18 Prill 2024

Përurohet ferma e prodhimeve bio të vezëve dhe pulave

Mitrovicë, 26 prill - Në prani të shumë zyrtarëve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare është përuruar të premten Ferma e prodhimeve-bio (vezë dhe pula) në Frashër të Mitrovicës.

Ky është vlerësuar si një projekt shumë më perspektivë që do të hap rrugë për punësim dhe zhvillim në këtë qytet.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, u shpreh i lumtur që është jetësuar ky projekt për të cilin ka punuar shumë me drejtuesin e DIAKONI-së, Bernd Baumgarten, që edhe e zbaton këtë projekt.

“Është kënaqësi e madhe që shohim sot këtë fermë të mbushur me pula, me zogj dhe me punëtorë të vyeshëm”, tha ai.

Ndërsa, koordinatorja e projektit, Hysnie Mikullovci, sqaroi se në këtë fermë, e cila është hapur me ndihmën e Bashkimit Evropian që ka ndarë rreth 300 mijë euro, momentalisht punojnë 10 veta, prej tyre 6 persona me aftësi të kufizuara.

“Kemi 1 mijë pula tash për tash, shumë kemi shitur, ndërsa në të ardhmen planifikojmë të zgjerojmë veprimtarinë me pemishte, me një linjë të përpunimit të mishit dhe një fermë të dhive”.

Të gjitha prodhimet e kësaj ferme janë 100 për qind bio, duke nisur që nga ushqimi që përdoret për zogjtë.

Bartësit e projektit thanë se njëherë për një herë janë të orientuar në tregun vendor dhe më vonë planifikojnë të zgjerohen edhe në atë ndërkombëtar.

Në hapje të fermës ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci dhe shefi i operacioneve të Zyrës së Komisionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Cristof Stock, të cilët premtuan mbështetje për sektorin e bujqësisë.    

Në përurimin e kësaj pularie, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se përmes këtyre projekteve dhe përkrahjes që po i ofrohet sektorit të bujqësisë, po përmirësohet cilësia e jetesës në zonat rurale dhe po shtohen të ardhurat e fermerëve.

“Ne që nga viti i kaluar e veçanërisht sivjet, sektorit të shpezëtarisë i kushtojmë vëmendje të veçantë, sepse këtë sektor e përkrahim financiarisht edhe nëpërmjet granteve dhe subvencioneve.\"

\"Kjo mbështetje financiare, është një mundësi për të gjithë fermerët e vendit tonë për të vazhduar suksesshëm veprimtarinë e tyre në këtë fushë”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se për Mitrovicën dhe dy qytete të tjera që kanë potencial të zhvillimit rural, kanë përgatitur edhe një program special, në mënyrë që t’u ofrojnë edhe një mundësi shtesë fermerëve të kësaj ane për të përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se në fokus të këtij projekti është involvimi i personave me aftësi të kufizuar, si dhe vetëdijesimi i popullatës për konsum më të madh të produkteve bio.

Ai tregoi se objekti dhe infrastruktura përcjellëse janë të ndërtuara sipas standardeve evropiane.

Ndryshe, vlera e projektit për ndërtimin e fermës së pulave bio arrin në 289 mijë euro dhe EUred-i e ka përkrahur me gjithsej 260 mijë euro, kurse implementimin e këtij projekti e ka bërë organizata gjermane Diakonie, e cila punon dhe vepron në Mitrovicë.

Kjo fermë ka gjithsej 22 pula të rasës franceze maran, ndërsa ushqimi me të cilin ushqehen ato është bio i importuar nga Austria. Aktualisht ka të punësuar 10 persona dhe gjashtë prej tyre janë më aftësi të kufizuar.



   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)