28 Mars 2024

Demarkacioni në harmoni me të gjitha aktet ligjore të Kosovës

Prishtinë, 28 gusht - Shënjimi i vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është në harmoni me të gjitha aktet ligjore, të cilat Kosova i ka aprovuar pas shpalljes së pavarësisë.

Është në harmoni të plotë me Planin Hapësinor të Kosovës, me Ligjin mbi Kufijtë Administrativ të Komunave dhe me Ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna Park Nacional.

Po të kishte pasur fakte të tjera, të gjitha këto akte do të përfshinin territorin, për të cilin opozita dhe disa ekspertë akuzojnë se po humbet.

Vet Kuvendi i Republikës së Kosovës, me këto akte e ka pranuar realitetin e kufijve të Kosovës me vendet fqinje, duke përfshirë edhe Malin e Zi.

Shtrohet pyetja se cilat do të ishin argumentet e Komisionit Shtetëror para palës malaziase, po të thuhet se Kuvendi ynë ka aprovuar Planin Hapësinor të Kosovës në kufij që i kemi pasur, por ne nuk e pranojmë këtë.

Të gjithë vjetarët statistikorë të periudhës pas vitit 1974 dhe deri te suspendimi i autonomisë së Kosovës flasin se Kosova kishte 10,887 km katror. Kjo sipërfaqe mësohej edhe në libra shkollore. Ndërkaq kur mblidhen sipërfaqet e komunave del se territori ka qenë rreth 10,908 km katror.

Të dhënat, të cilat nga kritikuesit e tanishëm të demarkacionit janë dërguar në Vjenë, gjatë bisedimeve të Vjenës në vitin 2007 janë se Kosova kishte 10,908 km katror.

Plani Hapësinor i Kosovës, i miratuar më 16 qershor 2011 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, (në faqe 19) thotë se sipërfaqja e Kosovës është 10,907 km katror.

Në këtë Plan, Kosova është paraqitur në kufijtë e njëjtë me ata që ka shënuar  Komisioni Shtetëror.

Plani Hapësinor, pas Kushtetutës, është ndër aktet më të rëndësishme që rregullon shfrytëzimin e hapësirës me të cilën administron shteti në interes të qytetarëve dhe të nevojave të tyre. Këtë Plan e kanë votuar deputetët e pozitës dhe të opozitës.

Nga të dhënat që deri më tani ka publikuar Komisioni Shtetëror, rezulton se:

-        Kosova ka dokumentacion të plotë për territorin që në tërësi është përfshirë brenda kufirit, si territor i Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjë dokument i cili vërteton se në Kosovë është administruar territor tjetër.

-        Ekziston dokumentacioni i plotë kadastral në Malin e Zi për të gjitha pronat e zonës kufitare, që daton shumë më herët nga koha e shënjimit të vijës kufitare;

-        Nuk ka tokë të askujt, sipas teorisë fillestare të kundërshtarëve të demarkacionit, por çdo tokë ka pronarët e saj. Qoftë në Kosovë, qoftë në Mal të Zi.

-        Kosova ka aq territor sa ka pasur në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Nuk ka humbje të territorit.

-        Komuna e Pejës ka të njëjtin territor që e ka pasur më parë, 603 kilometra katror.

-        Në asnjë periudhë kohore Kosova, pa marrë parasysh si Krahinë apo tani si Republikë, nuk ka administruar territor më shumë se sa administron sot. Po ashtu, edhe Komuna e Pejës në asnjë periudhë nuk ka administruar territor më shumë sesa administron sot.

-        Nuk ka territore të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës, siç po dëgjohet nga disa, por se tërë territori i Kosovës është i shpërndarë në Komuna, përkatësisht territoret e komunave e përbëjnë territorin e Kosovës. S’ka territor të shtetit të Kosovës jashtë territorit të komunave ekzistuese.

-        Nga viti 2012 kur ka filluar punën Komisioni Shtetëror deri në gusht të vitit 2015, askush nuk ka dokumentuar se një pronë që është administruar deri atëherë në Kosovë po kalon në Mal të Zi.  Dhe, po ashtu, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, asnjë individ sikurse asnjë pronar tjetër, qoftë Komuna e Pejës, ministritë, agjensionet qeveritare, agjensionet e pavarura, AKP, organizatat fetare, nuk ka dokumentuar me asnjë akt legal se një pronë e tyre ka kaluar në Mal të Zi.

Asnjë ekspert, kundërshtues i demarkacionit, nuk ka argumentuar se toka e cilit titullar po humbet, në ato 8,200 hektarë. Shkenca mbështetet në argumentim. Ndryshe rezulton  se janë 8,200 hektarë me titullarë abstrakt. Por fakti se kjo nuk është argumentuar dhe se nuk ka tokë të askujt atëherë kauza se Kosova po humb territor rezulton të jetë false.

Ata nuk kanë dëshmuar se Komuna e Pejës ndonjëherë ka pasur më shumë territor sesa që ka sot. Prandaj, nuk e kanë argumentuar faktin se nëse Peja nuk ka përfshirë më shumë territor sesa që ka sot si është shtrirë deri në Çakor dhe Zhleb.

Kësaj do t’i pasonte një pyetje logjike: Sikur, sipas hartave që prezantojnë disa ekspert, territori i Kosovës është shtrirë deri në Çakor, pse ky territor nuk është administruar nga Komuna e Pejës, pse nuk janë paguar taksa për këtë territor në këtë Komunë, pse nuk është nxjerrë dokumentacion kadastral nga pronarët në Komunën e Pejës, por të gjitha këto janë bërë në komuna të Malit të Zi. Harta nuk jep përgjigje në këtë pyetje, duhet të japin ekspertët që interpretojnë hartat.


Rrjedhimisht, ekspertët të cilët fillimisht insistonin se ka pasur tokë të askujt ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, tani po duket se po e kanë vështirë që tezës së tokës së askujt t’ia gjejnë një alternativë tjetër “shkencore”. Ajo që ata duhet të bënin, është të pajtohen me faktin se shkenca nuk ka asgjë të përbashkët me të pavërtetat dhe interesat politike ditore. Duhet të pajtohen edhe me faktin se insistimi në gjëra që nuk dokumentohen, po i sjell dëme të mëdha vendit dhe proceseve shtetndërtuese, integruese dhe euroatlantike të cilat Kosova duhet t’i kalojë. Duhet ta marrin përgjegjësinë se si pasojë e insistimeve të tyre, të paargumentuara por populliste, po i ndihmojnë ambientit potencial të dhunës kundër institucioneve shtetërore, të sulmeve në shtëpi private dhe në individ të caktuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)