29 Mars 2024

Thaçi: Duke mbrojtur Kushtetutën, mbrojmë Republikën

Prishtinë, 26 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese.

Për ta mbrojtur rendin tonë kushtetues, presidenti Thaçi ka thënë se ishte më se i domosdoshëm krijimi i një organi të pavarur të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të bënte edhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

“Këtë detyrë dhe këto obligime po i përmbush me sukses Gjykata Kushtetuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Efekti i vendimeve të kësaj gjykate, në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, sipas presidentit Thaçi, është përfundimtar dhe ato nuk mund t’i nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror.

“Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Në këtë mënyrë, ai ka thënë se po ndërtojmë fuqishëm konceptin e Kosovës si shtet kushtetues, ku parimet kushtetuese po gjejnë shprehje në vendimet dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe autoriteteve shtetërore.

“Ruajtja e reputacionit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe ruajtjen e reputacionit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës. Duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Si President i Republikës së Kosovës, ai ka theksuar se funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë edhe nga nivelet tjera të gjyqësorit.

Në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, përveç presidentit Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të shumtë të korit diplomatik në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)