26 Prill 2024

Ish-ushtari që merret me bletari

Mitrovicë, 24 prill - Xhevdet Hasani nga Fshati Frashër i Madh i Komunës së Mitrovicës, është ish-pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mirëpo ai nuk ka pasur fatin si shumë bashkëluftëtarë të tij, që të punësohet dhe të sigurojë një pagë për të mbajtur familjen e tij.

Tash Hasani nga ushtaraku është bërë një bletarë, i cili siguron të ardhurat për familje nga mjalti që siguron nga shoqëritë e bletëve.

Ai thotë se është i kënaqur me bujqësinë, por jo edhe me përkrahjen që i është ofruar. Në fillim për të nisur këtë veprimtari është përkrahur nga një organizatë ndërkombëtare si ish-pjesëtarë i UÇK-së.

Fermeri Xhevdet Hasani tregon për portalin “Ferma Ime” se me bletari ka filluar të merret nga viti 2001, krejt kjo si nevojë për t’i siguruar të ardhurat tetë anëtarëve të familjes së tij. Ai tregon se varësisht prej sezones, por kryesisht punon me familje në bletishtë.

“Me bletari kur kam filluar me u marr në vitin 2001, kam përfituar nga një organizatë ndërkombëtare si veteran i UÇK-së. Aktualisht jemi tetë anëtarë të familjes asnjeri nuk jemi në marrëdhënie pune, vetëm më bujqësi edhe bletari sigurojmë jetesën”, ka treguar Hasani, derisa shton se është i kënaqur me shitjen e mjaltit.

“Me shitjen e mjaltit jam i kënaqur deri sa shitjen e kemi në Mitrovicë, Vushtrri dhe në Prishtinë. Sasia më e madhe që kam arritur të prodhojë brenda një viti ka qenë 1000 kilogramë brenda një viti”, thotë ai.

Aktualisht Xhevdet Hasani ka treguar se ka 55 shoqëri bletësh, deri sa synim ka të shtoj numrin e tyre, varësisht prej kushteve financiare. “Kam pas numër më të madh deri 120 koshere, mirëpo e kam pas një aksident të cilin e kanë shkaktuar punëtoret e një kompanie, ku më janë dëmtuar 5 koshere bletësh edhe ato të cilët më kanë mbetur janë shumë të dobëta, kështu që viti i kaluar, pra 2013 me ka shkuar shumë dobët”, tha Hasani.

Ky bletar tregon se pavarësisht dëmeve dhe bletëve të dobëta ka arritur që t’i grumbullojë rreth 500 kilogram mjaltë.

Xhevdet Hasani ka thënë se në ketë veprimtari nuk ka pasur përkrahje nga Komuna e Mitrovicës, por vetëm nga Ministria e Bujqësisë. “Po kam pas përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet subvencionimit, me nga 10 euro, për shoqëri, ndërkaq nga Komuna e Mitrovicës, nuk jemi përkrahur me asgjë”, thotë Xhevdet Hasani nga Frashri i Madh i Mitrovicës.

Ndryshe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë treguar se edhe sivjet do të vazhdojnë me përkrahjen e fermerëve të cilët merren me bletari nëpërmjet granteve dhe subvencioneve. Por sipas tyre për të përfituar këta bletarë përkrahje duhet t‘i përmbushin disa kritere specifike.

Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se bletarët do të mbështeten me nga 10 euro për shoqëri bletësh, ndërsa për të përfituar nga kjo mbështetje financiare ata duhet të kenë minimum 30 shoqëri bletësh dhe në maksimum 500 shoqëri bletësh.

Ndërkaq, për të përfituar grante investive, bletarët duhet të kenë së paku 50 koshere dhe më së shumti 500 koshere, të dëshmojnë që standardet minimale kombëtare për sektorin e bletarisë janë arritur në fund të investimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)