29 Mars 2024

Zhvillimi i Bujqësisë nuk mund të bëhet pa mbështetje shtetërore

​Prishtinë, 26 prill - Sot u mbajt tryeza rreth gjendjes së bujqësisë në Kosovë. Kryetari Visar Ymeri, prof.Salih Salihu, drejtues i Komitetit për bujqësi dhe prof.Driton Çaushi, paraqitën qëndrimet e Lëvizjes mbi sfidat kryesore të këtij sektori, me fokus të veçantë tek problemet e fermerëve e prodhuesve të Kosovës, politikat publike në bujqësi, mungesën e përkrahjes e neglizhencën institucionale, si dhe problemet nga marrëveshja e CEFTA-s dhe MSA-së.

Në mesin e pjesëmarrësve, njohës të fushës së bujqësisë, fermerë, prodhues, federata sindikale e bujqve, profesorë, përfaqësues të institucioneve, pati kritika të shumta në lidhje me atë se si është trajtuar ky sektor nga qeveria aktuale dhe ato para saj.

Nga shumica prej tyre u tha se pushtetet e njëpasnjëshme nuk e kanë parë asnjëherë si prioritet shtetëror zhvillimin e bujqësisë dhe u theksua nevoja për një strategji afatgjate për zhvillimin e këtij sektori.

Ndërkaq, Drejtuesi i Komitetit Salih Salihu vuri theksin tek mungesa e buxhetit shtetëror për bujqësinë si faktori kryesor që ndikon në gjendjen e fermerëve të Kosovës.

Ai po ashtu paraqiti të dhënat mbi gjendjen e sektorëve të prodhimit bujqësor dhe infrastrukturës bujqësore si dhe për mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet e egra dhe fondin për fatkeqësitë natyrore.

Kryetari Visar Ymeri tha ndër të tjera se bujqësia është nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në shumicën e vendeve.

Mirëpo, në rastin e Kosovës, politikat e pafavorshme agrare e tatimore po pamundësojnë që prodhimtaria bujqësore të jetë zëvëndësues i importeve.

Qasjen në treg dhe atë në kapital, Ymeri i theksoi si dy faktorët që po e dëmtojnë më së shumti prodhimin vendor.

“Tregu i prodhimeve ushqimore është dekurajues i prodhimit vendor sepse Kosova ka politikë tepër liberale tregtare, si dhe prodhimet ushqimore të importuara janë shumëfish më të subvencionuara në vendet e origjinës, dhe për rrjedhojë kanë mundësi të shiten me çmime shumë më të lira”, tha Ymeri.

Ai tutje shtoi se zgjidhja vjen duke i vendosur prodhimet tona në pozitë të barabartë. Dhe kjo mundësohet me subvencionimin në masë të njëjtë me prodhimet e huaja ose duke i tatuar prodhimet e huaja për aq sa është dallimi në subvencionim me prodhimet tona.

Kurse, duke folur në lidhje me marrëveshjet CEFTA dhe MSA, Ymeri theksoi se në vend të tregtisë thjesht të lirë na duhet tregtia korrekte, që ndihmon vendet që të përfitojnë në mënyrë sa më të barabartë nga marrëdhëniet tregtare, qofshin bilaterale apo multilaterale.

“MSA nuk është e liruar nga defekti që e ka CEFTA, pra vendosjen në pozita të pabarabarta të prodhimeve tona krahasuar me ato të BE-së, por MSA ka një përparësi sepse parasheh një fazë kalimtare me përkrahje edhe financiare të ekonomisë kosovare në arritjen e standardeve më të larta si të cilësisë po ashtu edhe mbrojtjes së mjedisit e të tjera”, u tha veç tjerash nga Visar Ymeri.

Kurse, deputeti Driton Çaushi tha se mungesa e ndikimit të investimeve bujqësore në ekonomi po ndodh për shkak të mungesës së një analize paraprake se ku dhe në çfarë kulturash bujqësore të investohet. Si dhe, pjesa tjetër e këtij dështimi sipas tyre lidhet me menaxhimin jo të mirë të skemave të subvencioneve dhe granteve.

“Rreth 220 milionë euro janë investuar në bujqësi në tri vitet e fundit, por këto milionë nuk kanë ndikuar që të ketë rritje të theksuar në pjesëmarrjen e Bujqësisë në Bruto Produktin Vendor.

Ai po ashtu përmendi parregullsitë e shumta në aplikimin për grante, mënyrën e shpërndarjes së tyre dhe përzgjedhjen e komunave të preferuara, si dhe kritikoi ashpër Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për të cilin tha se nuk është duke i kryer detyrat dhe përmbushur obligimet ligjore sa i përket ruajtjes së shëndetit të kafshëve, shëndetit publik dhe inspektimit.

Madje, shtoi se ky institucion është i kapur fort nga njerëz të politikës dhe biznesit. Çaushi përmendi edhe dështimin në kontrollimin e sëmundjeve infektive, duke përmendur me theks të veçantë sëmundjen gungore dhe brucelozën.
 
Në fund, në formë konkluzionesh u përmblodhën nevoja për zhvillimin e masave mbrojtëse për prodhimet vendore, lidhja e institucioneve publike me prodhuesit vendor, ofrimi i shërbimeve adekuate këshillimore profesionale në nivelet komunale, orientimi dhe planifikimi prodhimit, ulja e kostos së prodhimit, ngritja e cilësisë dhe rritjes së sigurisë ushqimore të prodhimit vendor dhe rritja e zinxhirit të marketingut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)