23 Prill 2024

Komuna e Prishtinës rrit buxhetin për bujqësinë e blegtorinë

Prishtinë, 21 gusht - Në dëgjim e pestë publik që Komuna e Prishtinës e organizoi me banorët e Barilevës për të diskutuar lidhur me planifikimin buxhetor të vitit 2015 dhe kornizën afatmesme të shpenzimeve, të paraparë për Drejtorinë e Ekonomisë, me theks të veçantë sektorin e bujqësisë, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, paralajmëroi rritje të buxhetit për këtë drejtori.

Prezantimin në këtë dëgjim publik e bëri nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Dardan Sejdiu, i cili njëkohësisht e udhëhoqi për 7 muaj Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik. Ai deklaroi se buxheti i vitit 2015 është planifikuar të jetë 250 mijë euro më i lartë se sa ai i vitit paraprak, rreth 1 milion e 30 mijë euro.

“Ky vendim për bujqësinë dhe blegtorinë në Komunën e Prishtinës do të transferohet edhe gjatë viteve të ardhshme. Në vitin 2016, dallimi buxhetor me vitin 2014 (buxhet i trashëguar nga qeverisja e kaluar), do të jetë 1 milionë euro. Pra, prej 870 mijë eurove sa kanë qenë sivjet, në vitin 2016 buxheti është paraparë të jetë 1 milion e 850 mijë euro. Kjo përkrahje do të reflektojë edhe në vitin 2017 për sektorin e bujqësisë ku planifikohen të ndahen rreth 2 milionë euro”, tha Sejdiu.

Sa i përket buxhetit të paraparë për subvencione dhe transfere, nënkryetari Sejdiu u shpreh se fokusi do të jetë kryesisht në bujqësi dhe blegtori.

“Në buxhetin e vitit 2015 është planifikuar që të përkrahen fermerët për ujitjen e kulturave bujqësore me 50 mijë euro, shumë e cila do të trefishohet në vitin 2016. Gjithashtu, në vitin 2015 është bërë  planifikimi i programit për përkrahjen e makinave mjelëse për të cilat në vitin 2016 do të rezervohen 100 mijë euro nga buxheti i Drejtorisë së Ekonomisë, sektori i bujqësisë.\"

\"Mbjellja e grurit do të përkrahet në shifër prej 150 mijë eurove, fermat për prodhimin e vezëve në shifër prej 70 mijë eurove. Ndërsa për ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e pemëve dhe perimeve ka ekzistuar një vijë buxhetore prej 100 mijë euro, mirëpo nuk ka pasur projekt.\"

\"Andaj, kemi nisur të punojmë për ndërtimin e një modeli në mënyrë që të krijojmë kapacitete mbledhëse për pemët dhe perimet në Komunën e Prishtinës. Po ashtu janë planifikuar 80 mijë euro për ngritjen e punishteve të reja për mjedra dhe dredhëza. 80 mijë euro janë planifikuar edhe për ngritjen e kapaciteteve prodhuese të mjaltit dhe për përkrahjen e zhvillimit të bletarisë ekologjike, përderisa pagesa shtesë për përkrahjen e bletarëve është 50 mijë euro.\"

\"Ndërsa për serra dhe patate janë planifikuar 150 mijë euro. Në buxhetin e vitit 2015 janë planifikuar edhe 300 mijë euro për blegtori”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili shtoi se i tërë ky investim bëhet me qëllimin që të ngrihen kapacitetet e bujqësisë dhe blegtorisë në Komunën e Prishtinës.

Po ashtu në këtë dëgjim publik u tha se qëllim i Komunës së Prishtinës është edhe koordinimi i bujqve dhe përpunuesve në mënyrë që të  sigurohet shitja më e shpejtë e produkteve. Lidhur me këtë qëllim për herë të parë në Kosovë do të krijohet mundësia që në çdo lagje të madhe të Prishtinës të jetë tregu lëvizës me prodhimet vendore.

“Në muajin tetor planifikohet të fillojë së zbatuari projekti për tregun me prodhimet vendore. Me Komisionin Evropian është duke u biseduar mundësia e financimit për 60 vende të shitjes në treg lëvizës, i cili 4 ditë në javë do të vendoset në lagje e mëdha të Prishtinës dhe ato 60 vende planifikohet që të shfrytëzohen kryesisht nga bujqit dhe përpunuesit e Komunës së Prishtinës”, tha nënkryetari Sejdiu.

Në këtë takim, gjithashtu, u bë e ditur se Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencionin Zviceran për Zhvillim ka filluar një projekt ku planifikohet punësimi i të rinjve që janë në përfundim të mësimit në shkollat profesionale. Fillimisht, pas diplomimit ata do të vendosen në si praktikant në sektorin privat, në mënyrë që t’ju krijohen parakushtet për punësim. Kjo bëhet me qëllim që të krijohet lidhja midis 8 shkollave profesionale në Komunën e Prishtinës dhe sektorit privat.

Në këtë dëgjim publik banorët e Barilevës shprehën shqetësimin e tyre lidhur me sistemin e ujitjes shkaku i një hidranti që ka defekte dhe është në përgjegjësi të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, gjë që u shkakton probleme me ujitjen e qindra hektarëve, ndërsa fermerët kërkuan që të shqyrtohen edhe mundësitë e bashkëfinancimeve dhe koordinimit me pushtetin qendror.

Të enjten, 21 gusht 2014, në sallën e Kuvendit Komunal, në ora 16:00 do të zhvillohet dëgjimi i publik për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndërsa në shkollën Model, në ora 18:00, organizohet dëgjimi publik për Drejtorinë e Arsimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)