29 Mars 2024

Prioritetet e Vetëvendosjes për bujqësinë e prodhimin

Prishtinë, 26 maj - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, bashkë me kandidatin për deputet, Salih Salihu, mbajtën sot konferencë për media ku prezantuan disa nga Prioritetet e Republikës të lidhura me shtetin zhvillimor, bujqësinë e prodhimin vendor.

Ymeri tha se qeverisja e Vetëvendosje!-s ka dhe do të zbatojë Planin zhvillimor, të mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës.

Fondi Sovran sipas tij do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.

Ymeri ka theksuar se brenda Fondit do të themelohet komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike, Fondi i privatizimit dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e zbusin bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve.

Fondi do t’i vë në dispozicion 200 milionë euro për investime në ndërmarrje të reja në sektorë të caktuar të industrisë. Plani zhvillimor do të bashkërendohet nga Agjencia Zhvillimore e Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet. Ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.

Privatizimet e deritashme do të hetohen dhe do të vlerësohen në mënyrë transparente për t’i ndjekur rastet e transaksioneve të korruptuara dhe për të rregulluar të gjitha dëmet ekonomike e shkeljet e të drejtave të njeriut eventuale që janë bërë gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Më tej, ai foli për krijimin e një tregu të përbashkët Kosovë-Shqipëri në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së.

“Këtë plan do ta nisim nga harmonizimi i Sistemit Doganor me Republikën e Shqipërisë, dhe do të vijojmë me regjistrin e përbashkët civil dhe të bizneseve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Këto masa rezultatin e parë do ta kenë qarkullimin dhe bashkëpunimin pa pengesa të qytetarëve, profesionistëve dhe prodhimeve”, theksoi Ymeri. 

Si masë konkretet e Vetëvendosje!-s, që ndërlidhet me prodhimin dhe bujqësinë, është edhe hartimi dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore, ku parashikohet një mori përparësish në prokurim publik dhe kriteret për tregtimin.

Po ashtu, një nga Prioritetet e Republikës është ujitja për tokat bujqësore, revitalizimi i plotë i sistemit të ujitjes “Ibër-Lepenc”, dhe studimi për zgjerimin e tij.

“Ne do ta mbështesin bujqësinë dhe e kemi një plan të detajuar për këtë. Por pa dërguar ujin në tokat e fermerëve tanë ky plan nuk do të përmbushej. Ndaj, një nga prioritetet bazë të qeverisjes tonë është investimi në sistemin e ujitjes”, tha kandidati për deputet, Salih Salihu.

Duke folur për rritjen e subvencioneve e granteve në bujqësi dhe sigurimin e plotë të prodhimit bujqësor, Salihu tha se për çdo vit investimet në bujqësi do të ndahen në 65% subvencione dhe 35% në grante, mbështetur nga Federata Sindikale e Bujqve. “Kjo do të paraprihet nga rritja e buxhetit për të.

\"Ne do t’i japim përparësi të veçantë mbështetjes së grave fermere, duke e sanksionuar përparësinë e tyre për përfitimin e kësaj mbështetje. Ne synojmë që ta rrisim deri në 240 milionë euro buxhetin për bujqësinë dhe zhvillimin e prodhimit vendor”, u shpreh Salihu.

 
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)