28 Mars 2024

Sektori i qumështit përkrahet nga Qeveria

Prishtinë, 9 gusht - Shefi i Sektorit të Prodhimtarisë Blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Arsim Memaj, ka deklaruar se MBPZHR-ja ka planifikuar 1.5 milion euro, nëpërmjet të cilave do të subvencionohet çdo litër qumështi e kategorisë ekstra klasë.

“Për të realizuar këtë përkrahje për qumështarët janë planifikuar 1.5 milion euro, nëpërmjet të cilave do të subvencionohet çdo litër qumështi e kategorisë ekstra klasë, klasës së parë dhe të dytë. Tanimë ka filluar aplikimi për kuartalin e dytë të këtij viti, ku deri më tani nuk është raportuar për ndonjë parregullsi”, ka theksuar Memaj në një bisedë për “Epokën e re”.

Sipas tij, sektori i qumështit mbështetet nëpërmjet tri programeve. “Përpos subvencionimit të sektorit sipas cilësisë, ky sektor subvencionohet edhe për njësi/krerë për lopët qumështore dhe të imëtat (delet dhe dhitë) në prodhimtarinë aktive të qumështit.

Gjithashtu, në mënyrë indirekte ky sektor përfiton edhe nga subvencionimi i misrit, i cili përdoret kryesisht për ushqimin e bagëtisë. Prandaj shuma e përgjithshme për mbështetjen e fermerëve prodhues të qumështit për këtë vit arrin në 5 800 000 euro”, ka thënë ai, duke shtuar se programet për subvencionimin e sektorit të qumështit janë programe në nivel nacional dhe se, sipas tij, të drejtë aplikimi kanë të gjithë fermerët e Republikës së Kosovës që janë në suaza të kritereve.

“Përqendrimi më i madh i fermave, marrë parasysh madhësinë e fermave, është në regjionin e Dukagjinit”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket protestës së fundit të qumështarëve, Memaj ka thënë se me këtë protestë nuk është kritikuar Ministria e Bujqësisë pasi, sipas tij, nuk është në mandatin e kësaj ministrie të merret me politikat tregtare apo fiskale.  Ai ka thënë se janë duke i monitoruar zhvillimet e fundit, të cilat ndërlidhen me stabilizimin e gjendjes së krijuar.

“Jemi pjesë aktive dhe jemi duke bashkëpunuar ngushtë me shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe institucionet relevante”, ka bërë të ditur Memaj.

Sipas tij, çështjet e adresuara nga shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, siç janë importi i prodhimeve jashtë standardeve, dampingu, prodhimet e subvencionuara nga importi dhe problemet me inkasim të mjeteve, nuk janë probleme që duhen adresuar në Ministrinë e Bujqësisë.

Memaj ka theksuar se institucionet relevante që të marrin masa, këto kërkesa fillimisht duhet të mbështeten dhe të argumentohen.

“Sa iu përket politikave të Ministrisë së Bujqësisë, të cilat kryesisht janë të fokusuara në rritjen e prodhimtarisë vendore, ato janë në harmoni me kërkesat e shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe me zhvillimet e përgjithshme në sektor”, është shprehur ai. Memaj ka treguar se zhvillimet në sektorin e qumështit janë shumë dinamike në pesë vjetët e fundit. “Si rezultat i investimeve në sektorë dhe politikave zhvillimore, ky sektor vazhdon të ketë problem me sezonalitetin e prodhimit”, ka thënë Memaj. 

Në periudhën kohore nga muaji qershor deri në mesin e muajit gusht, sipas Memajt, zakonisht është evidente ngritja e prodhimtarisë së qumështit.

“Me qëllim që të bëhet sensibilizimi i mekanizmave nga ky sektor, me qëllim që të monitorohen zhvillimet në krijimin e stoqeve, që në vitin 2010 është punuar në hartimin e një programi raportues për sasinë dhe llojet e prodhimeve të qumështit, për të cilin edhe kemi përkrahjen e industrisë përpunuese por që, për fat të keq, asnjëherë nuk është zbatuar”, ka pohuar Memaj. Ai ka bërë me dije se krijimi i stoqeve kërkon informacionet për sasinë dhe llojin e qumështit, që në rastin konkret Ministrisë së Bujqësisë asnjëherë nuk i janë dorëzuar këto të dhëna nga Industria e Qumështit.

Memaj ka deklaruar se sipas të dhënave nga Doganat e Kosovës për importin e qumështit pluhur, rezulton se sasia e qumështit pluhur që importohet në vendin tonë i përket sasisë së nevojshme për përdorim nga industria ushqimore e pjekurinave, brumërave dhe ëmbëlsirave. “Edhe me norma ligjore, standarde dhe praktikat teknologjike përdorimi i qumështit pluhur lejohet në sasi të caktuar.

Ajo që mund të them si ekspert i kësaj fushe, nuk ka asnjë arsye të dyshohet në përdorimin e pakontrolluar të qumështit pluhur nga përpunuesit vendorë dhe një gjë e tillë është vetëm spekulim. Ne kemi informacione për të gjithë fermerët që furnizojnë industrinë përpunuese të qumështit. Kurse vizitat dhe kontrolli i industrisë është agjendë e rregullt e jona. Prandaj, me përgjegjësi them se prodhimet vendore të qumështit prodhohen nga qumështi i freskët, prodhim vendor”, ka theksuar Memaj.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)