18 Prill 2024

Përurohen investimet e reja në “Bodrumin e vjetër” në Rahovec

Rahovec, 27 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi së bashku me shefin e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Christofer Stock, sot kanë përuruar investimet e reja në “Bodrumin e vjetër” në Rahovec.

Përmes këtij investimi, të mbështetur nga BE-ja dhe MBPZhR-ja, ky bodrum ka avancuar teknologjitë, si dhe ka ndarë minigrante për vreshtarët e Rahovecit.

Me këtë rast, ministri Krasniqi, theksoi se sektori i verërave dhe rrushit padyshim janë një nga potencialet strategjike të Kosovës.

“Pikërisht për këtë, ne kemi investuar shumë në këtë sektor deri më tani dhe edhe ju e dini se sa i përket subvencioneve kemi shumën me të lartë të përkrahjes në rajon. Po ashtu secili kultivues i rrushit dhe verës në vazhdimësi ka përfituar nga grantet e MBPZhR-së”, tha ai, duke shtuar se edhe sivjet kanë planifikuar rritje të buxhetit dhe interesi i tyre është që të rriten sipërfaqet me kultivim të rrushit, qoftë tryezës dhe verës në veçanti. 

Ministri Krasniqi, falënderoi BE-në jo vetëm për këtë mbështetje, por edhe mbështetjen në përgjithësi, dhe shumë të madhe që ka dhënë për bujqësinë.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës së KE-së në Kosovë, Christofer Stock, tha se ky investim në këtë bodrum do ta ndihmojë jo vetëm verëtarinë, por të gjithë fermerët e kësaj ane.

“Jemi në dijeni që vera e Rahovecit është duke u eksportuar edhe jashtë Kosovës dhe për të rritur eksportin e  saj edhe më shumë është e rëndësishme që të arrihen standarde evropiane dhe këto investime do të ndihmojnë shumë në këtë”, tha Stock.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se investimet në këtë sektor janë të domosdoshme dhe me këtë rast ai shprehu falënderimet e tij për BE-në dhe MBPZhR-në, të cilat sipas tij po e përkrahin në vazhdimësi këtë sektor në këtë komunë.

Ndryshe, MBPZHR-ja, gjatë vitit 2013, “Bodrumin e vjetër”, e ka përkrahur përmes një granti invesitv në vlerë prej 180 mijë euro, për renovimin e objektit dhe blerjes së  pajisjeve të reja për prodhimin e verërave.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)