24 Tetor 2014

Arsimi profesional duhet të nisë ndryshimet me legjislacionin në fuqi

Shkruar nga Shkelzen Nuza

Politikat në arsim duhet të kërkojnë me ngulm integrimin sa më të mirë të shkathtësive kyçe në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional, duke kujtuar që rritja e produktivitet vendor, rrit punësueshmërinë, rritja e punësueshmërisë, rrit zhvillimin ekonomik të vendit.

Një nga objektivat e zhvillimit të shkathtësive adekuate është për të siguruar që ato të përputhen me shkathtësitë e vlerësuara në vendin e punës. Zhvillimi i shkathtësive duhet të ju ndihmojë punëtorëve dhe ndërmarrjeve për t`u përshtatur ndryshimeve për të ardhmen. Një nivel joadekuat i arsimit, trajnimi i varfër, punë e ulët e produktivitetit dhe pagave të ulëta, kushte të dobëta të punës dhe përjashtimi i punëtorëve pa aftësitë përkatëse, ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike.

Ato mund të paraqesin një pengesë të rëndësishme për produktivitetin e ndërmarrjeve dhe zhvillimin socio - ekonomik. Rritja e qasjes në arsimim të duhur, mundëson më shumë njerëz të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga rritja ekonomike dhe kështu të përmirësohet edhe kohezioni social.

Është nevojë e domosdoshme për veprime konkrete që e rrisin rëndësinë e arsimit profesional, duke filluar nga themelet e tij, e që është legjislacioni aktual i saj, fillimisht Ligji për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës shtetërore dhe Korniza e Kurrikulumit të Kosovës. Në mënyrë që të tregojmë si shoqëri më shumë interes dhe përkushtim për zhvillim ekonomik, atëherë duhet të tregojmë interes të drejtpërdrejtë tek kjo kategori e arsimimit, i cili është drejtpërdrejt i lidhur me ekonominë.

Sa më shumë që investojmë në këtë aq më shumë do ta ngrisim edhe ekonominë tonë, duke përgatitur masën më të madhe të të rinjve, që është afër 60% për hyrje të menjëhershme në tregun e punës, me njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat adekuate për të ju përgjigjur tregut të punës.

Ne kemi nevojë që nxënësve të arsimit profesional, në shkollat e tyre, në punëtoritë e shkollës, tu krijojmë kushte për fitimin e njohurive të nevojshme për profilin që ndjekin, e këto njohuri t`i plotësojnë duke i kombinuar me shkathtësitë kyçe që janë të kërkueshme për profilet konkrete, të cilat së bashku ndikojnë në fitimin e kompetencës për të qenë në gjendje për vepruar konform kërkesave të tregut të punës.

Në mënyrë që arsimi dhe aftësimi profesional të merr vendin e saj të merituar, të cilin e ka edhe të specifikuar edhe me ligjin për arsim profesional, në veçanti në zgjerimin e veprimtarisë, që shpreh qartë që shkollës i lejohet të zgjerojë veprimtarinë e saj në funksion të arsimit dhe aftësimit profesional, që të ju ndihmojë nxënësve ngritjen e nivelit praktik, si dhe e shprehur qartë se “Zgjerimi i veprimtarisë së shkollës profesionale ёshtё edhe ofrimi i shërbimeve profesionale, prodhimit, shitjes dhe veprimtarive tjera me të cilat përparohet ose kontribuohet në racionalizimin dhe cilësinë e arsimit dhe aftësimit profesional formal. Zgjerimi i veprimtarisё sё shkollës profesionale i nënshtrohet ligjeve mbi veprimtaritё gjegjëse si dhe Ligjit pёr Konkurrencёn”.

Por që kjo të jetë e plotë është e nevojshme që gjenerimi i të ardhurave të shkollës me prodhimin e mundshëm të saj, t`i mundësoj kthim të të ardhurave në shkollën që ka ofruar shërbimet, nëpërmjet të sistemi buxhetor.

Kur jemi te legjislacioni, duhet të cekim që arsimi profesional në esencën e saj duhet të përbëjë dallim nga nivelet tjera të arsimimit, duke bërë ndryshimin fillestar me mospërfshirjen e tij në Provimin shtetëror të Maturës dhe të përfundojë vetëm me provimin përfundimtar të fitimit të kompetencës.

Provimi përfundimtar është ajo që do të duhej të verifikonte validitetin e kompetencës së nxënësve të arsimit profesional pas përfundimit të vitit të tretë, ku në organizimin e këtij provimi përfundimtar e nevojshme do të ishte të kishim prezent edhe komunitetin e biznesit varësisht nga profilet e shkollave profesionale, me këtë edhe nxënësit do të mund të merrnin përgjigjen nga vet punëdhënësit e nesërm të tyre dhe kjo prezencë e tyre të ishte e konsiderueshme dhe vendimtare në marrjen e vendimit për kompetencat e nxënësve.

Mirëpo, kjo pjesëmarrje e komunitetit të biznesit nuk duhet kufizuar vetëm në organizimin e provimit përfundimtar adekuat për shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional, por pjesëmarrje aktive gjatë gjithe kohës së arsimimit të nxënësve në përiudhën 3 vjeçare, në mënyrë që shkollat të mund të përmbushin përveç pjesën teorike por edhe atë praktike nëpër vite, me (praktikë/teori) 50/50 në vitin e parë, 60/40 në vitin e dytë dhe 80/20 në vitin e tretë, duke organizuar edhe intershipe të kohë pas kohshme nëpër kompanitë lokale dhe rajonale. Kjo përfshirje duhet të zgjerohet, duke filluar nga procesi i hartimit të kurrikulave e deri tek organizimi i përbashkët i procesit të vlerësimit të nxënësve.

Pjesë e pandashme e këtij arsimimi është edhe Korniza e Kurrikulumit të Kosovës (KKK), e cila trajton në një linjë të gjitha nivelet e arsimit, në kuptimin e përcaktimit të fushave të arritshmërisë për tri nivelet e ofruara në shkollimin parauniversitar. Në KKK, duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë shkollimi profesional, që fushat që janë relevante për arsimimin e përgjithshëm nuk janë adekuate edhe për arsimin dhe aftësimin profesional.

Në këtë aspekt, në tabelën që specifikon fushat përmbajtësore të niveleve të arsimimit, arsimi profesional, trajtohet me përqindje fikse sa i përket përmbajtjes, duke mos lënë mundësi ndryshimi nëpër vite në veçanti për AAP-në, kur e dimë që këtij arsimi nga viti në vit i ndryshon përqindja e praktikës së nevojshme për nxënësit për të fituar kompetencën, si dhe tek specifikimi i përmbajtjes së “Jetës dhe Punës” në këtë KKK, koncentrohet në këshillim në karrierë, teknologji informative dhe puna dhe edukimi në ndërmarrësi, të cilat do të duhej të shiheshin si pjesë të pavarura nga orët praktike në organizimin javor në një shkollë profesionale dhe jo të marrin orët/përqindjen e realizimit të praktikës së profileve përkatëse.

Në këtë aspekt është e nevojshme që të rregullohet që sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional, të jetë si çdo arsimi dhe aftëim profesional në të gjitha vendet e Bashkimi Evropian, e të funksionoj në atë mënyrë që teoria/praktika të jetë e rregulluar me përqindje mesatare, në vitin e parë 50/50, në vitin e dytë 40/60 dhe viti tretë 20/80, duke treguar qartë rëndësinë që kanë këto shkolla në përgatitjen profesionale, duke e rritur nëpër vite përqindjen e pjesëmarrjes aktive në praktikë profesionale.

Kjo praktikë është e zakonshme nëpër vendet e Bashkimit Evropian dhe është çelësi për zbutjen e ndjeshme të papunësisë, sidomos tek gjeneratat 15-24 vjeç që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë në vendin tonë, e në veçanti kur dijmë shkallën më të madhe edhe të atyre që janë të punësuar e përbëjnë qytetarë të pakualifkuar dhe atë më të ulëtën me shkollim universitar.

Politikat në arsim duhet të kërkojnë me ngulm integrimin sa më të mirë të shkathtësive kyçe në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional, duke kujtuar që rritja e produktivitet vendor, rrit punësueshmërinë, e rritja e punësueshmërisë, rrit zhvillimin ekonomik.

Shpėrndaje artikullin:

Prapa

© Copyright - Agjencia - Ekonomia - 2005 - 2015 - All Rights Reserved | Powered by Refresh