23 Prill 2024

Grante dhe subvencione për shpezëtarinë

Prishtinë, 8 shkurt - Ministria e Bujqësisë ka rritur përkrahjen e saj edhe për sektorin e shpezëtarisë. Sivjet krahas granteve investive, të cilat arrijnë vlerën prej 300 mijë eurosh, ky sektor do të mbështetet përmes subvencioneve edhe me 300 mijë euro të tjera.

Përmes kësaj mbështetje, kjo ministri synon përmirësimin e standardeve në prodhimtarinë e vezëve, aplikimin e teknologjive të reja,  ndërtimin e stallave të reja për pulat vojse, si dhe përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse në fermë.

Zëdhënësi i MBPZhR-së, Adil Behramaj, tregoi se në sektorin e prodhimtarisë së vezëve janë aktiv rreth 100 shpezëtarë me gjithsej rreth 800 mijë pula vojse.

Ky sektor sipas tij është i konsoliduar mirë dhe mbulon pothuajse të gjitha nevojat e tregut të brendshëm. Krahas kësaj, ai thotë se 70 për qind e fermave janë relativisht të vogla në këtë sektor dhe kanë prej 1200, deri në 10 mijë pula, ndërsa rreth 20 ferma kanë mbi 10 mijë, deri në 100 mijë pula. E prodhimtaria e përgjithshme e vezëve, sipas Behramajt sillet në mbi 200 milionë vezë në vit.

 “Këtë sektor ne e kemi përkrahur përmes granteve investive në ndërtim të stallave dhe në përmirësim të infrastrukturës me 200 mijë euro në vitin e kaluar. Ndërsa, sivjet prodhimtarinë e vezëve dhe rritjen e modernizimin e fermave në shpezëtari do ta përkrahim përmes subvencioneve dhe granteve investive me 600 mijë euro”, thotë zëdhënësi Behramaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Shoqatës së Shpezëtarëve thonë se përkrahja financiare, e cila viteve të fundit është dhënë nga Ministria e Bujqësisë, ka ndikuar në avancimin e këtij sektori. Kryetari i kësaj shoqate, Agim Sahiti, thotë se grantet që janë ndarë në dy vitet e fundit për këtë sektor, kanë ndikuar në shtimin e fermave të pulave dhe në përmirësimin e cilësisë së vezëve.

“Pa mbështetjen e ministrisë, e cila ka filluar të jepet qysh para dy viteve, avancimi i këtij sektori do të ishte i pamundur. E mbështetja e këtij sektori përmes granteve e tash edhe përmes subvencioneve do të ndikojë në modernizimin e mëtejmë të kësaj prodhimtarie, pasi nevojat në këtë drejtim vazhdojnë të mbesin të mëdha”, thotë Sahiti.

Ndryshe, përfitues të granteve investive në këtë sektor do të jenë fermerët mbarështues të pulave vojse në të gjitha fazat e prodhimtarisë aktive, që mbarështojnë prej 2,400 e më shumë pula vojse.

Ndërsa, subvencionimi do të bëhet për zogëzat nga tetëmbëdhjetë javë, si dhe për njësi të pulave vojse në të gjitha fazat  në prodhimtarinë aktive të vezëve sipas madhësisë së tufës.

Për fermat me tufë prej 2400 deri në 10 mijë pula vojse, subvencionet do të jenë 0.50 cent për krerë të pulave. Për ato që kanë prej 10 mijë deri në 20 mijë pula vojse, subvencionet do të jenë 0.40 cent për krerë të pulave. Ndërsa, fermat që kanë mbi 20 mijë pula vojse, do të subvencionohen me nga 0.30 cent për krerë të pulave vojse.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)