20 Prill 2024

Lladrovci e Shala themelues të Partisë së luftes

Shkruar nga Mr.sc. Metush Zenuni


Gjatë periudhës së viteve 1983 – janar 1984, LRSHJ të cilën e udhëhiqte Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, kishte zhvilluar aktivitete të shumta në të gjitha rrethet e Kosovës.

 

Aktiviteti i LRSHJ-së, në këtë periudhë do të vë në lëvizje të gjithë elementin atdhetar të ilegales së kohës. Rexhepi dhe Nuhiu e përgatisnin Lëvizjen për sprova të reja të avancimit të saj, në kryengritje të armatosur, si shkallë më e lartë e rezistencës.

Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Osmani, formuan Organizatën ilegale – ushtarake të quajtur Partia e Luftës së Kosovës - PLK. Ata, pos aktivitetit ilegal, bënë edhe shkrime, trajtesa e analiza për çështje të ndryshme, si: demonstratat, organizimin, disiplinën e konspiracionin, përgatitjet luftarake për kryengritje të armatosur, gjendjen ekonomike e sociale në Kosovë, Lëvizjen Kombëtare, rininë, pozitën e gruas dhe potencialin e saj patriotik,  dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, etj.

Në vitin 1983, në Drenicë, Shaban Shala, Fehmi Lladrovci dhe Ali Ahmeti, formojnë udhëheqësinë e ,,Celulës\" - ,, Këshillin Organizativ\" dhe zgjedhin udhëheqësinë e saj. Shaban Shala, zgjidhet sekretar, Fehmi Lladrovci zgjidhet këshilltar dhe Ali Ahmeti  zgjidhet ndërlidhës i Këshillit Organizativ me ,,Celulën\" në Kërçovë.

Me qëllim të mbarëvajtjes së punës sa më të sukseshme në teren, Fehmi Lladrovci angazhohet  me detyrë  që të formojë ,, Celulën\" me studentët Kosovarë në Zagreb. Në bazë  të kësaj detyre që e merr Fehmi Lladrovci, në janar të vitit 1983 në dhomën nr. 52 të konviktit ,, Ivo Llolla Ribar\" në Zagreb, sëbashku me Hazir Tarën, Rrahim Bytyqi e Xhelal Canzibën e formojnë ,, Celulën\" e cila vepronte  në bazë të platformës së organizatës LRSHJ.

Udhëheqës i ,,Celulës\"  zgjidhet Fehmi Lladrovci.Më vonë anëtar të rinj të këtij grupi pranohen edhe Fadil Demiri e Tomë Marku, ndërsa Miran Demirit i japin detyrë që në Mitrovicë  të formojë një ,,Celulë\" të re.Në vjeshtën e vitit 1983 Shaban Shala merr nga Nuhi Berisha Projektstatusin e LRSHJ-së.Në Podujevë, veprimtar i LRSHJ-së, Ahmet Haxhiu, udhqëhiqte grupin ilegal dhe kontaktet me udhëheqës të LRSHJ-së i mbante me Xhavit Halitin, i cili vepronte me pseudonimin  ,,Qerimi“.

Aktivitetit të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës me shokë, u kishin rënë në gjurmë  agjentët e UDB-së, të cilët kishin vënë në lëvizjë tërë rrjetin e saj të agjentëve për zbulimin e tyre. Në mes 11 dhe 12 janarit 1984 në Prishtinë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha rrethohen nga forcat policore serbe në shtëpinë e Sejdi Veselit në lagjen më të varfër të Prishtinës, në Vranjevc Më vonë kjo lagje do të marrë emrin ,, KodraTrimave\" pikërisht për shkak të qëndresës heroike të Rexhepit e Nuhiut. 
                                              
Fillimisht. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kishin bërë përpjekje për të qarë rrethimin, por pasi panë se ishin të rrethuar nga forca të mëdha policore e ushtarake ata kishin vendosur që të bënin qëndresë heroike edhe pse policia serbe u bënin thirrje që të dorëzoheshin. UDB-ja si duket kishte harruar apo nuk donte ta dinte se revolucionarët dhe luftëtarët e paepur të lirisë  si Rexhep Mala e Nuhi Berisha nuk dorëzoheshin të gjallë. Ata kishin filluar luftën e pabarabartë me forcat e pushtuesit dhe me bashkëpunëtorët e tyre shqipëtar.

Pas një lufte të ashpër heroike, por të pabarabartë, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha bien heroikisht në fushën e nderit, duke lënë dhjetëra policë e ushtar serbë të vrarë, ndërsa Kadri Osmani arrestohet dhe denohet nga policia serbe. Të nesërmen, më 13 janar 1984, gazeta Rilindja, e cila ishte e dirigjuar krejtësisht nga LKJ-ja, boton kumtesën e Gjykatësit hetues të Gjyqit të qarkut në Prishtinë, Elez Hoxha, në të cilën shkruante se,,

Pasi iu kundërvunë organeve të sigurimit duke u bërë barrikadë  dhe duke shtënë në ta, Nuhi Berisha, i arratisur që nga dhjetori i vitit 1982, dhe Rexhep Mala, i denuar i mëparshëm politik, bënë vetëvrasje me revole.“Ende pa u bërë një muaj nga vrasja e Rexhepit dhe Nuhiut, me 8 shkurt 1984 rrethohet nga policia serbe, Bajram Bahtiri dhe pas nje lufte të pabarabartë bie heroikisht edhe ky veprimtar i LRSHJ-së.
 
Pas vrasjes së Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe Bajram Bahtirit, fillojnë arrestimet në të gjitha pjesët e Kosovës. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1983 ka qenë një fushatë e madhe e arrestimeve dhe deri në fund të shkurtit 1984, përveç vrasjes së tre veprimtarëve të devotshëm, janë arrestuar mbi treqind veprimtarë në të gjithë Kosovën.Ishin këto periudha shumë të vështira për radhët e lëvizjes politike ilegale.

Megjithate, kur ishte më së vështiri, veprimtarët e LRSHJ-së gjenin forma e metoda për të punuar dhe për të vazhduar aktivitetin e tyre atdhetarë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqipëtare.

Për të protestuar për dhunën që po ushtrohej kundër popullit shqiptar në ish – Jugosllavi, edhe atëherë kur të gjitha rrugët mbylleshin dhe dhuna bëhëj e padurueshmë, mërgimtarët shqiptar në Evropë, Skandinavi dhe SHBA organizonin demonstrata dhe takime për të sensibilizuar çështjen e pazgjidhur shqiptare.

Shtypi jugosllav, por edhe ai shqiptar i Kosovës, me orientim pro- jugosllav siç ishte RILINDJA, një gazetë krejtësisht antishqiptare, shkruante se ,, ekstremistët shqiptar  organizuan demonstratë antijugosllave në Nju Jork”.

Në Kosovë veprimtarët e organizatave ilegale ndiqeshin dhe arrestoheshin. Kundër tyre ishte një shtet i tërë, me te gjithë makinerinë e saj politike, propaganduese, ushtarake dhe policore. Për shkak të aktivitetit ilegal në gjykatën e qarkut në Prishtinë, në maj 1984 denohet një grup i veprimtarëve të LRSHJ-së, të cilët ende ishin të mitur,  ndërsa më 18. 6. 1984, u gjykuan anëtarët e LRSHJ-së: Bajram Ajeti, Ismet Begolli, Sherif Konjufca,  Ali Ajeti etj,

Të nesërmen më 19. 6. 1984, u denuan me shumë vite burg  20 anëtarë të ,, Frontit Nacionalçlirimtar“ në mesin e të cilëve ishin edhe Ramadan Avdiu dhe Afrim Zhitia.

Më 26 qershor 1984, fillon gjykimi i veprimtarëve të LRSHJ-së: Kadri Osmani, Enver Topalli, Mehë Uka, Ramë Buja, Bexhet Imishti etj. Këta atdhetar akuzohen se ,, kanë vepruar nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, dhe si qëllim kanë minimin e sistemit socialist të Jugosllavisë“ se ,, kanë lexuar gazetën ,, Zëri i Kosovës“ se ,, kanë shkruar parolla armiqësore dhe kanë shpërndarë pamfletin ,,Trakt kundër Tradhëtisë“ etj.

Gjykime të tilla, kundër atdhetarëve shqiptar u zhvilluan edhe në Ferizaj, më 24 maj,në Pejë, më 24 qershor 1984, ku u denuan Adem Grabovci, Rexhep Kelmendi dhe Zenel Kadrijaj me nga 5 vjet burg, sipas nenit 136, paragrafi 1, lidhur me nenin 114, të ligjit penal të RSFJ-së, si iniciator dhe themelues të grupit armiqësor,  dhe se ka shkruar parolla armiqësore: Kosova Republikë dhe kanë lexuar gazeta ilegale ,,Liria“ dhe ,,Zëri i Kosovës“ etj. Të gjithë këta veprimtarë, të LRSHJ-së akuzoheshin për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë, duke kërkuar që Kosova ta fitoj statusit e Republikës si dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“

Me gjithë vrasjet, arrestimet dhe ndjekjet që i bëheshin, Lëvizja ilegale asnjëherë nuk i ndali përpjekjet për  të fituar statusin e KOSOVËS REPUBLIKE. Në vitin 1985, LRSHJ, krijon dy bazat të rëndësishme dhe të sigurta në fshatin Dyz në Llap, ndërsa në Drenicë bazë me rëndësi ishte në fshatin Kleçkë, të Malishevës.

Në Dyz dhe Kleqkë u strehuan ilegalët Xhavit Haliti ,, Qerimi“, Hajdin Abazi ,, Rexha“, Ali Ahmeti ,, Abazi“. Bazë me rëndësi për aktivitetin e LRSHJ-së ishte edhe shtëpitë e Ahmet Haxhiut dhe Shaban Mujës, në Prishtinë. Ndihmesë të madhe në këto vite të vështira dha dega e LRSHJ-së jashtë vendit, sidomos ajo në në Zvicër dhe Gjermani.

Në vitin 1985 në banesën e Hasan Malës, në Zvicër, LRSHJ, mbajti mbledhje ku merrnin pjesë: Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi, Hasan Mala, Saime Isufi, Faridin Tafallari, Ibrahim Kelmendi dhe Sabri Novosella.

Në prill të vitit 1985 në Prishtinë, në emër të Këshillit Organizativ, Shaban Shala, Xhabir Morina, Bashkim Mazreku, Xhavit Haziri dhe Ali Ahmeti, marrin vendim për bashkimin e grupeve te Komitetit Organizativ të MLK-së\". Më 23 qershor të vitit 1985, Shaban Shala, në shtëpinë e tij në Negrovc, sëbashku me Idriz Hysenin, në prani të Fehmi Lladrovcit  formojnë Komitetin e Rrethit të MLK-së në Gllogovc.

Sekretar përgjegjës për çështje ushtarake, i cili ishte sektori me përgjegjësinë më të madhe në kuadër të organizatës, zgjidhet Fehmi Lladrovci. Gjatë vitit 1985, u formua Komiteti i OMLK-së, në Prizren, Suharekë, në Prishtinë, Ferizaj, në Kaçanik, Vushtrri, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Bujanovc, Klinë, Pejë..., etj.

Qëllimi kryesor i ,,Komitetit Organizativ“ ishte riorgnizimi i radhëve, strukturimi dhe forcimi i tyre, deri në krijimin unik të Organizatës ose të partisë. Komiteti i OMLK-së në Prizren u formua më 15 qershor  1985, të cilin e udhëhiqte Ismet Badallaj, ndërsa më 29 qershor 1985 formohet Komiteti i Rrethit të MLK-së për Suharekë, në të cilën marrin pjesë: Bashkim Mazreku, Haki Gashi dhe Gafurr Elshani.

Në komitetin e rrethit në Prishtinë u zgjodhën Sabit Tahiri dhe Nysret Pllana, në Ferizaj, Agron Morina, Xhevat Ukshini, në Kaçanik, Remzi Elezi, Abdyl Gafurr Luma, Vushtrri Abdulla Zhegrova, Enver Rama, Brahim Maxhuni, Tetovë, Bilall Sherifi, Fatmir Ibrahimi, Kërçovë, Pasho Maksuti, Strugë, Tahir Hani, Bujanovc, Jonuz Musliu, Klinë, Ilmi Zeka, Pejë, Xhavit Haliti..., etj.

Qëllimi kryesor i ,, Komitetit Organizativ“ ishte riorgnizimi i radhëve, strukturimi dhe forcimi i tyre, deri në krijimin unik të Organizatës  ose të partisë. Ai do të funksiononte si i tillë deri në Kuvendin ose në Mbledhjen e Përgjithshme. Në vitin 1985 LRSHJ bënte përpjekje të brendshme që të ndërrojë strategjinë e punës dhe të veprimtarisë. Këshillat bazë të LRSHJ-së brenda vendit dhanë mendimet me shkrim për programin e mëtejmë të LRSHJ-së.

Pak para arrestimeve të nëntorit 1985, kjo ide gjeti miratimin e përgjithshëm. Komiteti Qendror i LRSHJ- së, duke bazuar në këto mendime dhe në \"Tezat\" e lartpërmendura, mori vendim për ndërrimin e emrit nga LRSHJ ( Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi) në LPRK ( Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës). LPRK u shëndrrua në një organizatë masash e udhëhequr nga Komiteti i OMLK-së, i cili ishte pararojë e LPRK-së dhe formoi Komitetet e saj në territoret shqiptare në ish – Jugosllavi.

Më 4 nëntor të 1985, për shkak të veprimtarisë në kuadër të LRSHJ-së, tash LPRK-së arrestohen edhe shumë veprimtarë  të saj në trojet shqiptare në ish –Jugosllavi, të cilët synonin krijimin e Republikës së Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë.

Kështu më 21 nëntor 1985 në Gjykatën e qarkut në Prishtinë, sipas nenit 136 al.1, lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ-së,  filluan hetimet kundër: Xhabir Morina, Ramadan Haziri, Metush Krasniqi, Bilall Sherifi, Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Ilmi Reçica, Skender Osmani, Ilmi Zeka, Skender Luzha, ndërsa Xhavit Haliti, Xhavit Haziri, Hajdin Abazi dhe Nuhi Ahmeti, u denuan në mungesë. 

Më 22 maj 1986, u bë shpallja e  denimeve, ku të gjithë të arrestuarit u denuan me burg prej 13 vjet ( Xhabir Morina) deri në 3 muaj burg (Isref Klinaku)  Po në këtë vit ( 1985), në Prekaz formohet këshilli i LPRK-së i përbërë nga Adem Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku etj. Adem Jashari si anëtar i LPRK-së, së bashku me Sami Lushtakun dhe të tjerë kishin organizuar protestat e viteve 1988, 1989, 1990, në Skenderaj etj, ndërsa  kishin  lidhje të pashkëputshme edhe me njërin nga udhëheqësit e LPRK-së, Fehmi Lladrovci.

Nxjerre nga libri ne doreshkrim ,, Kontributi i LPK-se ne zgjidhjen e ceshtjes kombetare shqipetare 1982 -1999,,

(Autori eshte Magjister i Historise bashkekohore)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)