20 Prill 2024

Promovohen etno dhe agrokultura

Prishtinë, 30 qershor - Prodhime vendore, ushqime tradicionale dhe aktivitete të ndryshme kulturore po promovohen për herë të parë së bashku në festivalin “ETNO dhe AGRO Fest”, i cili ka filluar sot në fshatin Kukaj të Prishtinës.

Ky festival, që sivjet është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka për qëllim të promovojë agroturizmin, prodhimtarinë vendore dhe trashëgiminë etnokulturore si fusha të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Në hapjen zyrtare, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky festival sivjet po bën bashkë imazhin kulturor dhe atë agrorural dhe se nga viti në vit është duke u bërë njëri prej aktiviteteve më promovuese në këtë anë.

“Këtë vit festivalin e kemi pasuruar edhe me ngjarje të tjera, ku përveç aktiviteteve që ndërlidhen me traditën dhe kulturën, kemi përfshirë edhe promovimin e prodhimtarisë vendore dhe ushqimin tradicional”, tha Stavileci.

Ai tha se viteve të ardhshme këtë festival duhet ta plotësojnë edhe me aktivitete të tjera dhe se duhet t’i jepet karakter ndërkombëtar, sepse me përmirësimin e imazhit kulturor, vendi ynë mund ta përmirësojë edhe imazhin ekonomik.

Ndërsa, ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi, tha se festivali “Etno dhe Agro Fest” është një eveniment origjinal, pasi baza dhe esenca e tij është promovimi i traditës, kulturës dhe trashëgimisë sonë, por sivjet i është shtuar edhe promovimi i prodhimtarisë vendore.

“Suksesi i këtij festivali është duke ofruar garanci për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe në të ardhmen do të mundohemi ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se me punën që kanë bërë deri më tani, kanë arritur që ta promovojnë kulturën, traditën dhe artistët kosovarë në të gjithë botën.

Festivali “ETNO dhe AGRO Fest” do të jetë i hapur deri me 6 korrik dhe në ambientin ku po mbahet, gjatë ditëve në vijim, do të prezantohen rreth 40 programe artistike që ndërlidhen me jetën në zona rurale dhe me veprimtaritë bujqësore, koncerte të ndryshme solistike, ansambël me këngë, valle dhe rite arkaike, ekspozita pikturash, fotografish dhe grafikash me temë nga tradita, rituale tradicionale dhe projeksione të filmave dokumentarë, si dhe do të ketë edhe promovime librash.

Për grupet artistike që do të prezantojnë vlera kulturore dhe për 20 prodhuesit vendorë që po marrin pjesë, në natën përmbyllëse do të ndahen edhe çmime të ndryshme.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)