28 Nëntor 2014

Zgjedhjet në Ferizaj, test para zgjedhjeve Lokale ne 2013


 Shkruar nga Halil J. Halili

Jemi dëshmitar për fillimin e fushatës parazgjedhore në Komunën e Ferizajt. Zgjedhja për kryetar Komune bëri që degët e partive politike që veprojnë në këtë komunë të rikuperohen.

Kandidatet kanë hapur fushatën dhe kanë filluar me premtimet e tyre parazgjedhore por, ajo që është më rëndësi është fakti, dhe kandidatët për Kryetar Komune nuk duhet ta harrojnë, se Kryetari ka mandat të shkurtuar dhe se Buxhetin për vitin 2012 e kanë të gatshëm (25% është shpenzuar) dhe se  gjithashtu Buxheti për vitin 2013 do të aprovohet nga Kuvendi Komunal ekzistues, prandaj kjo çështje lë hapsir për të dëshiruar sa i përket ndryshimit të projekteve dhe planeve ekzistuese zhvillimore në Komunën e Ferizajt.

Komuna e Ferizajt ka 108690 banor sipas rezultateve paraprake te Entit të Statistikave të Kosovës ndërsa ka rreth 95449 votues në Listat e Votimit, të shpërndarë nëpër 25 Qendra të votimit.

Ferizaj nuk është rajon ku keqpërdorimi i votës është i theksuar por devijimet nga zgjedhjet e fundit kryesisht fokusoheshin ne grumbullimin e votave për kandidat të preferuar, brenda Partisë, (që e mundësoi edhe sistemi zgjedhor- vota për 5 kandidat). Ky tregues tani është shumë domethënëse dhe mund të reflektoj në mbështetjen e kandidateve të Partisë nga klanet brenda Degëve, se sa do të jetë determinues pritet të shohim shumë shpejt.

Ferizaj ka para vetes 8 kandidat: Agim Aliu nga PDK,  Adem Salihaj nga LDK, Faton Topallin nga Lëvizja Vetëvendosje,  Ramadan Hasanit nga AKR,  Naim Feratin nga AAK, Bujar Ademi nga PD, Ramadan Emini nga LB dhe Rrahim Sadiku, kandidat i pavarur.

Nuk mund te thuhet se ne këtë liste nuk ka kandidat te pakontestuar i cili do te meritonte fitoren qysh në rundin e parë por sipas të gjitha parashikimeve Ferizaj do të zgjedh Kryetarin e tij në rundin e dytë, gjegjësisht në balotazh.

Nëse përcillet një rrjedh logjike e zhvillimeve atëherë mundemi të themi se realisht ne Ferizaj, në rundin e parë do të “luftohet” për vendin e dytë. Vendi i parë potencialisht dihet, ai është kandidati i PDK-së Agim Aliu, ndërsa se kush do të jetë i dyti është shumë me rëndësi, ngase kjo do të reflekton në zhvillimet gjatë balotazhit, pra a do të jetë Adem Salihu apo Faton Topalli kjo është çështja.

Nëse do të shkoj në balotazh Adem Salihu atëherë PDK me kandidatin e tij Agim Aliu është shumë më afër fitores. Këtë nuk mund të e konteston gati askush që ka njohuri për zhvillimet politike ne Ferizaj ngase të gjithë e din e Adem Salihu në këto rrethana nuk mund të i sjellë të mira Ferizajt. Është për tu habitur se si LDK ka lëshuar këtë rast të papërsëritur për të rimarr Ferizajn. Pse nuk ka hyr në garë me ndonjë kandidat të ri. Mendoj se dega e LDK-së në Ferizaj ka kandidat me më shumë predispozita për të fituar këtë garë.

Kjo gjithashtu vlen edhe për koalicionet e mundshme ngase nuk mund të merret me mend se si Lëvizja Vetëvendosje apo votuesit e saj (kur dihet se kryesisht janë të rijë) kish me mbështet kandidatin Adem Salihaj për kryetar të Komunës së Ferizajt apo edhe se si kandidatet tjerë do ta mbështetnin kandidaturën e Adem Salihut për Kryetar.

Nëse në balotazh do të shkon kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, atëherë gjendja do të jetë krejt tjetër, e pa parashikueshme dhe me shumë mundësi. Atëherë gjithsesi do të vjen në shprehje përcaktimi i kandidateve tjerë të cilët do të mund të jen shumë me ndikim në këtë rast, e veçanërisht Naim Ferati i AAK-së i cili në zgjedhjet e vitin 2009 ishte i dyti dhe kishte fituar afër 17% të votave dhe i cili nëse arrin ta mbaj përafërsisht këtë përqindje do të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimet gjatë balotazhit. Mbështetja për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje do të mund të i vinte edhe nga elektorati i LDK-së ngase i predisponuar për të votuar anti PDK do të krijonte favore për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kandidatet tjerë nuk mendoj se përqindja e përbashkët e tyre do të kaloj përqindjen e kandidatit të fundit, prandaj edhe pesha e tyre në proces do të jetë e limituar dhe pa ndikime reflektuese edhe pse dihet paraprakisht që kandidati i AKR-së dhe ai i PD-së gjatë balotazhit do ta mbështetin atë të PDK-së, ndërsa për kandidatin e LB dhe Rrahim Sadikun procesi ka gjasa të përfundon me rundin e pare.

Dhe ajo se çka dihet është se nëse Agim Aliu fiton  garën për Kryetar Komune në Ferizaj ai do të jetë kandidat i pakontestueshëm për Kryetar në zgjedhjet e ardhshme Komunale të viti 2013, dhe pikërisht ky fakt mund të dobësoj kandidaturën e tij ngase mund të zbehet mbështetja e rivalëve lokal brenda partisë. Prandaj për Agim Aliun këto zgjedhje nuk janë vetëm kandidim i zakonshme për tu zgjedh Kryetar por është me shumë se kaq, ngase ai tani garon për të mbajt pushtetin, garon për të fituar postin por edhe për të fituar kandidaturën.

Por për Ferizajn, e edhe për gjithë Kosovën shumë më e rëndësishme është që procesi të shkoj mirë, zgjedhjet të jenë sipas standardeve dhe të pranueshme edhe pse rezultati por edhe koalicionet e mundshme gjithsesi do te reflektojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Pra, Urime Ferizaj paq këmbë të mbar.  

Shpėrndaje artikullin:

Prapa

© Copyright - Agjencia - Ekonomia - 2005 - 2015 - All Rights Reserved | Powered by Refresh