e dinë se gjatë trazirave ndëretnike që shpërthyen spontanisht në muajin mars të vitit 2004, që ishin më të rëndat dhe më tragjiket pas përfundimit të luftës në Kosovë, humbën jetën 19 persona.

Nga ky numër, 11 të vrarë ishin të përkatësisë etnike shqiptare ndërsa 8 ishin serbë. Krahas vrasjeve, në këto trazira pati edhe rreth 800 shtëpi të dëmtuara dhe 36 kisha ortodokse.

Sado tragjike që ishin humbjet e jetëve, dëmtimi i pronës, dëmtimi i monumenteve kulturore dhe religjioze që ndodhën në këto trazira që shpërthyen spontanisht, të krahasohen me pasojat e dhunës institucionale të shtetit serb kundër shqiptarëve është shembull se deri në cilën shkallë arrijnë përpjekjet e regjimeve të njëpasnjëshme të Beogradit për manipulimin e opinionit publik.

Gjatë luftës në Kosovë, ushtria dhe policia serbe vrau 13290 persona, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve, ndaj 20.400 grave u përdor dhuna seksuale.

Sa u përket shkatërrimeve, gjatë kësaj periudhës 1998-1999 në Kosovë u rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 Kisha katolike, 88.101 shtëpi dhe objekte ndihmëse.

Le të gjykojë lexuesi se cilat janë motivet e Presidentit serbë, Tomisllav Nikoliqit, kur minimizon përmasat e dhunës shtetërore serbe në Kosovë dhe i krahason me dhunën që ndodhi gjatë një dite të trazirave spontane ndëretnike.

Duke qenë realist në politikë, pa asnjë hamendje konstatoj se tani për tani strukturat politike të regjimit të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë.

Por, atë që duhet ta dinë udhëheqësit e rinj të mentalitetit të moçëm të Beogradit qëndron në realitetin e ri se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe këtë proces nuk mund ta kthejnë prapa as gënjeshtrat e Beogradit e as trillimet e politikanëve skandaloz si Dik Marti.

Ndërsa propozimet për autonomi të zgjeruar do të kishte qenë mirë të aplikoheshin për Luginën e Preshevës, sepse ky premtim politik i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë ishte në themelet e marrëveshjes që i dha fund luftës në ato territore të banuara me shumicë shqiptare!

/Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)