19 Prill 2024

Shtetet e rajonit diskutojnë për përfshirjen e shoqërisë civile në bujqësi

Prishtinë, 8 prill - Shkëmbimi i përvojave dhe ideve në mes vendeve të rajonit është i domosdoshëm për përmirësimin e politikave bujqësore dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në nivel kombëtar dhe rajonal.

Forumet dhe diskutimet e përbashkëta rajonale po shërbejnë si mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin midis atyre që i bëjnë politikat dhe palëve të interesit nga sektori privat dhe shoqëria civile, për përfshirjen e tyre në dizajnimin dhe zbatimin e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural në vendet tona përkatëse.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, sot në konferencën për fuqizimin e akterëve rural në Bruksel, e organizuar nga Grupi Punues Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal (SWG).

Ministri Stavileci, para ministrave dhe shoqërisë civile rajonale që është aktive në fushën e bujqësisë, ka treguar edhe për aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve të fundit Ministria e Bujqësisë në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të politikave bujqësore.

“Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të madh në disa fusha dhe një ndër aktivitetet më të rëndësishme ishte hartimi i përbashkët me shoqërinë civile i programit 2014-2020, i cili reflekton tri elemente shumë të rëndësishme: rritjen e produktivitetit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe në fokus të veçantë edhe çështjet mjedisore.\"

\"Viti i kaluar ka qenë shumë më frytdhënës sa i përket produktivitetit, konsolidimit dhe zhvillimit të sektorit, rritjes së eksportit dhe zëvendësimit të importit”, ka thënë ministri Stavileci.

Ai gjithashtu ka treguar se Ministria e Bujqësisë është duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’u bërë pjesë e programit të IPARD 2, ku si rezultat i këtyre përpjekjeve, Stavileci tha se i kanë fuqizuar kapacitetet njerëzore dhe teknike në strukturat më të rëndësishme në ministri, siç janë Autoriteti Menaxhues dhe Agjencioni për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Me qëllim të përfshirjes së autoriteteve dhe organeve relevante, si dhe partnerëve të përshtatshëm ekonomik, social dhe mjedisor, Ministria e Bujqësisë ka krijuar një dialog shumë konstruktiv me palët në interes në procesin e zhvillimit bujqësor dhe rural, specifikisht për programin 2014-2020.\"

\"Për të garantuar që të gjitha palët relevante të interesit të përfshihen në këtë dialog është bërë edhe një analizë gjithëpërfshirëse për t’i identifikuar grupet relevante, siç janë përfaqësuesit e fermerëve, autoritetet publike, OJQ-të, institucionet e shkollimit bujqësor dhe grupet lokale të veprimit”, tha Stavileci.

Ndryshe, qëllimi i kësaj konference është ngritja e vetëdijes për mundësitë dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve në interes për zhvillimin rural, si në hartimin e politikave, ashtu edhe për përfshirjen e tyre në vendimmarrjen e përgjithshme në nivel kombëtar.

Pjesë e kësaj konference, përveç përfaqësuesve nga Kosova janë edhe shumë ministra të bujqësisë të shteteve të rajonit, përfaqësues nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, anëtarë të SWG-ve, përfaqësues të palëve të interesit, etj.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)