16 Prill 2024

Modeli austriak i integrimit të zhvillimit rural

Prishtinë, 2 shkurt - Sot në Kampusin e UBT-së në Prishtinë, u organizua Konferenca: Dita Austriako-Kosovare e Bujqësisë 2016, me theks të veçantë: Modeli austriak i integrimit të zhvillimit rural, në të cilën pati referues nga Kosova, Shqipëria e Austria.

Konferencën e shpalli të hapur Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se UBT, në vazhdën e interesimit dhe të studimeve të veta ka në plan edhe bujqësinë, e sidomos industrinë e ushqimit.

“Meqenëse ushqimi është prodhimi kryesor i njeriut, dhe duke u bazuar në të dhënën që prodhimet ushqimore në tërë rruzullin tokësor përfundojnë në muajin shtator, UBT, në fokus të vetin të studimeve do ta ketë këtë fushë, gjithnjë duke pasur për bazë gjetjen e alternativave për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Hajrizi.

Duke folur për zinxhirin prodhues, rektori, Hajrizi u ndal te mundësia e kontributit të UBT-së në rritjen e cilësisë së produkteve ushqimore. Në fund, z. Hajrizi nuk la pa përmendur angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë të Republikës së Kosovës, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe kryetarin e Forumit Alpbach, z. Franz Fischler, i cili ka ndihmuar dhe ndihmon në zhvillimin e sektorit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës.

Më tej, fjalën e mori z. Vezir Januzi, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë në Republikën e Kosovës, i cili u përqendrua në subvencionet, që Ministria e Bujqësisë u ka dhënë dhe do t’u japë bujqve në Kosovë. Ai përmendi angazhimin e Ministrisë, sidomos në ndarjen e subvencioneve. Vitin që shkoi, sipas z. Januzi, ishin ndihmuar 390 fermerë me një shumë prej 20 milionë euro, e ishin hapur 2500 vende të reja pune. Ndërsa për këtë vit nga kjo ministri është paraparë, që fermerët të ndihmohen me 43 milionë euro subvencione.

Bajram Mulaku, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, tha se komuna e Vushtrrisë identifikohet me prodhimin e patateve, por kjo komunë ka mundësinë e kultivimit të të gjitha pemëve, sepse ka një tokë pjellore prej 7000 hektarësh me mundësi ujitjeje. “Gjatë vitit, që shkoi, Komuna e Vushtrrisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë ka ndihmuar 1700 bujq me 330000 euro subvencione”, tha z. Mulaku, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.

Carl Pauer, veterinar nga Austria, tha se për një kohë të gjatë vepron në Kosovë, duke ndihmuar kosovarët me mbarështimin e kafshëve, e sidomos me shpërndarjen e lopëve. Edhe pse në Kosovë, deri tani, sipas, z. Pauer, blegtorët më shumë kanë përfituar nga qumështi dhe mishi. “Tani e tutje do të angazhohemi, që të përfitojnë edhe në kultivimin dhe rritjen e numrit të lopëve. Kosova ka ngjashmëri me Austrinë, dhe arsimimi i bujqësisë do të duhej të ishte prioritet”, tha z. Pauer.

Bianka Duro, përfaqësuese e Almako, e specialiste e blegtorisë, u fokusua sidomos në mundësitë e zhvillimit të sektorit të blegtorisë, duke pasur në theks të veçantë tregun shqiptar, të Kosovës dhe atë evropian.

Referuesi i fundit, z. Franz Fischler, kryetar i Forumit Alpbah, dhe ish komisionar i EU për Bujqësi, në fjalën e tij, u përqendrua në potencialin, që ka sektori i bujqësisë në Kosovë. Ai tha se, bujqësia zë potencial të lartë, por shtroi pyetjen: “Si mund të bëjmë, që Bujqësia të jetë storie e suksesit”. Sipas z. Fischler, suksesi nuk ka të bëjë me bujqësinë, por me ushqimin, prandaj, sipas tij, duhet menduar për zinxhirin ushqimor. “Tregjet nuk janë të drejtuara nga prodhuesit, por nga konsumatorët, prandaj duhet menduar në këtë aspekt: që ushqimi të jetë i sigurt, të ketë cilësi të lartë, dhe të ketë çmime të arsyeshme”, tha z. Fischler në fjalën e tij përmbyllëse.

Në fund, z Fischler dhe z. Januzi nënshkruan deklaratën e z. Fischler për pranimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Ushqimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)