25 Prill 2024

Kushtet klimatike shqetësojnë fermerët

Prishtinë, 17 prill - Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit (MBPZHR), Adil Behramaj, ka deklaruar se kushtet klimatike, të cilat po mbretërojnë këto ditë dhe që pritet të vazhdojnë gjatë javës, nëse shoqërohen me temperatura nën -1 gradë, pritet të shkaktojnë dëme të mëdha te shumica e kulturave bujqësore

Bora që ka filluar të bjerë në Kosovë mund t’i rrezikojë kulturat bujqësore. Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit (MBPZHR), Adil Behramaj, ka deklaruar se kushtet klimatike të cilat po mbretërojnë këto ditë dhe që pritet të vazhdojnë gjatë javës, nëse shoqërohen me temperatura nën -1 gradë, atëherë pritet të shkaktojnë dëme të mëdha te shumica e kulturave bujqësore.

“Por, edhe në këto kushte ndikimet mund të jenë të ndryshme te kulturat bujqësore dhe mund të ketë edhe efekte anësore, sidomos nëse krijohet ndonjë vërshim i vogël”, ka theksuar ai.

 

Sipas tij, rreziku që vjen nga kjo borë mund të jetë më i madh te të gjitha pemët që tash ndodhen në fazën e lulëzimit apo të lidhjes së frutave, mirëpo rrezikohen edhe vreshtat që tashmë janë në fazën e vegjetacionit dhe mund të pësojnë dëme në lastarin prodhues.

 

“Gjithashtu, ndaj rrezikut janë të ekspozuara edhe disa prej kulturave perimore që janë mbjellë në fushë të hapur nëse bien ende temperaturat, p.sh. patatja, e cila në rrafshin e Dukagjinit ka mbirë, por edhe perimet e mbjella në serra, sidomos trangujt që janë ndër më të ndjeshmit”, ka theksuar ai.


Sipas tij, te drithërat ky mot, nëse nuk përkeqësohet më shumë, nuk shkakton dëme. “Sapo të krijohen kushtet në terren ekipet tona do të dalin dhe do ta bëjnë vlerësimin e ndikimit dhe, nëse ka pasur dëme, evidentimin e tyre”, ka pohuar ai.

Rusinovci: Bora nuk e dëmton bujqësinë

Por profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka deklaruar se kulturat bujqësore nuk rrezikohen nga të reshurat e borës.

 

“Edhe pse të reshurat e borës e kanë mbuluar Kosovën, nëse nuk do të ketë ngrica, atëherë nuk ka vend për panik. Kulturat bujqësore mund të dëmtohen vetëm nëse sot ose ditëve në vazhdim ka ngrica. Nëse nuk do të ketë ngrica, atëherë për kulturat bujqësore nuk ka rrezik të dëmtohen”, ka thënë Rusinovci për “Epokën e re”.

 

Sipas tij, pemët mund të dëmtohen sa i përket bartjes së polenit. “Disa pemëve, të cilat veç kanë çelë apo janë në këtë fazë, bora mund t’ua shpërlajë polenin”, ka deklaruar ai.

Më të rrezikuarat kulturat e pemëtarisë dhe perimtarisë

Reshjet e fundit të borës kanë shqetësuar edhe fermerët e rajonit të Ferizajt.

Drejtuesit e Drejtorisë Komunale për Bujqësi të Ferizajt kanë thënë për gazetën "Epoka e re", se më të rrezikuarat në këtë situatë janë kulturat e pemëtarisë dhe perimtarisë, në ato konfiguracionet tokësore të luginave, ku ka një rrymim më të fuqishëm të ajrit.

Drejtori i kësaj drejtorie, Xhemajl Reçica, ka thënë se në këto vende mund të ketë ulje të temperaturave, kurse në pjesët më të larta nuk parashihet një situatë e tillë.

"Këto temperatura mund të ndikojnë në pemishte ngase tashmë pemët ndodhën në fazën e lulëzimit, por jo te të gjitha, shembull te kajsia dhe te pjeshka ato mund të dëmtohen sepse janë në fazën e formimit të frytit, kështu që temperatura -1.8 - 2 gradë nuk është e dëmshme, nuk paraqet dëme në pemëtari. Por nëse temperaturat ulen edhe më shumë, atëherë mund të vijë te dëmtimi i lules", ka thënë Reçica.

Ai ka përmendur edhe preventivat siç janë sistemi i ujitjes me pompim, tymosja, por edhe mbështjellja e pemëve.

Gjendja nuk paraqitet e mirë edhe te kulturat lavërtare.

Drejtori Reçica ka bërë me dije se fermerët janë ngutur me procesin e mbjelljes sepse, sipas tij, shkencërisht mbjelljet pranverore fillojnë mes 15 dhe 25 prillit.

"Ata të cilët e kanë mbjell misrin janë ngutur pak. Nëse nuk kemi temperatura më të ulëta dhe nuk kemi shtim të lagështisë nuk ka rrezik për prishje. Nëse kjo zgjat më shumë se një javë atëherë ka mundësi që embrioni të shkatërrohet dhe duhet të vijë deri te rimbjellja e misrit", ka thënë Reçica.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)